Vrau në argjendari, 1 muaj burg kosovarit të dyshuar

Oct 31, 2011 | 11:44
SHPËRNDAJE
Policia në vendin e ngjarjes

Gjykata e Tiranës i la dje 30 ditë kohë Policisë dhe Prokurorisë për të gjetur prova, ndryshe i ndaluari për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj mund të lirohet nga arresti. Shtetasi Nexhat Mulaj, 27 vjeç nga Kosova, i ndaluar tri ditë më parë nga policia, doli dje para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Prokuroria tha se bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve dhe nga të dhënat e bërthamave elektronike të kompanive celulare, i riu nga Kosova është i dyshuar për vrasjen e 61-vjeçarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor 2011, në argjendarinë pranë rrugës “Siri Kodra”, në kryeqytet. I dyshuari, i cili është ndaluar tri ditë më parë nga policia dhe avokati i tij shpjeguan dje në seancë se nuk pranojnë akuzën e ngritur nga Prokuroria, vjedhje me dhunë mbetur në tentativë me pasojë vdekjen. I akuzuari ka shpjeguar se është banues në një shtëpi me qira pranë zonës ku ndodhi ngjarja, por se nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur në argjendari. Gjykata pasi dëgjoi palët, vendosi një masë të përkohshme sigurie prej 30 ditësh burg, duke njoftuar Prokurorinë se brenda kësaj kohe duhet të gjenden provat e nevojshme për të mbajtur në burg të dyshuarin. Sipas Gjykatës, provat e referuara deri në ditën e djeshme ishin të pamjaftueshme për një masë më të rëndë sigurie, sesa arresti i përkohshëm me burg.
Vrasja e argjendarit
Mbrëmjen e 21 tetorit, rreth orës 19:30, shtetasi Rrapo Sinanaj ishte duke punuar në argjendarinë në pronësi të vajzës së tij. Një person i maskuar dhe me armë në dorë ka hyrë në dyqan dhe i ka drejtuar armën 61-vjeçarit Sinanaj. Autori ka kërkuar paratë e banakut, por i moshuari ka kundërshtuar. Në këtë kohë, vrasësi është afruar mbi banak dhe është përleshur me argjendarin, i cili nga ana e tij ka kundërshtuar veprimet e grabitësit. Në këtë përleshje, dyshohet se viktima Rrapo Sinanaj i ka hequr autorit të ngjarjes maskën nga fytyra. Në këtë moment ka ndodhur edhe vrasja e 61-vjeçarit, i cili është qëlluar dy herë me armë. Autori i ngjarjes doli menjëherë nga dyqani dhe u largua në drejtim të paditur. Për disa ditë, policia bëri shoqërime masive të personave të dyshuar, kryesisht individë të skeduar për vjedhje, grabitje dhe përdorim droge. Të premten, Policia e Tiranës doli me një deklaratë, në të cilën njoftoi se kishte ndaluar të dyshuarin, lindur në Vitak, komuna Skënderaj, Kosovë. “Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera deri më tani, u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar i shtetasit Nexhat Isuf Mulaj, 27 vjeç. Pas një sërë hetimesh të kryera disaditore ku u përdorën metodat speciale të hetimit, u bë ndalimi i shtetasit Nexhat Mulaj për veprat penale të vrasjes me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinanaj dhe armëmbajtjes pa leje”, njoftoi Policia. Sipas saj, ky shtetas dyshohet se më datë 21 tetor 2011, në afërsi të rrugës “Siri Kodra”, ka tentuar të vjedhë me armë zjarri argjendarinë në pronësi të viktimës Rrapo Sinanaj, i cili në momentet e ngjarjes ka qenë duke tregtuar bizhuteri në dyqan.

60 persona
janë shoqëruar nga policia e Tiranës në ditët që pasuan tentativën e grabitjes dhe më pas vrasjen e 61-vjeçarit Rrapo Sinanaj, në argjendarinë në pronësi të vajzës së tij

1 deshmitar
rreth 60 vjeç pretendon se shtetasi kosovar Nexhat Mulaj është autori i vrasjes së ndodhur më 21 tetor në Tiranë. Sipas dëshmitarit, karakteristikat fizike të autorit janë si ato të kosovarit

Provat
Pas ndalimit të shtetasit nga Kosova Nexhat Mulaj, policia kreu kontroll në banesën e tij, ku mësohet se nuk janë gjetur prova që e lidhin atë direkt me vrasjen në argjendari. Pas kontrollit në banesë, sipas Policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 copë karta identiteti në emër të autorit Nexhat Mulaj, ku 4 prej tyre ishin lëshuar nga autoritetet kosovare, ndërsa 1 kartë ishte lëshuar nga autoritetet shqiptare. Akuzat e ngritura për të dyshuarin janë “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “armëmbajtje pa leje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura