Vjedhja në BSH, Llalla: Nuk dimë ku janë paratë

Oct 31, 2014 | 12:59
SHPËRNDAJE

Adriatik Llalla gjatë intervistës në VOA
Hetimet e deritanishme mbi vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë ende nuk kanë zbardhur se ku kanë përfunduar paratë. Fakti u konfirmua nga prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Kryeprokurori u shpreh se deri tani përfaqësuesit e akuzës nuk kanë një të dhënë konkrete për mënyrën si dhe vendin ku kanë përfunduar paratë. Në lidhje me masën e sigurisë ndaj ish-guvernatorit të Bankës, kryeprokurori tha se vlerësimi i prokurorive të çështjes ishte masa e “arrestit me burg” me qëllim që të mos dëmtoheshin provat që ishin në proces hetimi. Në vijim zbardhet me shkurtime intervista e dhënë nga kryeprokurori Llalla.

Zoti Llalla, në Shqipëri korrupsioni është problem, ashtu si edhe për vende të tjera të rajonit, por në Shqipëri është një prirje tepër e theksuar. Ju para disa muajsh keni premtuar se do të merrni masa dhe se po merren masa dhe hetime, suksesi i të cilave do ta afronte së tepërmi vendin me Bashkimin Europian. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Është fakt që Prokuroria shqiptare gjatë vitit 2014 ka pasur në hetim dhe vijon të ketë procese hetimi për një numër të madh zyrtarësh të niveleve të ndryshme, përfshirë të zgjedhur vendorë, prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të niveleve të tjera të larta, për të cilët proceset e hetimit janë ende në vijim. Ne synojmë që me goditjen e këtij fenomeni, i cili pengon vërtet të ardhmen europiane të vendit, ta afrojmë edhe më tej Shqipërinë drejt kësaj të ardhmeje.

Ka diçka konkrete në këtë mes?
Pa diskutim, ne kemi pasur mjaft rezultate konkrete në këtë aspekt. Gjatë këtij viti ne kemi kaluar për gjykim, kemi përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim një numër të lartë zyrtarësh, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, të zgjedhur vendorë apo zyrtarë të niveleve të tjera të ndryshme. Rezultatet konkrete të hetimeve vijojnë edhe për mjaft zyrtarë të tjerë shqiptarë.

Megjithatë, në rajon janë bërë arrestime të zyrtarëve të lartë të këtyre vendeve. Kam parasysh rastin e Kroacisë apo edhe vende të tjera të rajonit. Ndërsa në Shqipëri kryesisht janë dërguar para drejtësisë punonjës jo të nivelit të lartë. Si e shpjegoni ju këtë fakt?
Varet se si do të shihet. Gjykojmë se në prizmin tonë ne kemi dërguar përpara gjykatës, ashtu siç nuk ka ndodhur në të gjitha vendet e tjera të rajonit, gjyqtarë apo prokurorë, që rasti i parë është Shqipëria që brenda vitit janë dërguar para gjykatave pesë gjyqtarë dhe një prokuror të akuzuar për veprën penale të korrupsionit, po ashtu të zgjedhur vendorë të bashkive kryesore të vendit, përfshirë Bashkinë e Vlorës, Bashkinë e Kamzës apo disa bashki të tjera – zyrtarë të nivelit të cilët rivalizohen me pozicione të ministrave apo më tej, ndërkohë kemi në proces hetimi zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë.

Meqë përmendët rastin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ju keni kërkuar zgjerimin e hetimeve, a bëhet fjalë këtu për çarje në sistemin e sigurisë së Bankës, apo ka problem më madhore?
Është një hetim i cili është në proces. Prokuroria ka përfunduar hetimet për mjaft zyrtarë të nivelit të ulët të kësaj banke, të cilët janë tashmë në proces gjykimi. Hetimet vazhdojnë për zyrtarë të nivelit drejtues të Bankës. Dyshimet nëse ata janë apo jo të përfshirë drejtpërdrejt në vjedhjen e realizuar në Bankën e Shqipërisë, apo në mospërmbushjen në mënyrë korrekte të detyrës së tyre do të provohen në vijim, gjatë hetimeve të këtij rasti.

A dihet fati i kësaj shume të madhe, për të cilën është thënë se është përdorur në lojëra fati?
Ku është hetimi në këtë pistë? Nga hetimet e deritanishme nuk kemi një të dhënë konkrete për mënyrën se si dhe vendin se ku kanë përfunduar këto para.

Përse kaluat në vendimin e arrestimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa pritet një përgjigje nga Gjykata e Apelit? Përse ju keni insistuar se ai duhet të rikthehet në burg?
Në rastin konkret, prokurorët që merren drejtpërdrejt me rastin vlerësuan që Guvernatori i Bankës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj Banke, të hetoheshin nën masën e sigurisë arrest në burg me qëllim që të mos dëmtoheshin provat që ishin në proces hetimi. Vendimi, kërkesa e prokurorëve është mbështetur nga dy shkallë të gjykimit dhe tashmë rekursi është paraqitur nga ana e prokurorisë; ai është në pritje në Gjykatën e Lartë, ashtu siç është edhe rekursi nga ana e mbrojtjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura