Xhelozia, gruaja tenton hedhjen nga kati i 10-të

Mar 31, 2012 | 14:01
SHPËRNDAJE
Gruaja që tentoi të hidhej nga kati i 10-të në Lushnje

LUSHNJE – Dyshimi se bashkëshorti kishte lidhje jashtëmartesore çon në tentativë vetëflijimi një 45-vjeçare. M. Tabaku tentoi të vetëhidhej nga kati i 10-të i pallatit ku jetonte në Lushnjë. Për rreth 5 orë policia negocioi me gruan, derisa arriti të neutralizonte situatën dhe të shmangte tragjedinë. Ngjarja shkaktoi panik te dhjetëra qytetarë, të cilët u bënë dëshmitarë të kërcënimeve të saj të vazhdueshme se do t’i jepte fund jetës. Fillimisht 45-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, ka nxjerrë si shkak të tentativës së vetëflijimit pronësinë. “Kërkoj të marr pronën time, asgjë më shumë se kaq. Ka kaq vite që po luftoj për të marrë diçka që më përket dhe këta nuk i lënë burokracirat”. Kështu kërcënoi për rreth 5 orë gruaja në tarracën e pallatit të saj. Ngjarja alarmoi edhe policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe tentoi të qetësojë 45- vjeçare. Ajo i ka thënë policisë se nuk ka më besim as te drejtësia. Por më pas ka nxjerrë shkak të këtij veprimi xhelozinë për të shoqin. Megjithëse fjalët e saj kanë qenë të paqarta për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, ajo akuzonte bashkëshortin se e tradhtonte, duke e lënë të vetme të përballej me të gjitha problemet familjare. Pasi policia arriti ta zbriste gruan nga tarraca, ajo nuk kishte qëndrueshmëri mendore. Blutë nuk arritën të vërtetonin që ajo të kishte konflikte pronësie. Sipas Policisë, i vetmi variant më i besueshëm mbetet ai i një xhelozie ndaj bashkëshortit, gjë të cilën fillimisht ajo nuk deshi ta bëjë publike, duke e mbuluar me pronësinë. “Problemi i pronësisë duket si një variant i stisur nga gruaja, së cilës mund t’i ketë ardhur turp të deklaronte se dyshonte tek i shoqi. Ne nuk kemi gjetur asnjë pistë pronësie as pas pyetjeve që iu bënë të shoqit”, bënë të ditur burime të Policisë. Pasi është qetësuar, 45-vjeçarja rrëfeu edhe motivin e ngjarjes. “Tek ky pallat ku do të hidhesha është një lokal në katin e parë që menaxhohet nga njerëzit e burrit. Aty është punësuar një kameriere me të cilën dyshoj se im shoq më tradhton”, mësohet të ketë deklaruar ajo. Në pyetje është marrë edhe i shoqi, i cili ka mohuar diçka të tillë dhe i ka kërkuar ndjesë policisë për ngjarjen. 45-vjeçarja ishte e papunë prej vitesh. Ky nuk është rasti i parë që një grua tenton vetëflijimin. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër grua në Fier, në kushtet e depresionit, kërcënoi se do të vetëflijohej duke pohuar se i kishin rrëmbyer vajzën. U desh ndërhyrja e policisë, të cilët i sollën vajzën e martuar në banesë për ta bindur se nuk ia kishte rrëmbyer njeri. m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura