Vrasja e administratorit, autori nuk jep dëshmi mbi ngjarjen

Jul 31, 2012 | 14:13
SHPËRNDAJE
Drejtoria e Policisë, Fier

FIER – “Po, unë i qëllova bashkëshortët”. Kaq ka folur Oltion Toro, autori i dyshuar për vrasjen e administratorit të pallatit ku jetonte, Nasi Mema dhe plagosjen rëndë të Angjelinës, bashkëshortes së tij. Edhe një ditë pas arrestimit autori nuk ka pranuar të japë më shumë detaje rreth ngjarjes, ndërsa në procesverbalin e mbajtur prej grupit të hetimit nuk ekzistojnë të tjera të dhëna. Këto pak fjalë autori i përsërit shumë herë në ambientin e izolimit, madje edhe atëherë kur nuk e pyesin, çka flet për një tronditje psikike të autorit pas vrasjes. Burimet nga grupi i hetimit bëjnë me dije se kanë pritur reagimin e autorit lidhur me versionin që ai mund të japë për këtë ngjarje, por 36-vjeçari nuk ka dashur të flasë. Mësohet se hetuesit e kanë pyetur nëse do që ta dijë se cili nga bashkëshortët ka shpëtuar dhe cili ka ndërruar jetë, por ai prapë nuk ka reaguar. Ndërhyrjet e tyre kanë qenë edhe duke i thënë se nëna e tij qan dhe e pret në shtëpi, por ai ka zgjedhur heshtjen duke përsëritur të njëjtën frazë. E ndërsa ai ka zgjedhur këtë mënyrë sjelljeje, do të jenë togat e zeza ato që do të vendosin sot për vlerësimin e masës së arrestit. Ndërkohë mjaft e rëndë është paraqitur gjendja shëndetësore e Angjelina Memës, gruas së plagosur. Megjithëse mjekët po e mbajnë nën kontroll, ditën e djeshme ajo është paraqitur mjaft rëndë. Mjekët ende nuk japin shpresa për jetën e saj, duke ndjekur në mënyrë permanente gjendjen. Krimi ndodhi mesditën e së shtunës në një pallat të ri të lagjes “Apollonia”.               m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura