Vlorë, asnjë ngjarje në dy ditë festë, 1000 policë ruajtën rendin

Nov 30, 2012 | 11:57
SHPËRNDAJE
Gjatë festimeve në Vlorë

VLORE/ Vlora përmbylli dy ditë festime pa shënuar asnjë ngjarje që mund të cenonte sigurinë dhe jetën e pjesëmarrësve. Rreth 1000 efektiva të Policisë dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe 250 automjete, kanë qenë në dispozicion në datat 27 dhe 28 Nëntor. Në dy ditët ku Vlora u kthye në “kryeqytet” të miliona shqiptarëve, forcat e rendit arritën të mbanin në kontroll situatën dhe të mos shënohej asnjë incident që do të mund të prishte atmosferën festive të 100-vjetorit të pavarësisë. Ky ka qenë plani operacional më i madh i hartuar dhe zbatuar në terren deri më sot për sa i përket garantimit të rendit dhe sigurisë publike, për shkak të numrit të madh të qytetarëve, si dhe personaliteteve shtetërore që morën pjesë në festimet e Vlorës. Të gjitha uniformat dhe strukturat kanë qenë një, në ndihmë të njëri- tjetrit, për të garantuar qetësi dhe rend gjatë festave, në ndihmë të qytetarëve. Në përballimin e një qetësie absolute në ndihmë të uniformave blu të Vlorës ishin edhe punonjës të Policisë nga rrethe të tjera, si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ashtu siç ishte parashikuar, në ditët e festës morën pjesë rreth 1 milion qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, si dhe emigrantë nga shumë shtete të botës. Kreu i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, falënderoi dje qytetarët, të cilët ndihmuan në mbarëvajtjen e festimeve në këtë përvjetor të madh të pavarësisë. “Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët që ishin në sheshet dhe rrugët e Vlorës, të cilët na ndihmuan në mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta. Falënderojmë të gjitha institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese, që kanë bashkëpunuar ngushtësisht me Policinë për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, të gjithë qytetarët që kanë treguar pjekuri dhe i janë përgjigjur më së miri thirrjes publike të Policisë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e festës dhe të qetësisë në qytet. Së fundi, një falënderim të veçantë për të gjitha mediat, për pasqyrimin e situatës me realizëm, si dhe ndihmën që i kanë dhënë Policisë”, u shpreh kreu i Policisë së Vlorës.

Nata e Bardhë,  festë e vakët
Ditët festive në Vlorë u përmbyllën mbrëmë me një koncert të organizuar nga Bashkia e qytetit për “Natën e Bardhë”. Në sheshin e Skelës u mbajt një koncert festiv, por për shkak të motit të keq dhe erës së fortë, zgjati vetëm rreth një orë. Ndërkaq, atmosfera në qytet ka qenë disi e vakët, kjo ndoshta edhe për shkak të lodhjes nga festa që nisi që më 27 dhe kulmoi më 28 Nëntor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura