Zëri i qytetarit

May 31, 2013 | 13:02
SHPËRNDAJE

ARDIAN VEHBIU

Replikë me shkrimin e Mark Markut: “Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës”

Në një shkrim të botuar te “Panorama”, më dt. 30 maj 2013, me titullin “Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës”, Mark Marku ngre, mes të tjerash, çështjen e raportit mes diskursit ekspert (në këtë rast mjekësor) dhe atij qytetar, në kontekstin e debatit publik, duke marrë shkas nga një ndërhyrja ime polemike me një shkrim të mëparshëm të prof. Myftar Barbullushit, për çështje të testimit masiv të burrave për kancerin e prostatës.
Polemika e Markut është me interes, edhe pse ngrihet mbi një premisë të rreme: unë shkrimin në fjalë e pata nxjerrë thjesht në blogun “Peizazhe të Fjalës”, i cili ka edhe natyrë personale, meqë i ngjan një ditari; dhe ku unë ia lejoj vetes të shprehem për çështje nga më të ndryshmet, që më interesojnë jo vetëm si specialist i fushës sime, por edhe si qytetar dhe njeri.
Shoh se Marku i referohet shkrimit që ka dalë “në një të përditshme shqiptare”; për fat të keq, kjo e përditshme e ka marrë shkrimin tim pa leje nga blogu, dhe e ka botuar pa më pyetur mua; duke e nxjerrë nga konteksti dhe duke ia shtrembëruar efektin.
Përtej këtij keqkuptimi, dua të vërej se nuk pajtohem me pozicionin e Markut, sipas të cilit mendimin e një eksperti, të shprehur në publik dhe në një media që i drejtohet lexuesit të zakonshëm, mund ta kundërshtojë vetëm një ekspert tjetër i po asaj fushe.
Në shkrimin e vet, dr. Barbullushi u drejtohej qytetarëve; dhe besoj nuk do të habitej sikur qytetarët t’i përgjigjeshin; madje do të mirëpriste një dialog të tillë, që do të ishte në interes të përbashkët. Është konteksti i debatit që e përcakton pjesëmarrjen, jo ekspertiza e pjesëmarrësve.
Një nga aspektet themelore të marrëdhënies moderne të mjekut me pacientin, ka të bëjë me nevojën, madje domosdoshmërinë, që pacienti të jetë sa më i informuar për sëmundjen e vet, shqetësimin, mjekimin që merr, testet diagnostikuese, rreziqet e tyre dhe alternativat.
Qëlloi që në shkrimin e vet, dr. Barbullushi u rekomandonte lexuesve të vet t’i nënshtroheshin një procedure e cila, tani vonë, në SHBA, është kundërshtuar dhe zhvlerësuar nga shumë institucione mjekësore me autoritet në këtë fushë, të cilat e kanë lajmëruar këtë zhvlerësim në të gjitha mediat publike, përfshi gazetat e mëdha si The New York Times dhe televizionet kombëtare; dhe pikërisht me synimin për të informuar publikun e interesuar.
Në SHBA, pra, ky diskutim për testin në fjalë është zhvilluar haptazi në media, dhe opinionet e organizatave dhe institucioneve në fjalë janë gjerësisht të konsultueshme në faqet e tyre përkatëse në Internet.
Me sa duket, ka të dhëna të mjaftueshme që testi mund të shkaktojë më shumë probleme, sesa të shpëtojë jetë njerëzish. Këto të dhëna nuk i kam zbuluar gjë unë, as i kam mbledhur me rrugë anekdotike ose nga eksperienca ime personale, as i kam qëmtuar në revistat mjekësore; por i kam mësuar duke kryer detyrën time si qytetar, për t’u informuar në lëmin mjekësor, nëpërmjet mediave me natyrë publike dhe të përgjithshme.
Është njëlloj e drejta ime, si qytetar dhe pacient i mundshëm, që të diskutoj për këto çështje me mjekun; sepse marrëdhënia mjek-pacient është gjithnjë e dyanshme – në kuptimin që, pa rolin aktiv të pacientit dhe të qytetarit në këtë marrëdhënie, mjeku do të përfundonte në veteriner.
Në shkrimin tim, e përsërit, të botuar në blog dhe pa bujë, unë në asnjë rast nuk merrja përsipër rolin e mjekut; përkundrazi, theksoja se, në pajtim edhe me opinionin e autoriteteve të fushës në SHBA (ku jetoj), çështje të tilla si testimi për kancerin e prostatës duhet të diskutohen individualisht me mjekun, dhe jo të zgjidhen me fushata masive, si ajo që këshillonte dr. Barbullushi, i cili i ftonte qytetarët të shkonin të testoheshin më 23 qershor, në vend që të votonin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura