Zgjedhja e presidentit: Zaganjori drejt raundit të dytë, përplasje për datën

May 31, 2012 | 11:36
SHPËRNDAJE

Dështon votimi në raundin e parë. S’ka firma për Xhezair Zaganjorin, në pritje të konsensusit nga PS. Debat në Konferencën e Kryetarëve për ditën e raundit të dytë.

Seanca ezaurohet pa u kryer votim.

Ruçi: S’është vonë për të arritur konsensus Berisha: Më thoni çfarë ka mangët kandidati.

Dështoi dje raundi i parë i votimit në Parlament për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Partia Demokratike dhe aleatët e saj, LSI, PDIU dhe PR, nuk kanë hedhur për votim emrin e përzgjedhur midis tyre, atë të Xhezair Zaganjorit, i cili u përzgjodh dy ditë më parë nga tryeza e aleatëve të maxhorancës.  Raundi i parë i procesit të zgjedhjes së Presidentit është quajtur i ezauruar, për shkak të mungesës së një kandidature të regjistruar në Kuvend me 20 firma deputetësh. Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk kanë mbledhur firmat e nevojshme për kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, për shkak të mungesës së konsensusit me Partinë Socialiste. Edhe pse në Kushtetutë është parashikuar që zgjedhja e Presidentit të bëhet pa debat dhe me votim të fshehtë, përfaqësuesit e dy kampeve kanë replikuar dje nga foltorja e Kuvendit, për mungesën e dialogut në zgjedhjen e kreut të shtetit. Kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, theksoi se kandidatura e propozuar nga maxhoranca nuk i është nënshtruar procesit të konsultimeve me opozitën, ashtu siç kërkon Kushtetuta. Për Gramoz Ruçin, dialogu dhe negociatat nuk duhet të zhvillohen brenda të njëjtit kamp, por me kundërshtarin politik. Kreu i Grupit të PS-së deklaroi se Kryeministri Berisha duhet të pranojë ftesën e kreut të opozitës për të dialoguar dhe për të gjetur një kandidat konsensual. “Asnjëherë nuk është vonë për të

BERISHA DJE NE PARLAMENT

arritur një konsensus sipas frymës së Kushtetutës për t’i dhënë Shqipërisë kreun e ri të shtetit. Të marrësh përgjigje negative përsëri për herë të tretë, përsëri për fajin tonë, është përgjegjësi e madhe zotërinj të maxhorancës, zoti Kryeministër”, deklaroi Ruçi. Për Kryeministrin Berisha, opozita duhet të marrë në konsideratë shqyrtimin me seriozitet të kandidaturës së propozuar, atë të Xhezair Zaganjorit. Sipas Berishës, kandidatura e Zaganjorit i plotëson të gjitha kriteret për të qenë figura e unitetit kombëtar. “Në rast se doni të faktoni se nuk keni për qëllim të bllokoni procesin e integrimit, ngrihuni dhe studiojeni më mirë. Dhe na thoni se çfarë ka mangët ky për të qenë një kandidat konsensual. Mangët ka vetëm një gjë, vendosmërinë patologjike të kryetarit tuaj, për të bllokuar çdo gjë që ka në dorë. Ka në dorë të bllokojë këtë seancë, e bllokon, ka në dorë të bllokojë reformën zgjedhore e bllokon, ka në dorë të bllokojë reformën parlamentare, e bllokon. Ka në dorë të bllokojë heqjen e imunitetit e bllokon, se ia thotë ‘Këshilli i Miliarderëve’”, deklaroi Berisha. Një thirrje për të riparë kandidaturën e Xhezair Zaganjorit erdhi dhe nga kreu i LSI-së, që theksoi se opozita ka të drejtë të propozojë kandidaturat e saj, por kandidatura e së djathtës plotëson kriteret për të qenë konsensual. “Mendoj që koha e shkurtër e ka bërë të pamundur edhe që të jepet një vlerësim më objektiv e më realist i kandidaturës në fjalë. Ndaj unë mendoj se duhet të çmojmë me seriozitet procesin në të cilin ne kemi hyrë dhe, njëkohësisht, kjo nuk do të thotë që opozita nuk ka të drejtë të propozojë nga ana e saj, sepse ky është një proces i dyanshëm”, deklaroi Meta.

Debatet në Kuvend
Sali Berisha:
Opozita duhet të ndjekë procesin sipas Kushtetutës dhe nuk ka si detyrim të mbështesë kandidatët që paraqet qeveria. Kjo është normale. Qeveria për ta respektuar opozitën dhe për t’i bërë të mundur asaj dhe ta votojë, duhet të heqë dorë shumica nga disa kandidatura që për definicion vështirësojnë shumë votimin nga opozita. Edhe unë po të isha, këtë qëndrim do mbaja. Por, çfarë përcaktuam ne? Ne përcaktuam si maxhorancë, kur ftuam zotin Ruçi, fusha nga të cilat do të përzgjedhim kandidatin.
Blendi Klosi: Për Topallin e ke fjalën?
Sali Berisha: Zonja që ju përmendet këtu në politikën shqiptare ka kontribute thelbësore, shumë të rëndësishme. Të garantoj unë ty, ose pyete pak kryetarin tënd se çfarë i thanë në takimin e tij më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë, për zonjën. Po të dini të njihni disa copëza të vërtetash, pyesni kryetarin tuaj se çfarë i thanë. Ne u vetëkufizuam. Nuk sollëm politikanë apo drejtues të partive politike, por sollëm një kandidat i cili në 20 vite i ka shërbyer vendit dhe kombit të tij me përparësi të plotë. Ky kandidat është një intelektual, i cili u angazhua në fillim të viteve ‘90 në lëvizjen demokratike si shumica e të pranishmëve këtu. Ky kandidat ishte një drejtues i shkëlqyer katedre.
Sali Berisha: Ne prapë mendojmë se duhet ta shqyrtoni. Pesë vjet më parë, të gjithë ata që janë prapa të ulur në këto tavolina, e kanë ndier veten të turpëruar nga vetja jonë, po. Ju që nuk keni qenë, jua them unë. Jemi sjellë si thashethemexhinj. Në atë tryezë lëviznim emra dhe hiqnim emra personalitetesh, skemë të cilën s’jam i prirë ta përsëris kurrë më. Se s’kemi të drejtë, kemi të drejtë të shqyrtojmë bashkërisht çdo kandidaturë, por duhet të gjejmë procedurën. Pse u skontua gjenerali Arjan Zaimi? U skontua se doli me origjinë nga Skrapari. Pse u skontua? Ore zotërinj, mos më bëni mua të botoj procesverbalin e asaj mbledhjeje. Mos me detyroni të botoj, sepse ajo është një gjë që nuk duhet ta përsërisim më kurrë.
Erjon Braçe: Po ti e shkarkove gjeneralin.
Jozefina Topalli: Mos e merrni me mërzi more zotërinj, do ta zgjedhim Presidentin, qetësohuni. Shpirt pranimi duhet, jo shpirt refuzimi.
Sali Berisha: Kandidatin studiojeni, shqyrtojeni. Po qe se ju paraqisni një argument të vetëm se ky zotëri nuk plotëson apo lë mangët kërkesat për të qenë kryetar i shtetit dhe për t’u votuar, na i thoni dhe neve absolutisht vërejtjet tuaja, do t’i trajtojmë.
Eduard Shalsi: Kështu the dhe për Bamirin ti.
Sali Berisha: Jo, jo. Bamiri ishte nënkryetar partie. Aty nuk kam folur kështu. Nuk kam kërkuar unë kurrë konsensus për Bamirin te ju. Dhe nuk kërkoj konsensus për nënkryetar partie te ju. Normale është që nuk mund të bëhet, jua them këtu ju.
Alfred Dalipi: Po na thuaj, si e zgjodhe?
Sali Berisha: Si e zgjodha? E zgjodha sepse kryetari juaj desh ta bllokonte me çdo kusht, ish-kryetari juaj me përgjegjësinë e etatistit dha kontributin e tij, për të cilin unë i jam mirënjohës. Sepse ish-kryetari juaj e kuptoi që vendi nuk mund të rrokullisej siç donte kryetari juaj, ndaj u zgjodh zoti Topi. Në rast se ju përmendni zotin Topi, zoti Topi ishte nënkryetar, këtu nuk kemi paraqitur zotin Patozi apo zonjën Topalli apo zotin Bode, këtu kemi paraqitur një njeri që qoftë vetëm një ditë të vetme nuk ka qenë me PD-në. Sidoqoftë, as dhe një moment të vetëm, as dhe një orë janë të gjitha të zbardhura. Mos u nisni nga paragjykimi, sepse është në interesin tuaj dhe në interesin e qytetarëve shqiptarë që posti i Presidentit të ketë një njeri me integritet, me kredenciale dhe me besueshmëri të lartë.

VOTIMI QUHET I KRYER EDHE KUR NUK KA KANDIDAT
Komisioni i Ligjeve i propozoi dje Kuvendit që raundi i parë i votimit për Presidentin e Republikës të konsiderohej si i ezauruar, për shkak se asnjë nga kandidaturat nuk ishte regjistruar në Kuvend. “Në mbledhjen e datës 30 maj, Komisioni i Ligjeve konstatoi se deri në afatin e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, asnjë kandidaturë për President nuk është depozituar në Kuvend. Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve, për nenin 87, pika 2 e Kushtetutës, përcaktohet se “votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”, thuhet në raportin e paraqitur nga deputeti demokrat, Viktor Gumi.

VOTOMI   NE 2002 PER ZAGANJORIN
Kandidatura për postin e kreut të shtetit, Xhezair Zaganjori, në vitin 2002 është votuar në Kuvendin e Shqipërisë me konsensus të gjerë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Në procesverbalin e Kuvendit rezulton se Zaganjori i është nënshtruar votimit të fshehtë dhe asokohe ka marrë 89 vota pro, 9 vota kundër dhe 5 abstenim. Votimi për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese ka marrë mbështetjen e PD-së dhe PS-së në Kuvend. Në votimin e fshehtë të vitit 2002 evidentohen vetëm 15 deputetë që kanë munguar në procesin e votimit, ndërsa pjesa tjetër e votave është e fshehtë.

Ruçi-Patozi
Kryetari i Grupit të PD-së, Astrit Patozi, i ka dorëzuar dje në mëngjes kreut të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, emrin e kandidatit të shumicës për President, Xhezair Zaganjori. Pas takimit të zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit para seancës, Ruçi e ka refuzuar kandidaturën e Zaganjorit duke e quajtur atë si të njëanshme dhe si një noter të maxhorancës. Si e tillë, socialistët në Kuvend kanë shprehur qëndrimin kundër kësaj kandidature.

Gazmend Oketa: “Seancë bosh, vlerësoj Zaganjorin”
Kryetari i Komisionit nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, shprehet se dje u zhvillua një seancë e xhiruar bosh kur nuk u votua për Presidentin e ri. “Do ta konsideroja një seancë të xhiruar bosh për faktin se seanca ishte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pavarësisht se nga zhvillimet e ditëve të fundit nuk pritej që kjo seancë do të konkludonte me zgjedhje. Vëmendja kryesore u përqendrua në diskutime të tjera dhe pak vëmendje iu kushtua çështjes së zgjedhjes së Presidentit. Me sa njohuri dhe informacion kam, ndaj konsideratat më të mira për zotin Zaganjori dhe momentalisht ne nuk kemi një kandidaturë zyrtare, kemi vetëm emra që përfliten si kandidatë për të qenë kandidatë”, tha Oketa.

Zaganjori drejt raundit të dytë

Krerët e maxhorancës do të vazhdojnë të mbështesin emrin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese

Xhezair Zaganjori

Kontakte me opozitën për të tentuar konsensusin me 84 vota
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhe-zair Zaganjori, do të jetë kandidat i koalicionit të djathtë edhe për raundin e dytë të votimit, që pritet të zhvillohet ditën e hënë.
Burime nga maxhoranca bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se funksionarë të lartë të shumicës parlamentare kanë kontaktuar gjatë ditës së djeshme me ish-ambasadorin e Shqipërisë në Gjermani dhe i kanë garantuar atij se do të vazhdojë të jetë në garë për postin më të lartë të shtetit. Paraditen e djeshme, pak minuta para se Kuvendi të mblidhej për ta quajtur të ezauruar raundin e parë të votimit, Zaganjori ka zhvilluar një takim në një nga baret pranë Gjykatës Kushtetuese me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Mësohet gjithashtu se Zaganjorit i është premtuar nga maxhoranca që kandidatura e tij të marrë edhe mbështetjen e opozitës në Parlament gjatë dy raundeve të ardhshme, në mënyrë që të zgjidhet me 84 vota. Në rast se shumica dhe opozita nuk arrijnë të gjejnë konsensusin brenda tri raundeve të para, lista e maxhorancës pritet të zgjerohet. Burimet bëjnë të ditur se në rast se Kuvendi do të shkojë në votim në raundin e katërt, Xhezair Zaganjori nuk do të jetë më kandidatura e vetme. Nuk përjashtohet mundësia që emra të tjerë t’i bashkohen listës së kandidatëve.
Takimet
Pas konsumimit të raundit të parë, forcat politike në Parlament do të kenë në dispozicion edhe katër ditë për të gjetur konsensusin deri ditën e hënë. Zyrtarë të lartë të maxhorancës konfirmojnë për gazetën se kontaktet me opozitën nuk do të mungojnë gjatë këtyre ditëve dhe një tjetër takim mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi e Gramoz Ruçi, mund të zhvillohet. Megjithatë, ai që do të mungojë edhe këtë herë duket se do të jetë takimi mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe gjatë deklaratave të djeshme, krerët e dy partive më të mëdha konfirmuan qëndrimet e artikuluara më parë, ku lideri i PD-së e vlerësoi si të panevojshëm një takim të tillë, ndërsa Rama tha se duhet të mbahet një tryezë e të gjitha partive parlamentare.

 

Propozimet
Në Komisionin e Ligjeve u shpërnda dje për deputetët edhe një propozim i shoqërisë civile, i cili mbante 15 firma, mes të cilave edhe Aurela Anastasi, Iris Luarasi dhe Altin Hazizaj, në të cilin thuhet se “bazuar mbi vlerat dhe cilësitë që shoqëria civile përmblodhi dhe prezantoi përpara jush në kuadër të procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për President, gjeni bashkëngjitur emrat e dy personaliteteve që ne mendojmë se i plotësojnë më së miri këto vlera e cilësi: Valdete Sala, veprimtare e shquar e shoqërisë civile; Sokol Sadushi, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese”.

“PS do të ndryshojë qëndrim”
Në përfundim të raundit të parë të votimit për Presidentin e ri, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, theksoi se “sinjalet pozitive nuk kanë munguar nga ana jonë për tri pikat, por ne sot ishim mbledhur për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ajo që mbetet për t’u parë është qëndrimi i palës tjetër. Theksoj, jo vetëm për shkak të Këshillit Politik të mbledhur sot, besoj që opozita do të ridimensionojë qëndrimin e saj për Presidentin dhe vendin”.

Berisha: Kandidati, me cilësi të larta, do vazhdojmë procesin
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka konfirmuar dje gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, Zsolt Nemeth, se maxhoranca do të vazhdojë të mbështesë në raundet e tjera të votimit kandidaturën e Xhezair Zaganjorit për postin e Presidentit. Kryeministri Berisha ka theksuar gjatë takimit me diplomatin hungarez se procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit do të zhvillohet në frymën dhe germën e Kushtetutës. Gjithashtu Berisha gjatë takimit me zotin Nemeth ka deklaruar se kandidatura e propozuar nga shumica parlamentare ka cilësi të lartë dhe për arritjen e konsensusit me opozitën. “Kryeministri e njohu zotin Nemeth me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri u shpreh se maxhoranca ka propozuar kandidaturë me cilësi shumë të lartë për arritjen e konsensusit dhe siguroi se procesi do të vazhdojë drejt përmbushjes së qëllimit kushtetues, në përputhje të plotë me frymën dhe germën e Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Berisha e cilësoi integrimin europian si prioritetin kryesor të vendit dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar dhe përmbyllur të gjitha reformat e nevojshme në këtë drejtim.

Debat për datën e raundit të dytë në Konferencën e Kryetarëve

Maxhoranca kërkon 1 qershorin, opozita në 5 qeshor

Konferenca e Kryetarëve

Parlamenti do të vendosë sot në seancë plenare datën se kur do të zhvillohet raundi i dytë i votimit për zgjedhjen e Presidentit. Konferenca e Kryetarëve nuk ka mundur të miratojë dje me konsensus datën e zhvillimit në Parlament të raundit të dytë të votimit për kreun e shtetit. Në përfundim të takimit, krerët e grupeve kanë refuzuar të flasin për mediat, por sipas zyrës së shtypit të Kuvendit mësohet se palët janë ndarë në qëndrime dhe për këtë arsye raundin e dytë do e caktojë seanca plenare. Burime pranë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve bënë të ditur për “Panorama” se demokratët fillimisht kanë propozuar që votimi i dytë të bëhej ditën e premte, datë 1 qershor, por kjo është kundërshtuar nga PS. Nga ana e tyre, kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi ka paraqitur si opsion ditën e martë, datën 5 qershor, por kjo është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e maxhorancës. Mësohet se një ndër argumentet e përdorur në Konferencën e Kryetarëve kundër ditës së martë, ka qenë dhe fakti se kjo ditë konsiderohet si ditë tersi. Ndërkaq mësohet se vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka hedhur një propozim që brenda një dite mund të realizoheshin dy raunde votimi. “Më informon sektori shkencor i Kuvendit se është e mundshme që raundet të zhvillohen edhe ditë pas dite e, nëse nuk ka kandidatë, atëherë ato quhen si të vlefshme”, është shprehur Topalli. Por ky propozim është hedhur poshtë nga PS-ja, që ka insistuar për datën 5 qershor. Në përfundim të mbledhjes, Konferenca e Kryetarëve është mbyllur me dy qëndrime, për t’ia lënë vendimmarrjen përfundimtare Parlamentit. “Në konferencë u morën në shqyrtim të gjitha opsionet e mundshme që lejon Rregullorja dhe, në përfundim, shumica e anëtarëve të Konferencës mbështetën propozimin që raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e hënë, dt. 04.06.2012, ora 10:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Fyle: Presidenti të zgjidhet me frymën e konsultimeve
Bashkimi Europian është duke ndjekur nga afër procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në vendin tonë. Këtë e bëri të ditur dje komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, në një prononcim për mediat. “Po i ndjek nga shumë afër zhvillimet në Shqipëri, sidomos ato që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit. I përmbahem tërësisht deklaratave që kam bërë gjatë vizitës së para disa kohëve në Tiranë. Eshtë tërësisht në dorën e partive politike, mazhorancës dhe opozitës të parandalojnë çdo problem në zgjedhjet e presidentit dhe ta zgjedhin atë në përputhje me frymën e konsultimeve dhe angazhimeve që kanë marrë për progresin europian. Kam besim të plotë që politika në Tiranë do të bëjë të pamundurën të përmbushë angazhimet e ndërmarra në paketën e nëntorit”, tha Fyle. Sipas tij, “drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit, Sefano Sanino, do të vizitojë së shpejti Tiranën, në mënyrë që të shohë nëse ne mund të bëjmë diçka për të arritur këtë kilometër të fundit për zbatimin e marrëveshjes së nëntorit, që përpjekjet të mos digjen dhe të gjendet një zgjidhje”.

FATION BINJAKU & ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura