Xhamia në Tiranë,Bashkia vendos për projekt të ri

Mar 31, 2012 | 10:47
SHPËRNDAJE

Anëtarët e komisionit për Xhaminë kanë vendosur sot në mënyrë unanime se në Tiranë duhet një projekt i ri për Xhaminë, e cila duhet të përshtatet me truallin e ri ku do të ndërtohet si dhe të reflektojë trashëgiminë kuturore shqiptare, në dizajnin e saj.

Në këtë mënyrë komisioni ka hedhur poshtë të gjitha projektet e sjella në konkursin e zhvilluar rreth një vit më parë.

“Pasi kanë  parë propozimet e studiove, Andreas Perea Ortega; Architecture Studio; Search; Zaha Hadid Architects dhe BIG, e cila u shpall edhe fituese, anëtarët e Komisionit vendosën unanimisht, se në Tiranë duhet një projekt i ri për Xhaminë”- thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Ndërkaq, komisioni ka vendosur që të  miratojë propozimin e Komunitetit Mysliman dhe të ftojë arkitektet e propozuar prej tyre, për t’i intervistuar.

Përfaqësues të Komunitetit Mysliman, kanë propozuar një studio me veprimtari 28 vjeçare Muharrem Hilmi Shenalp, e cila sips tyre,  ka ardhur në Shqipëri dhe është njohur me truallin e Namazgjasë.

Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila ne 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj.

Në mbledhjen e kaluar Komisioni pati miratuar propozimit e Komunitetit Mysliman për ndërtimin e Xhamisë së Re, tek Namazgjaja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura