Xhixha zbukuron grataçelën 200 metra të lartë në Florida

Feb 28, 2014 | 12:42
SHPËRNDAJE

Veprat e skulptorit gjithnjë e më të kërkuara në SHBA

Artisti shqiptar do të vërë firmën në 49 katet e ndërtesës më luksoze në rivierën amerikane

Grataçela “Muza” në Florida
Një nga ndërtesat më luksoze në Amerikë do të mbajë firmën e skulptorit shqiptar Helidon Xhixha.  I njohur tashmë në të gjithë botën për skulpturat e tij në metal, të cilat bazohen në lojën e përthyerjes së dritës, veprat e Xhixhës janë gjithnjë e më të kërkuara, jo vetëm për të zbukuruar sheshe, por edhe për të dekoruar ambientet e brendshme të ndërtesave luksoze. Kohët e fundit, emri i skulptorit është lakuar së shumti për pjesëmarrjen e tij në ngritjen e një prej ndërtesave më të larta dhe moderne të asaj që quhet “riviera amerikane”. Një ndërtesë e jashtëzakonshme, rrezëllitëse, ku çdo pjesë e saj do të jetë një vepër arti. E tillë do të jetë “Muza”, një qiellgërvishtës i ri në Sunny Isles Beach, Florida. Një ndërtesë rreth 200 metra e lartë, që është edhe lartësia më e madhe e lejuar në këtë zonë. Ndërtesa, me pamje nga oqeani, do të realizohet nga arkitekti Carlos Ott me firmën e ndërtimit “Sieger Suarez Architectural Partnership” dhe artistin Helidon Xhixha. Një godinë me 49 kate dhe 65 rezidenca. Mediat amerikane shprehen se e gjithë kjo ndërtesë do të duket si një skulpturë e stërmadhe e Helidon Xhixhës. Dhe duket më se e natyrshme në ishujt diellorë të Floridës, nuk mund të mungojnë veprat e dritës së artistit me origjinë shqiptare. Elementët artistikë do ta karakterizojnë ndërtesën e re në të gjithë strukturën e saj, brenda e jashtë, dhe janë veprat e Xhixhës që do t’i japin elegancë dhe një pamje të sofistikuar, e cila ende nuk gjendet në ndonjë ndërtesë tjetër të zonës. Për çdonjërën nga rezidencat mësohet se veprat do të jenë të ndryshme. Blerësit do të kontaktojnë me artistin shqiptar për ta njohur atë me shijet e tyre dhe kështu veprat do të jenë të gjitha të personalizuara. Vepra të tij do të vendosen gjithashtu në hollet e qiellgërvishtësit.
Ekspozitat e fundit
Një nga tre veprat që skulptori Helidon Xhixha ia dhuroi Presidencës së
Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Dy veprat e tjera ndodhen në ambientet e brendshme të Presidencës
Por, Xhixha nuk është përzgjedhur rastësisht për realizimin e këtyre veprave. Vetëm pak kohë më parë Xhixha ka ekspozuar disa nga veprat e tij në qendrën e shitjes Echo Brickell në Miami. Një nga veprat e ekspozuara, e titulluar “Colonna Luce”, kishte vlerën e 300 mijë dollarëve, ndërsa “Luce II” 250 mijë dollarë. Ndërkohë, katër nga punët e tij u ekspozuan në Art Basel Miami Beach dhe Art Miami. Gjithashtu, ai është porositur të realizojë një nga veprat e tij për hollin e Echo Brickell.  
Po kështu, me një “Solo show”, nga data 13-17 shkurt Helidon Xhixha mori pjesë në panairin Art Wynwood 2014, Miami, Florida. Në këtë panair u prezantuan 70 galeri ndërkombëtare, të cilat paraqitën veprat dhe artistët e tyre më të mirë bashkëkohorë. Një aktivitet ku marrin pjesë investitorë dhe koleksionistë nga e gjitha bota, por kryesisht nga Brazili, Kina, Kolumbia, Rusia, Argjentina, Meksika e Europa.
Artisti
Helidon Xhixha gjatë prezantimit të veprave të tij në “Echo Brickell”
I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, i specializuar në Londër, skulptori Helidon Xhixha, prej gati 20 vjetësh jeton mes Shqipërisë, Italisë e Dubait. Ka lindur në Durrës, një vend dielli që do të ndikonte shumë në rrugën që ai do të merrte më vonë, po aq sa edhe orët e kaluara në studion e të atit, artistit Sali Xhixha. Dashuria për artin do të ngjizej pikërisht në qytetin e lindjes dhe mes këshillave të të atit, i cili, siç do të thoshte gjatë një interviste të mëparshme për “Panoramën”, e drejtoi atë te veprat monumentale. “Ai më thoshte gjithmonë se 1 metër katror blu është më blu se 1 cm blu. Punët monumentale janë më imponuese, të përfshijnë në dialog, në monumentalitetin e tyre”, do të thoshte Xhixha, i cili tashmë është i njohur në të gjithë botën për veprat e tij në metal, inoks. Vepra të shpërndara në të gjithë botën, të vendosura nëpër sheshe apo në ambiente të brendshme ndërtesash në Itali, Gjermani, Zvicër, Francë, Angli, Austri, Spanjë, Monako, Amerikë, Brazil, Dubai. Tanimë vepra të Helidon Xhixhës gjenden edhe në Shqipëri. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ai dhuroi 3 vepra për godinën e Presidencës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura