Ylli Pepo: Kina, si e gjeta pas 37 vjetësh

May 10, 2011 | 9:25
SHPËRNDAJE

Këto ditë, “Televizioni Shqiptar” transmetoi filmin dokumentar “Kina-zhvillime dhe tradita”, me regji të Ylli Pepos, Artist i Merituar, operator Xhemal Reçi dhe me montazh të mjeshtrit Gjergji Pano.Ylli Pepo është i njohur në publik qysh kur televizioni ynë i vetëm, RTSH, hidhte hapat e tij të parë. Jo vetëm publiku shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar e njeh atë si një nga regjisorët më produktivë e më jetëgjatë të ekranit të vogël. Këtij regjisori i dedikohen për herë të parë emisione, filma dokumentarë, telenovela, për të cilat me të drejtë ky televizion mund të krenohet se janë krijuar, realizuar e transmetuar pikërisht nga ai, me firmën e Ylli Pepos. Kështu ka ndodhur edhe në vitin 1974, kur Ylli Pepo për herë të parë i prezanton publikut shqiptar një dokumentar artistik me tre seri, me ngjyra për 10 provinca të Kinës. Plot 37 vjet më vonë, Ylli Pepo rikthehet përsëri në Kinë për të na dhënë një dokumentar  tjetër me dy seri, me titull “Kina: zhvillimi dhe tradita”, që ndryshon kryekëput nga i pari, me një montazh të shkëlqyer të Gjergji Panos, që të habit për nga ritmi, bukuria dhe pamjet mbresëlënëse të operatorit Xhemal Reçi. Duke biseduar me regjisorin Ylli Pepo pas transmetimit të këtij dokumentari, e pyesim:
Pse pikërisht një dokumentar për R.P të Kinës?
Ashtu siç thatë edhe ju, kam qenë në Kinë në vitin 1974, në kohën kur aty zhvillohej Revolucioni i Madh Kulturor. Shkova si regjisor. Vizituam 10 provinca e përgatitëm një dokumentar, i cili në atë kohë zgjoi shumë kureshtje. Në vitin 2007 u riktheva në Kinë për të bërë krahasimet. Ndryshimi ishte shumë i madh. Po nuk i thashë dot të gjitha, megjithëse u transmetuan tre seri. Këtë vit u riktheva përsëri e përsëri u habita, sepse nuk mund ta kuptoni se sa shpejt lëvizin gjërat në këtë vend. Ashtu si Amerika, Rusia apo India, Kina është kontinent, por një kontinent që vrapon. Vetëm dy gjera nuk kanë ndryshuar në Kinë, Muri i Madh Kinez dhe Sheshi Teniamen me tribunën e tij, të cilën sapo e sheh të kujton Pekinin, siç të kujton Kulla Eifel Parisin apo kulla e Big Benit, Londrën.
E megjithatë, a nuk ju duket shumë larg Kina për sa i përket interesit të publikut shqiptar?
Është mirë kur televizioni publik shqiptar transmeton emisione për vende dhe popuj të ndryshëm të përgatitur nga ai vetë, dhe jo  të marra të gatshme nga të tjerët, pavarësisht nëse në këto vende  e këta popuj janë pranë apo larg nesh. Veç kësaj, lidhjet e botës shqiptare me atë kineze nuk kanë filluar as në vitin 1974 dhe as në vitin 1949, kur Kina u shpall Republikë Popullore. Sinologët sjellin si dëshmi të parë të lidhjeve tona urdhëresën e perandorit ilir Dioklecianit për përdorimin e mëndafshit kinez në veshjet iliro – dalmate. Urdhëresa ka 5 kapituj, ku shpjegohet  se çfarë është mëndafshi, nga vjen e si përdoret. Në vitin 552,  një perandor tjetër me origjinë ilire, Justiniani, dërgoi një delegacion në Kinë. Akademia e Voskopojës, e themeluar në vitin 1710, ruante në bibliotekën e saj “Historinë e Perandorisë Kineze”, e cila studiohej nga studentët që frekuentonin këtë akademi. Sami Frashëri, në Enciklopedinë e vet të Orientit, flet  me shumë adhurim dhe respekt për Kinën, pa folur pastaj për marrëdhëniet shqiptaro – kineze gjatë shekullit të kaluar.
Ku ndryshon dokumentari i fundit me dokumentarët e tjerë për Kinën?
Të gjithë dokumentarët për Kinën kanë një frymë. Është fryma pozitive që duhet të na karakterizojë ne artistët, si për fqinjët tanë që i kemi afër, ashtu dhe për vendet e tjerë mijëra km larg nesh. Ne nuk jemi ushtarë, as politikanë. Këtë frymë pozitiviteti unë do ta përmblidhja me dy fjalë: informacion, mesazh. Kjo është gazetaria dhe regjia qytetare. Këto janë edhe dy shtyllat ku mbështetet dokumentari im më i fundit për Kinën. Dokumentari fillon me rininë dhe filozofinë e Konfucit për moralin, respektin, studimin dhe konkurrencën. Duke parë ndryshimet e Kinës, në këtë dokumentar ju mësoni se ky vend për nga zhvillimi ekonomik zë vendin e dytë në botë. Zhvillim marramendës dhe i ekuilibruar. Ky është konstatimi i parë. Konstatimi i dytë është besimi i madh që kanë kinezët tek vetja. Çuditërisht ky besim rritet në progresion gjeometrik në krahasim me ekonominë. Njerëzit besojnë tek shteti i tyre, tek ligji, tek institucionet, tek njeri–tjetri.
Vërtet kaq shpejt ecën Kina?
Në dokumentar keni një episod të gjatë për trenat në Kinë, të cilët ecin më shumë se shpejtësia e zërit. Të parët në botë. Treni, ndryshe nga çdo mjet tjetër, është një transport masiv, babaxhan, shpirtgjerë, nuk të lë në rrugë, sepse treni është një mjet kuptimplotë i lëvizjes kolektive, e jo një mjet individual.  Ju mendoni se në Kinë nuk ka vetura luksoze, të shpejta e të sigurta? Ka me miliona, po ne, jo më kot kemi veçuar trenin. Ai në kuptimin figurativ është në filozofinë e këtij populli. Ose le të marrim ekranin qiellor të Pekinit. Një mrekulli e teknologjisë moderne për ta shijuar të gjithë e jo një elitë. Edhe kjo është në filozofinë e kinezëve. Nëse dielli lind, atëherë ai duhet t’i ndriçojë të gjithë, e jo vetëm disa.
Do të donit të shkonit përsëri në Kinë?
Nëse më jepet rasti, padiskutim që po. Madje ju ftoj edhe ju, si njohës i Kodikëve. Shkruani një skenar për restaurimin e dy kodikëve tanë në Kinë dhe ejani të bëjmë një film për periudhën 6-mujore kur këta kodikë të lashtë, pronë e popullit shqiptar, u restauruan në R.P të Kinës. Ky do të ishte dhe një falënderim për Akademinë e Shkencave dhe Institutin Arkeologjik të R.P të Kinës, që i kthyen njerëzimit dy monumente të krishterimit që bëjnë pjesë në kujtesën e botës.

 

FIQIRI SEJDAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura