Zbardhet incidenti me dyer të mbyllura, Rama: Ke bërë burg, Ristani: Je rrugaç !

Sep 30, 2014 | 9:30
SHPËRNDAJE

Komisioni Europian i kërkon Qeverisë e opozitës të rivendosin dialogun politik në Parlament.

Kryeministri: Është dënuar me burg, deputeti i PD: Je rrugaç.

Komisioni Europian i kërkon qeverisë dhe opozitës të rivendosin dialogun politik në Parlament. në përfundim të takimit me dyer të mbyllura Komisioni publikoi konkluzionet e përbashkëta të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.
 “Ai (komisioneri Fule) u kërkoi palëve qeverisë dhe opozitës për të ndërmarrë hapa për të rivendosur dialogun politik në Parlament. Komisioneri shprehu pakënaqësi rreth faktit se takimi i Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian për t’i paraprirë raundit të katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE nuk u realizua për shkak të qëndrimit të opozitës”, thuhet në dokumentin e përbashkët prej 10 pikash. Duke iu referuar institucioneve të pavarura Komisioneri Fule “theksoi se duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, depolitizimin dhe efikasitetin e këtyre institucioneve duke ndjekur rekomandimet e misionit të shqyrtimeve”. Komisioneri Fule theksoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në ecurinë e reformave me ekspertizë dhe mbështetje financiare.
Debati
Tryeza me dyer të mbyllura mes përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe maxhorancës e opozitës nuk ka kaluar pa incidente. Në takim, përfaqësuesit e opozitës, Majlinda Bregu, Eduard Halimi dhe Arben Ristani, ngritën shqetësimin e kriminalizimit të administratës dhe futjen e personave me precedentë penalë në Parlament. Duke folur lidhur me këtë çështje, Kryeministri Rama u shpreh se është gati të ulet me opozitën për të diskutuar hartimin e një platforme për “pastrimin” e Parlamentit. “…Edhe për çështjen e kriminalizimit të Parlamentit, nëse duan të bëjnë sugjerime, një platformë, të ulemi të diskutojmë dhe ku janë e ku s’janë të inkriminuar t’i nxjerrim në qoftë se ka hapësira kushtetuese. Është e vërtetë që ka deputetë me precedentë, por ne kemi parë dëshmitë e penalitetit dhe nuk na rezultonte kjo. Në këtë pikë duhet të jetë dakord dhe deputeti demokrat si jurist dhe gjithashtu si ish i dënuar nga gjykata me disa muaj burg”, u shpreh Rama. Fjalën e ka kërkuar edhe deputeti i PD, Arben Ristani, i cili e ka quajtur provokator dhe rrugaç Kryeministrin. Burime nga deputetët e PD që ishin në takim, saktësojnë se Rama e ka provokuar Ristanin edhe në momentin kur ai po ndizte mikrofonin për të marrë fjalën, “Ou, do flasësh ti! Fol ti pijanec…”, mësohet t’i jetë drejtuar Rama pa mikrofon. Deputeti i PD-së, pasi ka marrë fjalën, e ka nisur pikërisht duke i treguar komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, fjalët që i kishte drejtuar Kryeministri. “Ja, kjo është arsyeja pse ne nuk kemi komunikim normal pozitë-opozitë. Ndërkohë që unë po flas me ju, ky po më shan nga prapa krahëve. Ky Kryeministër rrugaç që ka krijuar gjithë këtë tension. Vjen këtu dhe vetëm gënjen. Me gënjeshtra nuk dalim dot më tutje”, u shpreh Ristani.

Debati në tryezën me Fylen
Edi Rama: Nuk është e vërtetë që ne kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, por opozita duhet të vijë në Parlament për t’i ngritur ato. Ne nuk jemi kundër ngritjes së komisioneve hetimore. Unë kam marrë mandat për të udhëhequr dhe do t’i bëj reformat.
Eduard Halimi: Ne kemi pesë muaj që flasim për shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës, ndërkohë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen nga Kryeministri. Në 10 seanca rresht jam ngritur dhe kam kërkuar ngritjen e komisionit hetimor.
Edi Rama: Ato që kanë ndodhur, kanë ndodhur, në seancën e parë jemi gati të ngremë komisionet hetimore sa të dojë opozita. Edhe për çështjen e kriminalizimit të Parlamentit, nëse duan të bëjnë sugjerime, një platformë, të ulemi të diskutojmë dhe ku janë e ku s’janë të inkriminuar t’i nxjerrim në qoftë se ka hapësira kushtetuese. Është e vërtetë që ka deputetë me precedentë, por ne kemi parë dëshmitë e penalitetit dhe nuk na rezultonte kjo. Në këtë pikë duhet të jetë dakord dhe deputeti demokrat si jurist dhe gjithashtu si ish i dënuar nga gjykata me disa muaj burg
Majlinda Bregu: Ne jemi jashtë Parlamentit sepse opozita nuk ka rrugëdalje si për pjesën e kriminalizimit të Parlamentit, për pjesën e mohimit të komisioneve hetimore, për pjesën e kriminalizimit të administratës. Ne kërkojmë komisione hetimore, këta nuk i ngrenë.
Arben Ristani ndez mikrofonin dhe bëhet gati për të folur.
Edi Rama i flet nga pas: Ou, do flasësh ti! Fol ti pijanec.
Arben Ristani: Ja, kjo është arsyeja pse ne nuk kemi komunikim normal pozitë-opozitë. Ndërkohë që unë po flas me ju, ky po më shan nga prapa krahëve. Ky Kryeministër rrugaç që ka krijuar gjithë këtë tension. Vjen këtu dhe vetëm gënjen. Me gënjeshtra nuk dalim dot më tutje. Sa i përket goditjes fizike të opozitës, nuk bëhet fjalë për gjëra të rastësishme, por për skuadër të projektuar për të qenë në Parlament, me njerëz të dënuar dhe jo me vepra të lehta, por për trafik prostitucioni dhe droge. Në momentin që ju flisni për reforma gjithëpërfshirëse, për të bashkëpunuar dhe ne flasim për njëjtën gjë, ai (Rama) mbledh Parlamentin jashtë sesionit në gusht, kur është në kundërshtim me Kushtetutën. Këtë e bën për të mos konsultuar reformat dhe për të mos gjetur konsensusin.
Stefan Fyle: Unë isha me kryetarin Basha dhe i di problematikat e opozitës. Qëndruam më shumë nga ç’e kishim parashikuar dhe i di problematikat sa i takon shtetit të së drejtës. Megjithatë, unë e kam thënë dhe e porosis që për llojin e opozitës që bëhet, fajin e ka qeveria. Tani të flasim për çështjen e prioriteteve.
Elvis Çefa: Unë paraqes në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimin për kapjen politike që Kryeministri po i bën KLD-së, për sulmin për zëvendësimin e anëtarëve. Ne kërkojmë monitorim dhe ndërhyrje nga ana juaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura