Zbulohet raporti për reformën kushtetuese: Parlamenti me dy Dhoma, krijohet Senati

Aug 31, 2014 | 9:58
SHPËRNDAJE

Gjatë nje debati në Parlament

Reforma kushtetuese duhet të fokusohet te dështimet e Kushtetutës së vitit 1998 dhe te paaftësia e Parlamentit për të ushtruar mbikëqyrje të vërtetë mbi qeverinë. Konstitucionalistë të njohur të fushës si Kristaq Traja, Gent Ibrahimi, Viktor Gumi, Aurela Anastasi, Luan Omari, Sokol Sadushi dhe Arta Vorpsi kanë hartuar një raport prej 19 faqesh për fondacionin “SOROS”, ku hedhin piketat se ku duhet të ndërhyhet në ligjin themeltar të shtetit, por edhe në reformën në sistemin e drejtësisë.

RAPORTI
Sipas konstitucionalistëve, ligjvënësit duhet të kenë parasysh nenet e Kushtetutës, të cilat nga viti 1998 nuk e kanë përmbushur objektivin për të cilin u përfshinë në ligjin themeltar të shtetit. “Grupi i parë i ndërhyrjeve duhet të lidhet me dështimin e Kushtetutës së 1998-s për të izoluar sa dhe si duhet institucionet e pavarura nga ndikimi i shumicës politike në Parlament dhe qeveri. Një tjetër drejtim i ndërhyrjeve amenduese justifikohet dhe përcaktohet nga paaftësia e Parlamentit për të ushtruar një mbikëqyrje të vërtetë dhe të efektshme mbi qeverinë”, thuhet në raportin e SOROS. Në funksion të forcimit të rolit të Parlamentit propozohet krijimi i dy Dhomave, ku e para do të ketë funksionet që ka edhe aktualisht, ndërsa Dhoma e dytë do të jetë Senati. “Idetë paraprake në këtë rrafsh përfshijnë qartësimin e kompetencave hetimore të Parlamentit, forcimin e procedurave të tjera parlamentare të kontrollit, ose bikameralizmin (parlamenti dydhomësh). Formula e Parlamentit dydhomësh në veçanti bën të mundur që Dhoma e lartë e Parlamentit, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve në kohë të ndryshme dhe ndryshimit të pjesshëm të përbërjes së saj, tipikisht të kontrollohet nga forca politike kundërshtare me qeverinë. Për pasojë, kontrolli mbi qeverinë bëhet më i natyrshëm”, thuhet më tej në dokument. Sipas ekspertëve, krijimi i Senatit do të sjellë përmirësimin e procesit ligjvënës dhe atë të zgjedhjes së funksionarëve të lartë të shtetit. Konstitucionalistët vlerësojnë se përfshirja e Dhomës së dytë në emërimin e gjyqtarëve të lartë e kushtetues mund të ndikojë për një mbështetje më të gjerë të tyre dhe të mundësojë pavarësi reale dhe nga maxhoranca që i votoi. “Zgjedhja e tyre edhe nga Senati (Dhoma e dytë) do t’u jepte anëtarëve të këtyre gjykatave të larta besueshmërinë e munguar, pasi përjashtimi partiak i kandidaturave ose sugjerimeve të opozitës evitohet vetvetiu, për shkak të përbërjes së Senatit që tipikisht është e ndryshme nga ajo e Dhomës së ulët të Parlamentit”, thekson grupi i ekspertëve. Një pikë e rëndësishme e këtij raporti është edhe mënyra se si duhet të ecë procesi i ndryshimeve kushtetuese. Sipas juristëve, “procesi i amendimit duhet të karakterizohet nga po ai solemnitet dhe nivel i përfshirjes si dhe procesi për hartimin e Kushtetutës. Fjala kyçe duhet të jetë gjithëpërfshirja. Kjo nënkupton jo vetëm përfshirjen e të gjithë spektrit politik (brenda dhe jashtë Parlamentit), por edhe atë të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Përfshirja e opozitës politike është e një rëndësie të veçantë. Kujtojmë se mungesa e opozitës së kohës në procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës aktuale (ndonëse e ftuar dhe e mirëpritur) paracaktoi qëndrimin e saj armiqësor dhe sabotues ndaj Kushtetutës në vijimësi”.

RAPORTI I SOROS
Grupi i parë i ndërhyrjeve duhet të lidhet me dështimin e Kushtetutës së 1998-s për të izoluar sa dhe si duhet institucionet e pavarura nga ndikimi i shumicës politike në Parlament dhe qeveri. Krizat sistematike që janë vërtetuar në raportet e Parlamentit me prokurorin e Përgjithshëm, kriza në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, vështirësitë e përsëritura në procesin e emërimit të anëtareve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, paqartësitë në lidhje me të drejtën e Parlamentit për të ushtruar kontroll përmes komisioneve hetimore dhe kufijtë e natyrshëm të kësaj veprimtarie, janë vetëm disa nga shembujt e shumtë që ofron kronika kushtetuese e këtyre viteve në mbështetje të këtij konstatimi.

Një tjetër drejtim i ndërhyrjeve amenduese justifikohet dhe përcaktohet nga paaftësia e Parlamentit për të ushtruar një mbikëqyrje të vërtetë dhe të efektshme mbi qeverinë. Pothuaj të gjithë përdoruesit, vëzhguesit dhe analistët e sistemit tonë kushtetues, bashkohen në vlerësimin se në gjithë këto vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, Kuvendi nuk ka qenë veçse një noter i veprimtarisë së qeverisë, duke i mohuar kështu shoqërisë kryerjen e një funksioni jetik në demokraci (mbikëqyrja parlamentare).

Idetë paraprake në këtë rrafsh përfshijnë qartësimin e kompetencave hetimore të Parlamentit, forcimin e procedurave të tjera parlamentare të kontrollit, ose bikameralizmin (parlamenti dydhomësh). Formula e Parlamentit dydhomësh në veçanti bën të mundur që Dhoma e lartë e Parlamentit, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve në kohë të ndryshme dhe ndryshimit të pjesshëm të përbërjes së saj, tipikisht të kontrollohet nga forca politike kundërshtare me qeverinë. Për pasojë, kontrolli mbi qeverinë bëhet më i natyrshëm.

Si efekte pozitive të bikameralizmit, ekspertët evidentojnë edhe përmirësimin e procesit ligjvënës dhe të procesit për zgjedhjen e funksionarëve më të lartë të shtetit. Përfshirja e Dhomës së dytë në emërimin e gjyqtarëve të lartë e kushtetues mund të ndikojë për një mbështetje më të gjerë të tyre dhe të mundësojë pavarësi reale dhe nga maxhoranca që i votoi. Zgjedhja e tyre edhe nga Senati (Dhoma e dytë) do t’u jepte anëtarëve të këtyre gjykatave të larta besueshmërinë e munguar, pasi përjashtimi partiak i kandidaturave ose sugjerimeve të opozitës evitohet vetvetiu, për shkak të përbërjes së Senatit që tipikisht është e ndryshme nga ajo e Dhomës së ulët të Parlamentit.

Pavarësisht nga thellësia dhe gjerësia e ndërhyrjes në dokumentin themeltar, procesi i amendimit duhet të karakterizohet nga po ai solemnitet dhe nivel i përfshirjes si dhe procesi për hartimin e Kushtetutës. Fjala kyçe duhet të jetë gjithëpërfshirja. Kjo nënkupton jo vetëm përfshirjen e të gjithë spektrit politik (brenda dhe jashtë Parlamentit), por edhe atë të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.

Përfshirja e opozitës politike është e një rëndësie të veçantë. Kujtojmë se mungesa e opozitës së kohës në procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës aktuale (ndonëse e ftuar dhe e mirëpritur), paracaktoi qëndrimin e saj armiqësor dhe sabotues ndaj Kushtetutës në vijimësi.

Sa i takon procesit të diskutimeve dhe hartimit, është e këshillueshme që procesi të mos administrohet drejtpërdrejt nga qeveria, ndonëse asaj do t’i duhet ta mbështesë financiarisht dhe me logjistikë. Krijimi një komisioni të posaçëm parlamentar ku shumica dhe pakica parlamentare të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, mund të ishte një pikënisje e mirë.

Procesi vendimmarrës për ndryshimin e Kushtetutës është i rregulluar në Kushtetutë dhe mund të zhvillohet në tri mënyra: Mënyra e parë është një proces i pastër parlamentar ku mbështetësit e reformave sigurojnë shumicën kushtetutëbërëse prej 93 votash në Kuvend dhe i votojnë amendamentet. Në këtë mënyrë u procedua për ndryshime e vitit 2008; mënyra e dytë është votimi në Kuvend me të paktën 93 vota dhe hedhja e amendamenteve në referendum nga po ajo shumicë që i miratoi ato (amendamentet) në Kuvend; mënyra e tretë është përsëri votimi në Kuvend me të paktën 93 vota dhe hedhja e amendamenteve në referendum nga një pakicë e së paku një të pestës së 140 deputetëve (28 syresh).

Miratimi, tri mënyrat për të votuar Kushtetutën
Juristët që kanë hartuar raportin e SOROS gjykojnë se qeveria duhet të qëndrojë jashtë procesit të rishikimit të Kushtetutës, por vetëm të ndihmojë komisionin e posaçëm parlamentar financiarisht. “Sa i takon procesit të diskutimeve dhe hartimit, është e këshillueshme që procesi të mos administrohet drejtpërdrejt nga qeveria, ndonëse asaj do t’i duhet ta mbështesë financiarisht dhe me logjistikë. Krijimi i një komisioni të posaçëm parlamentar ku shumica dhe pakica parlamentare të përfaqësohen në mënyrë të barabartë mund të ishte një pikënisje e mirë”, thekson raporti i SOROS. Ekspertët gjykojnë se miratimi i amendamenteve duhet bërë me një nga tri mënyrat që ata propozojnë. “Procesi vendimmarrës për ndryshimin e Kushtetutës është i rregulluar në Kushtetutë dhe mund të zhvillohet në tri mënyra: Mënyra e parë është një proces i pastër parlamentar ku mbështetësit e reformave sigurojnë shumicën kushtetutëbërëse prej 93 votash në Kuvend dhe i votojnë amendamentet. Në këtë mënyrë u procedua për ndryshimet e vitit 2008; mënyra e dytë është votimi në Kuvend me të paktën 93 vota dhe hedhja e amendamenteve në referendum nga po ajo shumicë që i miratoi ato (amendamentet) në Kuvend; mënyra e tretë është përsëri votimi në Kuvend me të paktën 93 vota dhe hedhja e amendamenteve në referendum nga një pakicë e së paku një të pestës së 140 deputetëve (28 syresh)”.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura