Zbulohet urdhri i ministrit Demiraj, Policia e Garda ndalohen të bëjnë…

Jun 5, 2017 | 10:19
SHPËRNDAJE

Ndryshe nga pjesa tjetër e administratës publike, të cilët nuk pengohen të marrin pjesë në fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Gardës së Republikës e kanë të ndaluar, shkruan “Panorama”.

demiraj

Me anë të një udhëzimi që përcakton saktësisht rolin dhe detyra e punonjësve të Policisë e të Gardës, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, u kujton atyre se janë të depolitizuar.

Madje, ashtu siç deklaroi edhe ditën e tij të parë në detyrë, Demiraj citon ligjin, duke thënë se shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim.

“Cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përshihet në fushata duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale”, theksoi Demiraj gjatë takimit të parë që pati me drejtuesit e lartë të Policisë.

Ndërsa në udhëzim ai saktëson se punonjësit e Policisë e të Gardës së Republikës nuk mund të përfshihen në fushatën zgjedhore, edhe pasi të kenë përfunduar orarin zyrtar të punës së tyre.

UDHEZIMI

Prioriteti kryesor i ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj, ndër tre objektivat e mandatit të tij janë zgjedhjet e 25 qershorit. Në takimin e tij të parë si kreu i këtij dikasteri me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, dhe drejtues të tjerë të Policisë, Demiraj paralajmëroi masa të ashpra, deri në burgim, për çdo punonjës Policie që do të influencojë në mbështetjen e ndonjë partie politike.

Ndërsa, së fundmi, ai ka shpërndarë një udhë- zim, ku sqaron konkretisht se çfarë u ndalohet punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës. Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet të jetë anëtar i një partie ose organizate politike, si dhe të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.

Kurse punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës, si dhe anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike. Në udhëzim citohet edhe Neni 116 i Rregullores së Policisë, që flet për rrjetet sociale, në bazë të të cilit efektivëve u ndalohet të shprehin qëndrime politike.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura