Xheloz për gruan, vret bashkëfshatarin. E qëlloi me armë gjahu natën në pritë: Mendova se ishte dhelpër

Jun 29, 2012 | 14:33
SHPËRNDAJE
Fshati Gorishovë në Komunën Cakran

FIER/ Viktima po kthehej në banesë, i telefonoi për ndihmë të birit në gjendje të plagosur. Pranga autorit.

Ngjarja ndodhi në fshatin Gorishovë, në Cakran të Fierit, ku shtetasi Gramos Memaj, 49 vjeç, u qëllua nga 55-vjeçari Besim Fejzaj. Policia arrestoi disa orë pas ngjarjes autorin, i cili pretendoi se kishte qëlluar me armë pasi kishte menduar se viktima ishte dhelpër. “Arrestimi i shtetasit Besim Fejzaj u bë për veprën penale të ‘vrasjes me dashje’, pasi rreth orës 02:00, në vendin e quajtur fshati Gorishovë, komuna Cakran Fier, ky shtetas dyshohet se ka vrarë me armë gjahu për motive të dobëta  Gramos Memën, 49 vjeç, i cili ndërroi jetë në spitalin rajonal Fier”, bëri të ditur Policia.
Mësohet se rreth orës 02:00, viktima ka qenë i vetëm duke u kthyer në banesë. Ai ka qenë për një darkë jashtë fshatit të tij. Bazuar në mekanizmin e vrasjes, ku viktima është qëlluar në bark nga një distancë e afërt, por edhe te të dhëna të tjera rreth autorit e viktimës, policia dyshon se vrasja ka qenë një pritë. 55-vjeçari ka qenë në dijeni të lëvizjeve të viktimës dhe ai e ka pritur me armë në dorë derisa ai i është afruar shtëpisë së tij. Kur 49-vjeçari ka qenë vetëm rreth

Vendi ku ndodhi vrasja e 49-vjeçarit

400 metra larg banesës, është ndeshur me saçmet e çiftes. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka humbur ndjenjat. Dy orë më pas, rreth orës 04:00, kur është përmendur pak, viktima ka mundur t’i telefonojë të birit dhe t’i kërkojë ndihmë. Djali e ka gjetur të atin në rrugë të plagosur rëndë dhe e dërgoi menjëherë në spital. Por, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai gjeti vdekjen rreth orës 06:45. Në mëngjes, autori ka sinjalizuar vetë policinë, duke pretenduar se e kishte mësuar ngjarjen nga media. Ai ka shprehur dyshimet se mund të ishte vetë autori, pasi natën kishte shtënë me armë duke menduar se po qëllonte një dhelpër. Por, policia i ka adresuar atij akuzën e “vrasjes me dashje”, pasi gjatë hetimeve të kryera u konstatua se mes tyre kishte pasur konflikte të mëparshme për shkaqe xhelozie. Burime të Policisë bënë të ditur se këtë fakt e kanë pohuar edhe disa banorë të fshatit, të cilët janë marrë në pyetje. Ata kanë deponuar se kanë qenë në dijeni të thashethemeve në lagjen ku banojnë, se viktima kishte një lidhje intime me bashkëshorten e 55-vjeçarit. Policia nuk konfirmoi nëse Memaj dhe Fejzaj kanë pasur konflikt të hapur në lidhje me këtë çështje. Por, ajo që konfirmohet nga burime të grupit të hetimit është fakti se viktima, babai i dy fëmijëve, është qëlluar në një distancë mjaft të afërt, çka hedh dyshime se 49-vjeçari është ekzekutuar në pritë.

Alibia e autorit
“Nuk e dija se kisha qëlluar bashkëfshatarin tim. Kohët e fundit dhelpra m’i ka bastisur disa herë pulat. E pashë hije nga larg dhe mora armën e gjahut, duke menduar se ishte dhelpër. Më pas u futa në banesë, por pas disa orësh kur u zgjova pashë në televizor lajmin e vrasjes. Ngjarja ishte afër shtëpisë sime dhe vetëm atëherë arrita të kuptoja se kisha qëlluar Gramos Memajn. Kështu ka deklaruar në polici pas arrestimit 55-vjeçari. Ai ka mohuar vrasjen me dashje, duke iu përmbajtur gjatë gjithë seancës së marrjes në pyetje se kishte qëlluar duke menduar se po vriste një dhelpër. Blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe armën e gjahut që i përkiste autorit. Burimet e Policisë bëjnë të ditur se autori e ka pranuar krimin.

FIER/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura