Vrau me armë në Kuçovë në 1997, dërgohet në Gjykatë ish-polici

Jun 30, 2014 | 12:14
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Beratit
BERAT – Prokuroria dërgon në Gjykatë një person të akuzuar për një vrasje të vitit 1997. Sipas Prokurorisë, shtetasi Bashkim None akuzohet për një ngjarje të ndodhur më datë 15.04.1997 rreth orës 16:00 në lagjen “11 Janari” në Kuçovë. Në vendin e quajtur Dikater është vrarë me armë zjarri shtetasi Hasan Shallari, si dhe janë plagosur shtetasit Altin Zhuri dhe Jaçe Hajdari. Për këtë ngjarje hetimi ka qenë i vështirë për shkak të distancës kohore. Megjithatë, sipas dëshmive, rezulton se ditën e ngjarjes, shtetasit Altin Zhuri, Hasan Shallari, Jaçe Hajderasi,  Arti (Eduart) Saliasi dhe Benard Alimadhi kane qenë duke udhëtuar me një mjet tip furgon me targa KV1083A që drejtohej nga shtetasi Altin Zhuri, fillimisht në Kuçovë, më pas kanë shkuar në fshatin Kozare. Kur kanë kaluar në vendin e ngjarjes, mjeti ka qenë duke ecur me shpejtësi normale dhe zërin e kasetofonit e kishin të ngritur, ndërsa në lokalin e shtetasit Besim Gjolena, i cili ishte në krah të rrugës, ndodheshin duke pirë shtetasit Bashkim None, Festim Hasanllari, Leonard Kafazi, Lulzim Haxhillari, Gentian Guri në verandën e lokalit dhe brenda në lokal kanë qenë të ulur shtetasit E.S e A.C. (në atë periudhë shtetasi Bashkim None ka qenë efektiv i komisariatit të Policisë Kuçovë). Në çastin kur furgoni ka kaluar pranë lokalit të shtetasit Besim Gjolena nuk ka ndaluar, por ka vazhduar rrugën drejt (Sipas thënieve, çdo mjet që kalonte pranë këtij lokali duhet të ndalonte për të paguar ato që kishin marrë për të pirë shtetasit Bashkim None e Festim Hasanllari). Në momentin që furgoni me targa KV 1083A ka qenë duke e çuar në drejtimin Kozare-Kuçovë, sapo ka kaluar përpara lokalit të Besim Gjolenës, është qëlluar me armë zjarri nga ky lokal, ku për pasojë e kësaj gjuajtjeje ka ngelur i vdekur shtetasi Hasan Shallari dhe janë plagosur shtetasi Altin Zhuri e dëmtuar lehtë shtetasi Jaçe Hajderasi. Ngjarja kishte mbetur pa autor, por gjatë vitit 2003,  mbi bazën e vendimit për rifillimin të hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, ku ishin përcaktuar një sërë detyrash konkrete, janë kryer veprime hetimore, si pyetja e dëshmitarëve, rindërtimi i vendit të ngjarjes, administrimi i motivacionit të nxjerrjes  në lirim për ish-punonjësin e Policisë Bashkim None, është kryer ekspertimi tekniko-balistik i furgonit ku ka qenë viktima, por nuk është bërë i mundur zhvarrimi i kufomës së shtetasit Hasan Shallari, pasi nuk është lejuar nga familjarët në atë kohë. Nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Bashkim None është nxjerrë në lirim me motivacionin “cenim i figurës së ushtarakut”, ndërsa në Komisariatin e Policisë Kuçovë nuk rezulton që shtetasi Bashkim None të jetë pajisur me armë si efektiv Policie në kohën kur ka ndodhur ngjarja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura