Zbardhen debatet me dyer të mbyllura në Grupin e PS, Malaj e Braçe kundër Ramës

May 31, 2012 | 11:58
SHPËRNDAJE

Rama ne mbledhjen e grupit te PS

Nënkryetari i Grupit, Erjon Braçe: PD na shpërfilli me tryezën e saj, kush negocion për PS?

Rama: Na sillni emra. Malaj: Kjo është qesharake.

Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar socialist është përfshirë nga debatet mes deputetëve dhe kreut socialist Rama. Kryetari socialist, i cili drejtoi mbledhjen e djeshme, është vënë para akuzave kur Erjon Braçe e ka cilësuar pozitën e PS në negociatat për Presidentin të shpërfillur. Sipas Braçes, PD dhe aleatët e saj nuk morën parasysh asnjë nga kërkesat e PS për tryezë, takime apo proces për Presidentin e ri. “Me veprimin e bërë dje nga tryeza e partive të maxhorancës PD na ka poshtëruar, as na ka përfillur, por kanë caktuar një kandidat të tyrin, ndërkohë ne kemi kaq kohë dhe me letra që kërkojmë takime dhe negociata. Dua të di kush na përfaqëson në këto negociata”, mësohet t’i jetë drejtuar Braçe kryetarit socialist dje në mbledhjen e Grupit. Ndërsa Rama është përgjigjur se, përveç përfaqësuesve të PS, asnjë forcë tjetër politike apo individ nuk flet dhe negocionin në emër të socialistëve. Deri para pak ditësh, lidershipi i PS priste që LSI të ishte një aleat i fortë i saj që do të detyronte maxhorancën të negocionte me socialistët, ndërsa përfshirja e Metës në tryezën e partive të maxhorancës dhe propozimet e bëra prej LSI-së për President duket se i kanë zbehur shpresat e PS për një rol të tillë, madje kanë sjellë dhe konfuzion. Dje në mëngjes, ditën që do të zhvillohej raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit, kryesocialisti kërkoi nga deputetët e tij të sillnin propozimet e tyre për Presidentin e ri. Ky propozim i Ramës ka ngjallur reagime në sallën e Grupit Parlamentar socialist. Nën zë dhe me zë të fortë, deputetët kanë treguar mosdakordësi për këtë propozim. Anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, e ka cilësuar qesharak dhe tallës këtë propozim të Ramës. “Kjo gjë nuk është serioze dhe kjo tregon se ne vazhdojmë të jemi të papërgatitur edhe në këtë proces, që është procesi i radhës. Nuk po tregohemi seriozë brenda vetes. Që prej 6 muajsh është ngritur një grup pune për Presidentin. Çfarë ka bërë? Parimet janë universale dhe njihen nga të gjithë. Sot na thoni sillni ju emra”, mësohet të jetë shprehur Malaj në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Nga ana e tij, Rama e ka konsideruar të papranuar kandidaturën e Xhezair Zaganjorit për shkak se emri i tij ishte produkt i tryezës së maxhorancës, në një proces ku opozita nuk u ftua që të merrte pjesë.

Debatet në grupin e PS
Edi Rama:
Nga takimi që ka pasur Gramozi me kryetarin e Grupit Parlamentar demokrat Patozi, partitë parlamentare të maxhorancës kanë vendosur emrin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Pala tjetër as na ftoi që të uleshim dhe të diskutonim për emra mbi bazën e një procesi, por në mënyrë të njëanshme nxorën emrin e tyre. Ne nuk mund ta pranojmë këtë emër për mënyrën se si ai është hedhur si kandidaturë ende jo zyrtare. Duke parë dhe reagimin tonë, maxhoranca nuk e kaloi as në Komisionin e Ligjeve. Ne do të marrim një vendim zyrtar për këtë kandidaturë, kur ajo të bëhet zyrtare. Nëse do të bëhet zyrtare sot, ne do të mblidhemi përsëri në ambientet e Kuvendit.
Erjon Braçe: Pasi kemi shpenzuar kohë të gjatë në përpjekje për të ndërtuar një proces ku të vendosnim parimet mbi emrat që do të artikuloheshin, në këtë fazë që kanë hyrë gjërat, ne duhet të jemi të përgatitur të kemi emrat tanë, jo vetëm emra për t’i hedhur në tregun politik, por të diskutuar dhe vendosur bashkërisht në Kryesi dhe Grup. Po shkojmë në raundin e dytë, pasi ky raund për mua konsiderohet i djegur. Duhet të jemi më konkretë përballë kundërshtarëve tanë politikë.
Edi Rama: Ky është një proces që nuk përfundon në raundin e parë, as të dytë. Unë do të propozoja që secili prej jush të sjellë një propozim për kandidatin tonë për President, në mënyrë që ta bëjmë pjesë të diskutimit dhe debatit tonë për ta përballur dhe me kërkesat që Presidenti i ri duhet të përmbushë sipas nesh. Unë do të kërkoja nga të gjithë që të ishin prezentë në seanca, të mos jetë asnjë jashtë shtetit dhe të mos mungojë në seanca deri në zgjedhjen e Presidentit.
Edi Rama-Alfred Dalipit: Pse qesh? Nuk të pëlqen propozimi im?
Arben Malaj: Kjo është shaka?! Ju zoti kryetar, s’mund të talleni me deputetët e Grupit Parlamentar ditën që zhvillohet raundi i parë për Presidentin, t’u kërkosh deputetëve të sjellin emra.
Edi Rama: Unë po kërkoj një proces gjithëpërfshirës, ku secili të ketë të drejtë të propozojë dhe të debatojë rreth emrave. Çfarë ka këtu për tallje?!
Arben Malaj: Kjo gjë nuk është serioze dhe kjo tregon se ne vazhdojmë të jemi të papërgatitur edhe në këtë proces, që është procesi i radhës. Nuk po tregohemi seriozë brenda vetes. Që prej 6 muajsh është ngritur një grup pune për Presidentin. Çfarë ka bërë? Parimet janë universale dhe njihen nga të gjithë. Sot na thoni sillni ju emra.
Erjon Braçe: Me veprimin e bërë dje nga tryeza e partive të maxhorancës PD na ka poshtëruar, as na ka përfillur, por kanë caktuar një kandidat të tyrin, ndërkohë ne kemi kaq kohë dhe me letra që kërkojmë takime dhe negociata. Dua të di kush na përfaqëson në këto negociata.
Edi Rama: Nuk ka ndërmjetës në procesin që duam të ngremë, është vetë PS që e kërkon një gjë të tillë dhe asnjë forcë tjetër.

Rama: Procesi është krejtësisht i njëanshëm

Kreu i PS komenton ofertën e maxhorancës për kandidaturën e Zaganjorit
“Nuk hyjmë në këmbime emrash si të ishin robër lufte”

Kryesocialisti tha dje se procesi i zhvilluar nga maxhoranca për Presidentin që solli në dritë emrin e Xhezair Zaganjorit ishte i njëanshëm, ku opozita ishte e përjashtuar. Duke folur dje në “Top Story” të Sokol Ballës në Top Channel në një edicion special për raundin e parë të Presidentit, Rama kërkoi përsëri takim me Kryeministrin Berisha për dialog. “Ne nuk kemi çfarë të marrim në konsideratë në një situatë kur ka një proces unilaterial, krejtësisht të njëanshëm, në përpjekjen për të krijuar idenë se këtu ka një hapje, por në fakt duke qëndruar mbyllur brenda gjysmës së Parlamentit dhe duke akuzuar e duke u ankuar për gjysmën tjetër. Gjysma tjetër e Parlamentit është jashtë procesit. Në rast se nuk ka proces, ne nuk kemi asnjë arsye që të hyjmë as në emra dhe as në historira këmbimesh të emrave, si të ishin robërit që ua dorëzojmë palëve në shkëmbim”, u shpreh Rama. Sipas tij, dialogu mes maxhorancës dhe opozitës është i domosdoshëm. “Unë nuk këmbëngul fare të takoj kaq shumë personalisht Kryeministrin dhe habitem me pyetjen tuaj. Është shumë e thjeshtë. Dialogu kërkon ndërveprim dhe kërkon komunikim mes palëve. Në rast se Kryeministri takon të gjithë kryetarët e partive, madje takon edhe kryetarin e partisë aleate me ne në opozitë, për çfarë i takon?! I takon për të pirë kafe? Në qoftë se ata i takon për të pirë kafe dhe për këtë arsye nuk më takon mua, s’ka asnjë problem. Unë besoj që arsyeja pse Kryeministri i shmanget takimit në një tryezë të të gjithë kryetarëve të partive, është sepse ai e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me argumente në tavolinë për të ndërtuar një proces. E po ashtu, e ka shumë të vështirë pastaj të ikë nga një tavolinë ku do të ulet për procesin”, tha Rama. Kryesocialisti duke u dhënë përgjigje akuzave të kryeministrit Berisha, tha se kushtet e vëna nga PS nuk janë ultimatume. “Dëshiroj ta nënvizoj se e gjithë përpjekja për t’i paraqitur këto si kushte të cilat synojnë të pengojnë procesin e dialogut për zgjedhjen e Presidentit, e gjithë përpjekja për ta paraqitur këtë si një paketë bllokuese është e shëmtuar dhe tërësisht e bazuar mbi nevojën që ka Kryeministri dhe shumica për t’iu shmangur dialogut dhe për t’iu shmangur çdo komunikimi që prodhon konsensus. Ne e kemi çuar një propozim në tryezë. Pala tjetër ka të drejtën të thotë, me propozimin tuaj ne biem dakord në parim me këto pika, por jemi për këtë axhendë të kësaj tryeze. Por, këtu s’ka tryezë, këtu s’ka proces”, tha Rama. Sipas tij, Kryeministri nuk është i gatshëm që të zgjidhë problemin e Reformës Parlamentare, sepse nuk mund t’i lejojë deputetët e tij që të kenë lirinë për të votuar në mënyrë të fshehtë. “Kryeministri nuk është i gatshëm as të zgjedhë një President konsensual, për arsye tashmë të njohura publikisht. Në rast se ai do të jetë i gatshëm, nuk ka asnjë arsye që ne në raundin e dytë të mos e zgjedhim Presidentin dhe që brenda sesionit të mos i zgjidhim të gjitha nyjat që kanë mbetur në procesin e reformave”, tha Rama.

Kryesia
Partia Socialiste pritet të mbledhë Kryesinë e saj në funksion të zgjedhjes së Presidentit të ri. Pasi të jenë propozuar emra nga deputetët e Grupit Parlamentar, Rama mësohet se do të mbledhë forumin më të lartë politik të PS për të seleksionuar kandidaturat që kjo parti do t’i propozojë një tryeze të mundshme me Partinë Demokratike. Kërkesa e Ramës ndaj deputetëve socialistë dje që të sjellin propozime, tregon se zyrtarisht PS është ende në fazat fillestare të procesit të Presidentit të ri.

“Të Urtët” kundër Edi Ramës: Mos vendos kushte

Këshilli Politik ka kërkuar më shumë qartësi në qëndrime nga kreu i PS
“Sot zgjidhet Presidenti, ka pasur kohë për imunitetet”
Kryetari socialist Edi Rama mblodhi dje në mëngjes Këshillin Politik të PS, i cili përbëhet nga figura të njohura dhe me përvojë të selisë rozë.
Në orën 9:00 ishin në selinë e PS-së Rexhep Meidani, Luan Hajdaraga, Bashkim Zeneli, Arta Dade dhe Ethem Ruka, ndërsa ka pasur mungesa të disa anëtarëve. Pandeli Majko që është pjesë e Këshillit, ishte në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve, ndërsa Maqo Lakrori ishte jashtë Tirane. Sabit Brokaj mungon prej disa mbledhjesh, ndërsa Namik Dokle ishte i angazhuar në mbledhjen e Kryetarëve, bashkë me Gramoz Ruçin. Tema e këshillimit të djeshëm ishte Presidenti i ri dhe qëndrimi i PS në raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit. Anëtarët e Këshillit politik kanë qenë kritikë ndaj Ramës, veçanërisht ndaj katër kushteve që ai i ka vendosur maxhorancës. Mësohet se të pranishmit i kanë cilësuar si jo të mirëmenduara kushtet e vëna si për reformat, ashtu dhe për imunitetin e deputetëve e zyrtarëve të lartë në kulmin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. “Çështja e imunitetit nuk ka pse ngatërrohet me zgjedhjen e Presidentit. Heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë është shumë e rëndësishme për luftën ndaj korrupsionit, por nuk mendojmë se është momenti që kjo çështje të vendoset si një kusht që kërkon realizim para votimit të Presidentit. Tani kemi hyrë në një proces që është i përcaktuar në kohë, ndërsa reformat mund të debatohen e miratohen dhe pas Presidentit”, mësohet të ketë qenë reagimi i disa prej anëtarëve të Këshillit politik. Sipas tyre, PS duhet të jetë më e qartë në deklarimet e saj për Presidentin e ri dhe të ketë emra konkretë për të hyrë në negociata me palën tjetër. “Ka shumë inkoherencë në qëndrime, kjo rrezikon të sjellë efekte në elektorat”, mësohet të jenë shprehur anëtarë të “Grupit të të urtëve”. Nga ana e tij, Rama ka shprehur shqetësimin se maxhoranca, e sidomos Kryeministri Berisha, nuk po pranojnë të takohen dhe të bisedojnë për Presidentin e ri. “Unë kam kohë që kam nisur një ftesë në adresë të të gjitha partive parlamentare, ftesë që nuk ka gjetur mbështetje nga Partia Demokratike me të cilën ne duhet të negociojmë. Por Saliu takohet me Dulen, që është aleati ynë dhe nuk takohet me mua. Si duhet të veprohet? Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ne në këto kushte?”, mësohet të jetë shprehur Rama.
“Të urtët” i kanë adresuar kritika kryetarit të PS dhe për qëndrimet e fundit të tij, por dhe të shumë deputetëve në lidhje me një mundësi bashkëpunimi me LSI-në. Sipas tyre, këto qëndrime dhe artikulime duhet të jenë të matura dhe të studiuara pasi japin efekte negative në elektoratin e majtë. “S’mundet që një ditë të akuzohet LSI dhe drejtuesit e saj, ndërsa ditën tjetër të jepet shpresa se përmes një bashkëpunimi me ta mund të rrëzohet qeveria”, mësohet të ketë qenë një tjetër shqetësim i anëtarëve të Këshillit politik në PS. Rama ka kërkuar që takimet mes tyre të bëhen edhe më të shpeshta këto ditë, kur kanë nisur raundet për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Sabit Brokaj mungon prej kohësh
Sabit Brokaj, kardiokirurgu i njohur, anëtar i Këshillit politik të PS, ka kohë që nuk vjen në mbledhje. I kontaktuar në telefon, profesor Brokaj shprehet se nuk ka qenë në mbledhje për shkak të angazhimeve në klinikën kardiologjike që drejton. Por pjesëmarrja e anëtarëve të Këshillit politik dje ishte shumë e ulët. Ylli Bufi, Maqo Lakrori, Namik Dokle, Pandeli Majko mungonin në mbledhje, ndërsa Servet Pëllumbi ka kohë që ka dhënë dorëheqje prej këtij Këshilli. Profesor Pëllumbi u shpreh i pakënaqur nga funksioni që po luante ky Këshill. Në një prononcim për “Panorama”, Pëllumbi tha se mbledhja e “Grupit të të urtëve” është kthyer në një mbledhje byroje, ku diskutohet dhe asgjë nga ato që thuhen dhe propozohen aty nuk merren parasysh nga forumet vendimmarrëse të PS. Sipas Pëllumbit, këto mbledhje janë trajtuar shumë herë si vende ku njerëzit shkojnë për t’u relaksuar e për të pirë kafe.

Ambasadorët
Pas seancës së djeshme parlamentare ku raundi i parë i votimit u cilësua i ezauruar pa kandidat, të vetmit aktorë që vazhduan lëvizjet e tyre mes kampeve respektive ishin diplomatët e huaj në Tiranë. Ambasadorët e huaj kanë vijuar kontaktet me përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës, për të bërë të mundur një ulje të kreut të PS dhe Kryeministrit Berisha në tryezën e bisedimeve. E gjithë përpjekja e ambasadorëve është zhvillimi i raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit me një kandidat që do të ketë marrë pëlqimin e maxhorancës dhe opozitës.

“Në Gjermani Presidenti zgjidhet me 71 vota”
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holt Kemper, së bashku me kryetarin e grupit të miqësisë Gjermani-Shqipëri, Peter Ueiss, zhvilluan dje një takim me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja i ka informuar gjatë takimit përfaqësuesit e Gjermanisë për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Por, gjatë takimit, ambasadorja gjermane ka deklaruar se në vendin e saj Presidenti mund të behët dhe me një shumicë të thjeshtë të votave. “Kryetarja e Kuvendit njohu deputetët me procedurat parlamentare që ndiqen për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ambasadorja gjermane shpjegoi se në Gjermani zgjedhja e Presidentit bëhet edhe me shumicë të thjeshtë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

Fatos Nano
Fatos Nano mbetet i vetmi kandidat i së majtës, që pret të marrë mbështetjen e PS për të hyrë në garë. Asnjë kandidat politik nga e majta nuk është propozuar apo vetëshpallur si potencial për të garuar në garën presidenciale. Nano ka mbyllur ciklin zyrtar të konsultimeve të tij me partitë parlamentare, ndërsa pret mbështetjen e Partisë Socialiste për të qenë kandidat i mbështetur prej saj. Ish-kryeministri i fundit socialist kërkon 20 firma të deputetëve socialistë për t’u bërë kandidat zyrtar në garë, por ai vetë është shprehur se kërkon të jetë një kandidat konsensual.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura