Vodhën 13 mijë euro, tre të mitur akuzohen se grabitën italianen

Jul 31, 2013 | 13:10
SHPËRNDAJE

Vendi ku ndodhi grabitja
TIRANE – Tre të miturit që vodhën 13 mijë euro tri ditë më parë në një pikë të këmbimit valutor, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, janë lënë të lirë për shkak të moshës. Ata akuzohen nga policia edhe për tentativën e grabitjes së shtetases italiane, e cila u plagos ditën e diel, pasi tentuan t’i marrin varësen nga qafa. Lajmi është bërë i ditur dje nga Policia e kryeqytetit, e cila tha se njësia elitë e forcave të rendit “Shqiponja” ndaloi në flagrancë ditën e hënë të miturit me iniciale R. S, 13 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Y.S, 10 vjeç, të proceduar disa herë më parë për kryerjen e veprës penale të vjedhjes në bashkëpunim. Këta shtetas, sipas Policisë, dyshohet se të hënën, rreth orës 11:30, në Rrugën e Durrësit, në agjencinë “Grejsi” në pronësi të një shtetaseje, kanë vjedhur 13 000 euro. Të miturit dyshohet se janë nxitur nga shtetasi Besnik Përparim Koroni, 25 vjeç, lindur ne Poliçan Skrapar dhe banues në Tiranë. Burimet zyrtare thanë se ky shtetas në mënyrë të përsëritur dyshohet se ka detyruar të miturit R.S., Y.S dhe A.S në kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”. Nga Policia mësohet se menjëherë pas ngjarjes, është bërë edhe arrestimi në kushtet e flagrancës, me dyshimin se është tutor i të miturve dhe nxitës në implikimin e tyre në vepra penale. Policia tha se pas ngjarjes është bërë arrestimi në flagrancë i shtetases B.M., pasi në ambientet e Exchange i është gjetur një armë zjarri pistoletë, tip “Glow Mini”. Nga pyetja e të miturve në prani të psikologes, është mësuar se ata janë autorë edhe të dy vjedhjeve të tjera. Fëmijët dyshohet se më 17 janar 2013, në Rrugën e Durrësit, kanë vjedhur argjendari “Roza”, në pronësi të një shtetaseje dhe tri ditë më parë, më dt. 28 korrik 2013, në Rrugën e Kavajës, kanë tentuar  t’i vjedhin varësen e floririt nga qafa shtetases italiane M.P.                                               t.s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura