Vrasja e tregtarit, asnjë gjurmë e autorëve

Apr 30, 2013 | 12:04
SHPËRNDAJE
Vendi ku u vra tregtari

LUSHNJE- Autorët që vranë dy ditë më parë tregtarin e shumicës së fruta-perimeve në Lushnjë, Dashamir Çyrbja, janë ende të lirë. Policia e Lushnjës i ka identifikuar dhe shpallur në kërkim, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Burime të Policisë bënë të ditur se janë kontrolluar disa banesa ku ata strehohen. Njëri prej tyre është agjenti privat tatimor, emri i të cilit për efekt hetimi nuk bëhet i ditur. Dyshohet se agjenti tatimor e qëlloi me një plumb në qafë 35-vjeçarin, pasi viktima nuk i pagoi taksën. “Dy autorët e dyshuar, njëri prej të cilëve dyshohet se është agjenti privat tatimor, po kërkohen në të gjithë zonën e Lushnjës dhe jashtë saj. Ka dyshime se të dy mund të jenë të strehuar nga miq të tyre brenda qytetit”, bëri të ditur Policia. Në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Lushnjës, por edhe në hyrjet e qyteteve fqinje si Fieri, Berati apo Rrogozhina, vazhdojnë të qëndrojnë grupe të gatshme policore, të cilat po kontrollojnë po ashtu të gjitha mjetet e dyshuara me të cilat mund të udhëtojnë autorët. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e dy autorëve të dyshuar, të cilët kanë shprehur habi për ngjarjen, ndërsa nuk kanë dhënë ndonjë informacion që t’i shërbejë Policisë për gjetjen e të kërkuarve.                            m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura