Zbulimi amerikan dhe shqetësimi europian

Oct 31, 2013 | 13:03
SHPËRNDAJE

QEMAL LAME

  Veprimtaria e zbulimit të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është bërë temë kryesore e medias europiane dhe asaj botërore. Reagimet shtetërore u bënë zyrtare pas publikimit të përgjimit të komunikimit elektronik telefonik në më shumë se 80 shtete dhe të 35 kryetarëve shtetesh.
Zbulimi amerikan përgjon, informon dhe merr masat e nevojshme, si edhe shtetet e tjera.
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson shqetësimet e krijuara në disa shtete dhe premton se do të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë së shërbimit të fshehtë informativ për survejimin dhe dëgjimin e bisedave telefonike, përfshirë edhe 35 kryetarë shtetesh, siç është bërë e ditur, në intervistën e dhënë nga këshilltarja për sigurinë e Presidentit amerikan, Lisa Monaco, të publikuar më 25 tetor 2013, në gazetën “USA Today”. Obama ka urdhëruar kontrollin edhe “në respekt të partnerëve tanë të jashtëm”.  
Presidenti Obama ka sqaruar mbi veprimtarinë në bazë të rregullave rigoroze të zbulimit të fshehtë amerikan, si dhe ka siguruar për kontrollin që do të bëhet për të verifikuar shqetësimet e krijuara në qeverinë franceze gjatë vizitës së tij në Francë. Në Gjermani u shkaktuan ndjenja zhgënjimi nga njoftimet e bëra në revistën “Der Spiegel”, të mërkurën, më 23 tetor 2013, se që nga viti 2002 është dëgjuar rregullisht telefoni i kancelares Merkel, deri pak kohë se të bëhej ky njoftim publik.  
Obama e ka sqaruar dhe siguruar personalisht Merkelin, se nuk ka pasur dijeni më parë për këtë përgjim, dhe po të kishte pasur dijeni, do të kishte urdhëruar të ndërpritej. Ai i ka kërkuar të falur në një bisedë telefonike të bërë midis tyre, menjëherë të mërkurën pasdite, pas publikimit të këtij njoftimi.  
Nga disa të dhëna të publikuara thuhet se Obama ka pasur dijeni më parë për këtë përgjim. Në një artikull të gazetës “Bild” njoftohet se drejtori i NSA, Aleksandër Keth, e ka vënë në dijeni Presidentin Obama që në vitin 2010 për përgjimin e telefonit të Merkelit, por ai nuk ka urdhëruar ndërprerjen e këtij veprimi. Zëdhënësja e NSA, Vanee Vines, rithekson raportimin e bërë: “BamS-Bericht”. Aleksandër Keth ka raportuar dhe biseduar me Obamën për operacionet që zhvilloheshin, “gjithashtu ai ka biseduar për operacionet aktuale dhe ka theksuar se përfshihet edhe kancelarja Merkel. Shtëpia e Bardhë refuzon marrjen e këtij raporti. Shtëpia e Bardhë sqaron se deri në korrik 2013, Obama nuk ka pasur dijeni për përgjimin.
Zyrtarisht bëhet e ditur nga Departamenti i Shtetit se është e nevojshme të sqarohet marrja e informacioneve dhe përdorimi i tyre. Do të kërkohet që të ketë më shumë rregull në zbatimin e kritereve të përgjimit, të mbledhjes së informacioneve, të cilat janë të nevojshme, si dhe të bashkëpunimit me partnerët e tjerë perëndimorë. Për këto kritere, Amerika është dhe do të tregojë më shumë përgjegjshmëri.
Amerika deklaron se në veprimtarinë e zbulimit të fshehtë ka rregulla më të rrepta se në vendet e tjera.
Departamenti i Shtetit siguron se shërbimi i fshehtë amerikan nuk vepron në mënyrë të pakufizuar. “Ne nuk dëgjojmë çdo bisedë telefonike dhe nuk lexojmë çdo e-mail”. Edhe në veprimtarinë e NSA ka kritere dhe rregulla juridike të normuara, të cilat përcaktojnë dhe vënë kufizimet e domosdoshme.
Megjithatë, të dhënat e publikuara tregojnë se ka shumë shqetësime dhe akuza për shkeljen e të drejtave të fshehtësisë së personave, deri edhe te kryetarë shtetesh, ndër të cilët edhe partnerë të ngushtë.
Krahas rregullave të rrepta amerikane të dëgjimeve telefonike dhe leximit të postës elektronike, përcaktohen edhe kriteret e përdorimit të informacioneve dhe të burimeve të marra nga zbulimi i fshehtë. Këto norma praktike, arsyetohet se zbatohen edhe në shtete të tjera. “Nuk është sekret se ne mbledhim informacione mbi çfarë ndodh në botë, që shtetasit tanë, aleatët tanë dhe atdheun tonë ta mbrojmë”. Kështu veprohet përafërsisht nga çdo zbulim i fshehtë në botë. Në SHBA ka më shumë kërkesa ligjore për informacionin, shkruan këshilltarja e Obamës: Zbulimet e fshehta në Shtetet e Bashkuara kanë rregulla më të rrepta në krahasim me shërbime të tjera “në çdo vend tjetër” që njeh historia.
Këshilltarja e Obamës mbron punën e zbulimeve të fshehta amerikane, duke theksuar se ato “bëjnë një punë të jashtëzakonshme”. Kontributi dhe vetëflijimi i tyre i shërben plotësimit të masave të marra për sigurinë kombëtare, për arsyet e njohura në Shtetet e Bashkuara, pas goditjeve terroriste më 11 shtator 2001. Dhe kështu do të veprohet edhe në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, do të mblidhen të dhënat që janë të domosdoshme, për të plotësuar detyrimet për sigurinë tonë dhe të aleatëve tanë. Përgjimet mbrojnë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët europianë.
Për të forcuar më tej masat goditëse dhe parandaluese, mendohet se Amerika do të bëjë përgjime edhe pa miratimin e gjykatës, në rastet e terrorizmit.   
Amerika po reagon edhe kundër akuzave të bëra. Më të pakënaqur shprehen politikanët republikanë dhe i bëjnë thirrje Presidentit Obama që të mos vazhdojë më tej me shfajësime për përgjimet nga NSA.
Në sqarim të kritikave të bëra nga Franca dhe Gjermania, theksohet se edhe ato bëjnë përgjime. Francezët nuk duhet të qëndrojnë si mbretër, të mos shkaktojnë stuhi, por të qëndrojnë në heshtje dhe të mos betohen se nuk bëjnë përgjime. “Ata kanë ndërmarrë përgjime të drejtpërdrejta kundër Amerikës në politikë dhe në industri. Kur bëhen akuza për përgjime, edhe Gjermania të mos marrë pozicionin e mbretit. Është provuar se edhe Gjermania përgjon, siç u vërtetua edhe në atentatin e 11 shtatorit 2011, ku ka qenë një nga atentatorët. Veç kësaj, Gjermania, si dhe shtete të tjera europiane, kanë realizuar “marrëdhënie biznesi me Iranin, Irakun dhe me Korenë e Veriut”. “Ne nuk veprojmë që të dëmtojmë Gjermaninë, por të marrim informacione të rëndësishme. Dhe këto nuk na ndihmojnë vetëm neve, por posaçërisht edhe Europën”.
Zbulimi i fshehtë amerikan bashkëpunon edhe me disa nga shtetet e tjera partnere.
Krahas Gjermanisë, edhe në Francë kanë qenë të dukshme shqetësimet dhe dyshimet për aktivitet të spiunazhit amerikan. Megjithatë, sipas njoftimeve të NDR dhe të gazetës “Der Süddeutschen Zeitung”, Franca bashkëpunon me shërbimin e fshehtë amerikan dhe atë britanik dhe dërgon sistematikisht informacione.   
Para pak kohësh,     qeveria franceze ka nënshkruar një marrëveshje me zbulimin e fshehtë amerikan dhe atë britanik, me emrin e koduar Codenamen “Lustre”, të quajtur marrëveshja e treshes, me bashkësinë e zbulimit të fshehtë “Five Eyes”. Kjo bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Snouden.
Bashkësia është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në të përfshihen SHBA, Britania e Madhe, Zelanda e Re, Australia dhe Kanadaja.
Nga njoftimet e publikuara bëhet e ditur se krahas Francës, edhe Izraeli, Suedia dhe Italia kanë nënshkruar këtë marrëveshje me zbulimin e fshehtë amerikan dhe britanik.
Gjermania, del se, deri tani nuk ka marrëveshje me këtë bashkësi. Krahas marrëdhënieve të ngushta të partneritetit të Amerikës me Gjermaninë, mendohet se marrëveshja nuk është arritur akoma për shkak të interesave të njëanshme amerikane dhe të konkurrencës që ndien nga gjermanët.
Në Samitin e Bashkimit Europian, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i  Francës, Fransua Holande, kërkuan nga Presidenti Barak Obama që t’i jepet fund spiunazhit midis partnerëve të ngushtë. Franca dhe Gjermania deklaruan qartë në Bruksel se deri në fund të dhjetorit 2013 synojnë dhe shpresojnë të normohen konkretisht rregullat e bashkëpunimit të shërbimeve të tyre të fshehta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përgjimet nuk duhet të dëmtojnë marrëdhëniet e partneritetit.
Shtetet e Bashkuara treguan mirëkuptim e tyre për shqetësimet e krijuara në marrëdhëniet me partnerët e ngushtë që janë prekur nga aktivitetet e zbulimit të fshehtë NSA. Zëdhënësja për politikën e jashtme, Jennifer Psaki, vuri në dukje në Uashington, të premten, më 25 tetor 2013, se të dhënat e marra nga aktivitetet e shërbimit të fshehtë amerikan krijuan shqetësime dhe kritika te shumë partnerë dhe miq. Uashingtoni do të zhvillojë bisedime me shtetet partnere.
Të dhënat e publikuara nga ish-punonjësi i NSA nuk është e drejtë që të ndikojnë në bashkëpunimin për Sirinë dhe Iranian, ose të pengojnë bisedimet për marrëveshjen për tregtinë e lirë. Kjo do të ishte me të vërtetë një gabim, pohonte Psaki.  
Një delegacion i Bundestagut gjerman do të shkojë javën e ardhshme në Uashington për skandalin e përgjimeve. “Ne mendojmë se do të zhvillohen bisedimet e nevojshme me personat kompetentë në institucionet përkatëse”, tha Psaki, duke pohuar njoftimet e bëra. Nuk njoftohen hollësi për vizitën. Nuk dihet nëse delegacioni gjerman është ftuar nga ana amerikane. Në Berlin është bërë i njohur njoftimi nga zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë, Georg Streiter, se “përfaqësues të lartë të qeverisë” së shpejti do të udhëtojnë për në Uashington dhe do të zhvillojnë bisedime me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe të zbulimit të fshehtë NSA.
Shtetet e Bashkuara duhet që të rishikojnë politikën e tyre si superfuqi dhe të harmonizojnë veprimtarinë e saj edhe me aleatët e ngushtë. Përgjimet kanë shkaktuar pasoja në marrëdhëniet midis Amerikës dhe Bashkimit Europian. Parlamenti Europian nuk miratoi marrëveshjen për zonën e tregtisë së lirë me Amerikën.  
Disa politikanë europianë parashikojnë se bisedimet kanë vështirësi pasi nga Amerika dhe Europa kërkohet prej të dyja palëve besim i madh i përbashkët. Amerika do të duhet të shpjegojë hapur praktikën e përgjimeve. Kjo kërkohet për marrëdhëniet e tanishme, për të ardhmen, si dhe posaçërisht për të kaluarën.
Megjithatë, në Samitin e fundit të Bashkimit Europian, kryetarët e shteteve anëtare shprehën mendimin se përgjimet nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet dhe tregtinë e lirë me Amerikën. Marrëveshja për Tregtinë e Lirë ka interesa të mëdha të dyanshme.  
Rezoluta e përbashkët e Gjermanisë dhe Brazilit në Kombet e Bashkuara.
Gjermania dëshiron që çështjen e përgjimeve të komunikimit elektronik ta bëjë edhe një problem që duhet diskutuar dhe duhet marrë vendim edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Një rezolucion i përbashkët i Gjermanisë dhe Brazilit pritet të bëhet i njohur javën e ardhshme. Sipas njoftimit të Agjencisë së Lajmeve DPA, të premten, më 25.10.2013, rezolucioni do të jetë një masë mbrojtëse për jetën private dhe të drejtat e njeriut, i cili do të paraqitet në komisionin për pyetjet humanitare të Mbledhjes së Përgjithshme të OKB-së.  
Nga të dhënat e diplomatëve në Nju Jork bëhet e ditur se më parë kishte dhënë këtë njoftim magazina “Foreign Policy”.  
Në nëntor 2013 mendohet që të merret në shqyrtim ky rezolucion. Ndërmjet të tjerave, kërkohet që ky projekt-rezolucion të merret si temë edhe nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Përmbajtja e këtij reagimi nuk do të jetë një rezolucion për dyshimet për tentativat për spiunazh kundër telefonit të Merkelit. Ajo do të ketë një synim afatgjatë. Me anë të saj, ndërmjet të tjerave, duhet të bëhet një diskutim për mbrojtjen e komunikimit në sferën shtetërore nga ndërhyrjet e shteteve të tjera dhe të verifikohen të metat në rregullat në fuqi.
Reagimi për një rezolutë është i ekuilibruar. Megjithatë, shqetësimi gjerman mbetet i madh, pasi preket sovraniteti dhe dinjiteti kombëtar. Për këtë arsye, ata do të bisedojnë konkretisht me amerikanët. Tonet më të larta të reagimit gjerman jepen nga ministri i Brendshëm, i cili theksoi se përgjimi është një krim dhe fajtorët duhen dënuar.  Spanja reagon për përgjimet masive, duke vënë në dukje “rrotën e kuqe” në marrëdhëniet me Amerikën.
Lufta globale kundër terrorizmit kërkohet që të mos teprohet dhe të tejkalohen padrejtësisht kufijtë që mbrojnë edhe të drejtat e shtetasve. Potenciali i madh i teknikës elektronike që disponon zbulimi i fshehtë amerikan nuk duhet të bëhet kërcënim për sigurinë e privatësisë së personit dhe të drejtave të njeriut.
Në marrëdhëniet e partneritetit dhe ato atlantike vlerësohet natyrshëm besimi dhe siguria. Partnerët duan të dinë se deri ku shtrihen rregullat amerikane dhe çfarë kriteresh zbatohen ndaj tyre. Prandaj kërkohet besim dhe të mos ketë presion të drejtpërdrejtë ose të maskuar nga pozita e superfuqisë botërore. Sqarimi i problemeve dhe shqetësimeve të krijuara nuk duhet thjeshtëzuar dhe nuk duhet të cilësohet si mosmirënjohje ndaj Amerikës dhe ndihmës që ajo ka dhënë dhe jep.
Popujt e shteteve europiane e kanë të njohur ndjenjën e dashurisë për Amerikën. Por skandalet e publikuara të përgjimit ndikojnë tek ata që nuk e shikojnë me simpati, ose janë kundër politikës amerikane, të kenë argumente më shumë për të ndikuar në opinionin publik të brendshëm dhe të jashtëm, për të dëmtuar marrëdhëniet euroatlantike. Përgjimet e NSA, mundësitë e mëdha teknike, fantazitë dhe forca e pushtetit të madh nuk duhet të bashkohen automatikisht dhe të ndikojnë në marrëdhëniet atlantike. Ngjarje të kësaj natyre ndikojnë edhe në simpatinë që gëzon Obama në popujt europianë. Nuk duhet të nxitin antiamerikanizmin e disa grupimeve të njohura nacionale antiamerikane.
Sqarimet do të ndihmojnë që të mënjanohet humbja e besimit dhe sigurisë së bashkëpunimit dhe miqësisë, të mos ketë dyshime dhe rezerva ndaj njëri-tjetrit, por së bashku të ecet përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura