Vrau dy veta për një kalë, kapet pas 10 vitesh autori

Oct 31, 2013 | 14:03
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim prej 10 vitesh për vrasje të dyfishtë, është vënë në pranga mbrëmë nga Policia e Tiranës. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë se i arrestuari është Lulzim Markola, nga Dibra, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Markola, i cili së fundmi jetonte në Durrës, është vënë në pranga në një lokal me birra e qofte në Rrugën e Kavajës, pranë Qytetit të Nxënësve, nga forcat e njësisë operacionale të kryeqytetit. I kërkuari është dënuar në vitin 2003 nga Gjykata e Dibrës me 25 vjet burg, pasi akuzohet se ka vrarë dy persona. Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që Markola ka pasur me dy persona në një fshat të Dibrës, pasi i kishin goditur kalin. Kur ka parë kafshën të plagosur, Markola është nisur për t’u sqaruar me dy personat që e kishin goditur dhe ka marrë me vete edhe një armë zjarri që mbante në shtëpi. Në debat e sipër dhe pas një konfrontimi me dy viktimat, Markola u ka drejtuar armën dhe më pas e ka shkrepur disa herë drejt tyre, duke i lënë të vdekur në vend. Më pas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar nga disa dëshmitarë që kanë arritur të shohin momentin e krimit. Gjykata e ka dënuar në mungesë me 25 vjet burg, ndërsa ai është shpallur në kërkim. Prej dhjetë vitesh ai ishte larguar nga Dibra dhe sipas Policisë, jetonte te disa të afërm të tij në periferi të Durrësit. Ndërsa mbrëmjen e djeshme, oficerët e kërkimit të Policisë së Tiranës kanë marrë një informacion në rrugë operative se një person i kërkuar për vrasje ishte në një lokal duke pirë birra me disa persona të tjerë, në afërsi të një spitali privat te Rruga e Kavajës. Drejt vendit për ku është dhënë informacioni janë nisur menjëherë shërbimet e Policisë duke e shoqëruar fillimisht në Drejtorinë e Tiranës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se personi i ndaluar ishte i dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Menjëherë është vënë në dijeni Policia e Dibrës për arrestimin e personit që kishte shpallur në kërkim që prej vitit 2003.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura