Xhelozia, vritet në hotel 35-vjeçarja

Jun 30, 2011 | 10:46
SHPËRNDAJE
Qyteti i Pogradecit

Masakrohet me çekan në kokë një grua 35 vjeçe. Nëna e dy fëmijëve u vra pas dyshimit për tradhti në një lidhje dashurore që ajo kishte nisur rreth tri vite më parë me një 60-vjeçar, pas divorcit me të shoqin.Mirela Spahiu, e lindur në Dunicë dhe së fundi banore e qytetit të Pogradecit, është gjetur e pajetë rreth orës 23:00 të së martës, në një dhomë hoteli që ndodhet në dalje të Pogradecit, për në drejtim të Përrenjasit. Viktima është gjetur rreth 36 orë pas masakrimit, pasi trupi i saj u zbulua nga njëra prej punonjëseve të hotelit, e cila ka mundur të shohë nga një pozicion ku dukej dhoma nga dritarja trupin e masakruar. Policia e Pogradecit mbërriti menjëherë në vendin e sinjalizimit dhe nuk iu desh shumë kohë për të identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai është 60-vjeçari Halim Hykellari nga fshati Gështenjas, i cili u arrestua pak orë më vonë në banesën e tij.
ÇIFTI
Nga hetimet e kryera, bazuar edhe në dëshminë e të arrestuarit, rezultoi se Hykellari e kishte vrarë 35-vjeçaren për shkak të xhelozisë. Ai dyshonte se ajo e tradhtonte, ndonëse çifti që kishte nisur një histori dashurie rreth tri vite më parë, i kishte premtuar njëri-tjetrit martesë. Burri, edhe pse ishte 25 vjet më i madh se gruaja e divorcuar, kishte vendosur t’i jepte fund jetës së vetmuar dhe të bashkohej me gruan, të cilën ashtu sikurse është shprehur në polici, e donte dhe kishte qëllime serioze ndaj saj. Mësohet se 60-vjeçari kishte mbetur i ve shtatë vite më parë dhe jetonte me njërin prej djemve të tij në fshatin Gështenjas. Ai ishte njohur rastësisht me Mirela Spahiun, pasi kishte qenë usta në banesën e saj. “E njoha në shtëpinë e saj. Unë jam usta, shtroj pllaka dhe Mirelës i duhej dikush që t’i shtronte pllakat. Ishte e papunë, jetonte në vështirësi ndaj e ndihmova sa munda gjatë kësaj kohe. E ndihmoja edhe financiarisht, pasi kishte dy fëmijë të vegjël. Këtu nisi edhe miqësia jonë që më pas kaloi në intimitet”, është shprehur në polici pas arrestimit 60-vjeçari. Policia që kreu hetimet e ngjarjes së rëndë tha se masakrimi i gruas 35-vjeçare ka ardhur nga goditjet me çekan, kryesisht në pjesën e kokës. Hykellari ka pranuar pas arrestimit autorësinë e këtij krimi, duke argumentuar edhe shkakun, sipas tij, që e ka detyruar të kryejë këtë krim të rëndë, duke i marrë jetën nënës së dy fëmijëve të mitur. “E vazhduam lidhjen gati tri vjet dhe gjatë kësaj kohe i dhamë fjalën njëri-tjetrit se do të martoheshim, pavarësisht diferencës që kishim në moshë”. Kështu mësohet të jetë shprehur pas arrestimit 60-vjeçari.
Vrasja
Sipas dëshmisë së tij, të hënën, 35-vjeçarja i kishte kërkuar që të akomodoheshin në hotelin e qytetit të Pogradecit, ku edhe ndodhi ngjarja tragjike. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se ka qenë vetë viktima ajo që ka prenotuar një dhomë hoteli për tri ditë, me justifikimin se priste vizitorë nga Tirana. Më pas, ajo ka shkuar bashkë me të dashurin e saj, 60-vjeçarin Hykellari, me të cilin kishin vendosur ta kalonin natën bashkë. Por, autori e kishte paramenduar krimin që do të kryente, pasi ai kishte marrë me vete, të fshehur në rroba një çekiç, me të cilën kishte planifikuar të vriste të dashurën e tij, për të cilën ai kishte zbuluar se kishte edhe lidhje të tjera paralele, veç tij. Ai e ka futur çekanin në brez dhe, kur janë gjendur me 35-vjeçaren Mirela Spahiu në hotel, e ka fshehur atë poshtë krevatit. Më pas, ka pasur një sherr ndërmjet tyre, pasi ai ia kishte bërë të qartë se ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve të saj dhe se e kishte parë që ajo shoqërohej edhe me të tjerë. Pasi është acaruar situata, gruaja, duke dashur që të qetësonte situatën, i ka kërkuar 60-vjeçarit t’i bënte një masazh. Por ai e ka shfrytëzuar pikërisht këtë moment kur ajo i ka kthyer kurrizin. Ka marrë çekanin që e kishte lënë të fshehur poshtë krevatit duke e qëlluar atë disa herë në kokë. Më pas, në momente të vështira depresive, e shkaktuar nga situata e krijuar, 60-vjeçari ia ka përplasur kokën edhe pas hekurave të krevatit. Pasi e ka lënë të masakruar, ai ka mundur të dalë gjatë natës pa u vënë re nga punonjësit e hotelit. Por këta të fundit kanë dyshuar kur pas rreth 2 ditësh nuk kanë parë asnjë lëvizje në dhomë, çka më pas solli edhe në zbulimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

VIKTIMA

Mirela Spahiu, 35 vjeçe, ka lindur në fshatin Dunicë të Pogradecit. Pas divorcit me të shoqin ajo jetonte bashkë me dy fëmijët në qytetin e Pogradecit. Viktima ishte e papunë, ndërsa, pas njohjes me 60-vjeçarin, ky i fundit e ndihmonte atë edhe financiarisht, në mënyrë që ajo të mund të përballonte jetesën dhe kushtet më minimale për dy të miturit e saj. Ajo kishte rreth tri vjet që kishte krijuar lidhje intime me burrin 25 vjet më të madh, me të cilin kishin diskutuar një lidhje serioze deri në kurorëzim martese.

AUTORI

Halim Hykellari, 60 vjeç, nga fshati Gështenjas i Pogradecit jetonte vetëm me djalin e tij. Rreth shtatë vite më parë i kishte vdekur e shoqja. Ai është njohur me viktimën Mirela Spahiu, në banesën e kësaj të fundit, pasi i kishte shërbyer si usta për shtrimin e pllakave. Pas disa takimeve, çifti kishte nisur një histori dashurie. Ai ka pohuar në polici se e donte 35-vjeçaren dhe se ndaj saj kishte pasur qëllime serioze. Por kishte paramenduar vrasjen e saj në momentin kur, sipas tij, zbuloi se ajo e tradhtonte.

60-vjeçari: E vrava pasi kryem marrëdhënie

“Ndonëse më kishte thënë se do të martoheshim, nuk e besoja më… Kishte filluar të mos ma hapte më telefonin. E kisha ndjekur disa herë dhe e kisha parë se ajo kishte lidhje edhe me persona të tjerë. Këtë nuk mund ta duroja dot, pasi unë doja të martohesha me atë grua. Takoheshin një herë në javë”, është shprehur në polici pas arrestimit 60-vjeçari. Hykellari fillimisht nuk ka pranuar të dëshmojë për krimin që kreu, por më pas është detyruar të sqarojë rrethanat e ngjarjes dhe motivin që e shtyu në masakrimin e të dashurës së tij, nënën e dy fëmijëve. “E kisha planifikuar vrasjen. I thashë të zinte një dhomë në hotel për tri ditë. Ajo shkoi dhe e kishte parapaguar dhomën. U futëm rreth orës 13:00 të hënën në dhomë. Ngjarja ka ndodhur disa orë më pas, pasi ne kryem edhe marrëdhënie… E dija tashmë se nuk ishte më ajo gruaja që kisha njohur këto tre vite dhe që doja të martohesha. Më tradhtonte me të tjerë dhe atë ditë u nisa në hotel me paramendimin për ta vrarë”, është shprehur më tej Hykellari.

Policia: Identifikimi në bazë të përshkrimeve

Bazuar nga përshkrimet e punonjësve të hotelit, por edhe hetime të tjera të policisë, nuk është dashur shumë kohë për të identifikuar autorin e krimit. Sapo është konstatuar trupi i masakruar i viktimës, policia është nisur për në fshatin Gështenjas, ku banonte autori i dyshuar. Mësohet se 60-vjeçari e ka pritur thuajse i qetë arrestimin dhe nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj uniformave blu kur i vunë prangat. Hykellari, pas izolimit në Komisariatin e Pogradecit, në fillim ka mbajtur qëndrim të heshtur për akuzën si autor i këtij krimi, por më pas është rrëfyer duke pranuar autorësinë dhe duke argumentuar shkakun e këtij krimi të paramenduar. Ai ka pretenduar se nuk mund të pranonte që lidhja e tij afro 3-vjeçare me gruan që donte, të shfrytëzohej prej saj si një lidhje kalimtare, ndërsa kishte marrëdhënie edhe me persona të tjerë. Policia bëri të ditur se autori i ngjarjes kishte dy fëmijë, një vajzë e cila ishte e martuar, dhe një djalë, me të cilin ai jetonte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura