Vrasja e Balliut, hetohet larje hesapesh për drogën

Jun 30, 2012 | 14:16
SHPËRNDAJE

Bledar Balliu i vrarë në Tiranë

Tiranë, dyshohet telefonata që nxori viktimën nga lokali.

Zhdukja e celularit, Prokuroria kërkon tabulatet.

Prokuroria e Tiranës kërkon zbardhjen e tabulateve të Bledar Balliut për të hedhur dritë mbi telefonatën që e nxori nga lokali të dënuarin për trafik droge para se të qëllohej me shtatë plumba pistolete.
Grupi hetimor i vrasjes në Prokurorinë e Tiranës, pohoi dje se pas zhdukjes së telefonit celular të viktimës, është kërkuar zbardhja e telefonatës së bërë në adresë të Bledar Balliut, në minutat e fundit të ndeshjes Portugali-Spanjë, tri ditë më parë. Balliu së bashku me disa miq ka qenë duke parë ndeshjen në një lokal pranë zonës së banimit te shkolla “Petro Nini Luarasi”. Ai ka marrë një telefonatë rreth orës 23:10 dhe ka dalë nga lokali, por është përballur me vrasësin i cili pasi e qëlloi shtatë herë i ka marrë edhe telefonin viktimës. Në këto kushte, Prokuroria ka kërkuar zbardhjen e numrit që ka telefonuar Balliun në kohën kur ka dalë nga lokali, pasi një gjë e tillë është e mundshme teknikisht nga kompanitë celulare. Dyshohet se telefoni i viktimës është marrë dhe është zhdukur pikërisht për të humbur gjurmët e kësaj telefonate.
Pistat

Vendi ku ndodhi vrasja

Hetimeve për vrasjen e Bledar Balliut mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë i është shtuar edhe një pistë e tretë veç hakmarrjes dhe larjes së hesapeve. Grupi hetimor tha se ka dyshime të forta se vrasësit kanë qenë të njohur të viktimës. Policia ka të dhëna se Balliu edhe pas daljes nga burgu e kishte vijuar aktivitetin dhe mbahej në vëzhgim nga Antidroga. Dyshimet rreth miqve të tij lidhen me mundësinë e fshehjes së provave të krimit nga ana e tyre dhe shkojnë deri aty sa mendohet që Bledar Balliu mund të jetë nxjerrë në pritë nga ndonjëri prej tyre. Këto dyshime grupi hetimor i lidh me faktin e “zhdukjes” së celularit të viktimës, menjëherë pas ekzekutimit të tij me 7 plumba. Policia tha se ka marrë disa deklarime kontradiktore nga ana e dëshmitarit kryesor të ngjarjes, i cili ndodhej në lokal bashkë me viktimën. Ndërkohë hetuesit kanë zbuluar një grup prej 10 personash, kryesisht adoleshentë, të cilët dyshohet se punonin për viktimën, por edhe për disa miq të tij nga Shkodra, që dyshohet se merren me shpërndarje lëndësh narkotike. “Ekziston mundësia e një mosmarrëveshjeje të lindur së fundmi mes miqsh për këtë lloj aktiviteti, që mund të jetë një motiv i fortë për të kryer edhe vrasjen”, tha një burim nga grupi hetimor.
Vrasja
Grupi i përbashkët hetimor i Policisë dhe Prokurorisë dyshoi fillimisht se vrasja e Bledar Balliut kishte të bënte me atentatin ku gjeti vdekjen një vit më parë shtetasi Aleksandër Koliçi. Pas vrasjes së Koliçit, policia e arrestoi Bledar Balliun bazuar në disa konflikte që ai kishte pasur me viktimën. Të dy personazhet ishin akuzuar në një çështje trafiku droge, por Aleksandër Koliçi pas arrestimit bashkëpunoi me Gjykatën dhe përfitoi ulje të dënimit bazuar në deklarimet që dha në ndihmë të hetimit. Gjatë qëndrimit në qeli, por edhe pas daljes nga burgu, mësohet se Balliu dhe Koliçi kanë pasur përplasje mes tyre. Një vit më parë, Prokuroria e Tiranës e la të lirë Bledar Balliun pasi nuk dërgoi asnjë provë në Gjykatë, duke rrëzuar dyshimet e ngritura nga policia se i dënuari mund të ishte ekzekutori i Aleksandër Koliçit.

“Audi” s`ka lidhje me vrasjen
Policia dhe Prokuroria thanë dje se dy personat nga Dukagjini e banues në komunën Rrethina të Shkodrës, Petrit F., 31 vjeç dhe Ermir K., 28 vjeç, nuk kanë lidhje me vrasjen e Bledar Balliut. Ata janë ndaluar për mosbindje ndaj urdhrit të policisë me makinën tip “Audi”, e cila lëvizi pas vrasjes së Bledar Balliut, por mësohet se pavarësisht koincidencës, dy personat nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ata i janë shmangur policisë pasi nuk kishin dokumente. Ndaj tyre ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, vetëm sepse nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar në 4 postblloqet që ishin vendosur përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, deri në Rinas.

Balliu, konflikte në Greqi e Holandë
Tirane – Bledar Balliu është arrestuar nga Policia shqiptare në orën 08:00 të datës 23 maj 2006. Në këtë kohë, nga policia është ekzekutuar urdhri i prokurorëve për ndalimin e shtetasit Bledar Balliu. Ndaj tij gjykata ka vlerësuar masën e sigurisë arrest me burg pasi nga hetimet ka rezultuar se shtetasi nën hetim, Bledar Balliu, akuzohet për trafikimin e një sasie lënde narkotike prej 20 kg hashash më dt. 15.04.2005 nga Holanda për në Greqi, në bashkëpunim me Gëzim Mekaj (Junge) dhe Bisera Pudic. Sipas dosjes penale, kjo sasi lënde narkotike është sekuestruar nga  autoritetet gjermane, ku janë arrestuar këta dy të fundit. Për llogari të trafikut të drogës mësohet se shtetasi Bledar Balliu ka qëndruar në Holandë dhe në Greqi. Gjatë qëndrimit në shtetin helen, Balliu mësohet se ka pasur konflikte me disa persona, çka po hetohet nëse ka qenë shkak i vrasjes në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura