Viti i Ri ’12, mesazhi i kryeministrit Berisha

Dec 31, 2011 | 19:01
SHPËRNDAJE

Kryeministri Sali Berisha i eshte drejtuar me nje mesazh urimi te gjithe shqiptareve, nepermjet te cilit i ka uruar per Vitin e Ri.

Me poshte mesazhi i plote i kryeministrit Berisha drejtuar shqiptareve.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, bashkëkombase dhe bashkëkombas të mij kudo që gjendeni sot,

Të dashur fëmijë, të moshuar, të reja e të rinj,

Motra dhe vëllezër,

Zonja dhe Zotërinj,

Para se ora të shënojë me akrepat e saj ndërrimin e viteve unë si familjar, si mik e dashamirës, si qytetar por edhe si Kryeministër, dua të vij afër jush, të ndaj me ju gezimin e kësaj nate dhe të bashkoj mesazhin e urimit tim, të familjes sime dhe të qeverisë me mesazhet e shumta që ju merrni sonte me kartolina, letra, SMS, facebook, twitter, dhe me shumë përzemërsi të uroj sejcilin prej jush dhe të gjithë të dashurit tuaj, të gjithë shqiptarët:

Gëzuar Vitin e Ri 2012, vitin e Flamurit tonë!

Le të sjellë viti i 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, shumë gëzime, shëndet, lumturi dhe suksese për çdo njërin prej jush, në çdo zemër dhe vatër shqiptare kudo që festoni sonte, në shtëpitë tuaja, lokalet me miq e të dashur, brenda apo jashtë vendit, në misione diplomatike, misione paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje apo gjetiu, në udhëtime, në spitale, institucione të vuajtjes së dënimit!

Gëzuar të gjithëve!

Por unë, një urim të veçantë kam për të gjithë ata qytetarë që përjetuan gjatë vitit që po kalon, dhimbje, pikëllime shpirtërore nga skamja, sëmundja apo humbja e njerëzve të tyre më të dashur, duke ndarë me ju dhimbjet e pamerituara ju uroj:

Një vit të ri siç jua do zemra për të gjithë Ju, Gëzuar!

Zonja dhe Zotërinj,

Në një meditim të duhur në këtë prag të ndërrimit të viteve, do të gjejmë se, pavarësisht nga vështirësitë, mundin e ndofta sakrificat dhe dhembjet që edhe mund të kemi përjetuar, unë jam i bindur se ka njëmijë e një arsye për të shprehur mirënjohje të thellë, nderim dhe krenari për vehten dhe njëri-tjetrit, për përpjekjet dhe sukseset tona gjatë vitit që lamë pas. Viti 2011 me arritjet e tij, ishte një vit përcaktues në realizimin e projektit ëndërr të shqiptarëve  të të gjitha kohërave – Shqipëria vend i zhvilluar!

Viti 2011 do të mbahet mend si viti i parë në të cilin 450 mijë shqiptarë udhëtuan të lirë, pa viza, në mbarë Europën.

Viti që lamë pas, ishte viti që agjensitë turistike më prestigjioze në botë, shpallën Shqipërinë “të bukurën e dheut”, destinacionin turistik kryesor të planetit. Në të vërtetë, Shqipëria me bukuritë e saj magjepsëse turistike, priti dhe përcolli në siguri të plotë këtë vit, mbi katër milionë turistë dhe vizitorë, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre me mbresat e bukurive magjepsëse të brigjeve tona, ngrohtësisë më njerëzore të mikpritjes sonë.

Viti 2111 ishte viti i krizës më të rëndë financiare për Europën dhe fqinjët tanë. Kjo krizë e pashembullt, shkaktoi rënie të madhe prodhimi, ulje të ndjeshme të rrogave, pensioneve dhe rritje të papunësisë.

E kundërta ka ndodhur në Shqipëri. Modeli ynë ekonomik liberal, bëri që ekonomia shqiptare, të shpallet njëra nga dy ekonomitë më solide në Europë. Eksporti i mallrave u dyfishua në krahasim me vitin 2009, investimet e huaja nga 38 milionë dollarë që ishin mesatarisht në 8 vitet para vitit 2005, u rritën një milliard dollar, pra pothuaj 30 herë. Shqipëria e vitit 2011 renditet ndër 10 vendet më të mira në regjistrimin e bizneseve dhe për administratën e vogël. Ne ishim ndër të vetmet vende që falë realizimit të të ardhurave buxhetore rritëm si asnjë vend tjetër rrogat dhe pensionet, këtë vit të ardhurat minimale, pensionet në qytet arritën 13200 lekë, rrogat e ulta dhe të mesme u bënë 120% më të larta se në vitin 2005, kursimet dhe kreditimi patën rritje dyshifrore. Papunësia pësoi rënie të ndjeshme.

Këtë vit vdekshmëria foshnjore ishte një-shifrore dhe shqiptarët lanë prapa në vdekshmëri amtare dhe të të rriturve si dhe në rritjen e jetëgjatësisë, disa vende të zhvilluara.

Shqipëria dixhitale shënoi arritjet më të mëdha. Në disa tregues të moshës dixhitale Shqipëria u rendit e dyta në botë për rritjen e tyre, treguesi i përdorimit të internetit  është mbi 50% dhe po shkon drejt nivelit mesatar të vendeve të BE-së. Mbi dy milionë qytetarë lundruan falas në internet. Përdorimi i telefonise celulare ka një ndër nivelet më të larta në Europë, tarifat e tyre kanë pësuar rënie të mëdha. Teknologjia 3G është shtrirë në të gjithë vendin.

Në vitin 2011, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, u përfunduan apo janë në ndërtim dhe përfundim e sipër mbi 1350 Km rrugë, autostrada, superstrada, rrugë rurale, dytësore, tretësore në fshatrat dhe qytetet e vendit. Ky vit shënoi fillin e auostradës Tiranë-Elbasan që afron pothuaj me një orë Elbasanin dhe jug-lindjen e Shqipërisë, por edhe Tetovën dhe Shkupin me Tiranën. Po vazhdon ndërtimi i rrugës së Arbrit, boshtit të jugut.

Ky ishte viti vendimtar për  përfundimin gjatë 2 viteve që vijnë të rrjetit  rrugor  më të ri, më modern në rajon dhe më gjërë, i cili do të bëjë të mundur  që shqiptarët nga çdo skaj i këtij vendi për 2-2orë e 30 minuta, të arrijnë në Tiranë, të kursejnë mbi 60% të kohës së tyre.

Shndërrime të mëdha jënë arritur në fushën e edukimit. Vitin që kaloi 91.5% e fëmijëve tanë që mbaruan klasën e 9-të, hynë në shkollën e mesme. Mbi 70% e maturantëve tanë, ulen në auditorët e  universiteteve të vendit. Numri i studentëve në Shqipëri arrin në 140 mijë. Shqipëria  ka sot rreth 49 studentë për 1000 banorë. Ajo tejkaloi për herë të parë mesataren e vendeve të BE, student për 100 banorë.

Shqipëria hyri në rrugën e pakthyeshme të zhvillimit të qëndrueshëm jeshil. Dhjetra hidrocentrale në të katër anët e vendit janë në ndërtim e sipër apo janë ndërtuar. Ajo po shfaqet para biznesit ndërkombëtar çdo ditë e më shumë si një Norvegji e vogël në gadishullin e Ballkanit.

Viti që lamë pas, ishte viti në të cilin pasioni i fermerëve tanë për të shndërruar Shqipërinë në kopështin e bukur të Europës juglindore, u bë më i madh se kurrë. Dy projektet e mëdha kombëtare: i ullirit dhe arrorëve po lëshojnë shtat me shpejtësi. Me këto drurë frutorë u mbollën këtë vit mbi dy mijë ha. Eksportët bujqësore të shumë zërave u dy-tre fishuan.

Gjatë vitit 2011 ne, natyrisht që nuk ecëm në një bulevard apo kopësht me lule. Në 21 Janar të këtij vit, u përballëm me tentativën e përmbysjes me dhunë të institucioneve kushtetuese dhe më pas, me rrethimin e egër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përpjekjen për të ndaluar me forcë numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë.  Por, shqiptarët gjithashtu provuan funksionimin e shtetit të tyre ligjor, rendit të tyre kushtetues demokratik.

Po kështu, statusi i vendit kandidat iu mohua Shqipërisë, vetëm e vetëm se opozita bllokoj në parlament miratimin e ligjeve me tre të pestat dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit për dy vjet me radhë. Mirëpo sot, një marrëveshje është arritur, kjo situatë është kapërcyer. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithshka për integrimin e vendit në BE.

Në vitin që lamë pas, ne kaluam me sukses dy procese themelore për jetën e çdo vendi.

Në 8 Maj ne patëm zgjedhjet vendore, pavarësisht nga klima në të cilën ato u zhvilluan, zgjedhjet e 8 Majit janë zgjedhjet e para në historinë e vendit që u vlerësuan si kompetitive dhe trasperente.

Në këto zgjedhje të lira, ju dhatë mbi 140 mijë vota më shumë për kandidatët dhe partitë e koalicionit qeveritar, duke shprehur vlerësimin tuaj për reformat dhe përpjekjet e Qeverisë për shndërrimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar. Unë ju garantoj ju se, sa herë të votoni ndën qeverisjen e këtij koalicioni, do të votoni si qytetarë të një vendi të lirë.

Në vjeshtën që kaloi, u zhvillua censusi i popullsisë dhe banesave të vendit. Të dhënat e para të tyre, kanë befasuar çdo shqiptar. Në fotografinë e tij të parë të Shqipërisë, ky census faktoi se ju, gratë dhe burrat e këtij vëndi, me lumenjtë e djersës që keni derdhur dhe insiativën e lirë keni bërë që ne, shqiptarët, të cilët në agim të vitit ’90 kishin vetëm 219 banesa për një mijë banorë, të kemi sot, pas 22 vjetësh mbi 380 banesa për një mijë banorë, duke lënë prapa në këto tregues kryesorë 4-5 vende anëtare të OECD dhe BE. Censusi fakton se, ndërtesat në qytetet tona janë rritur nga 76 mijë që ishin në vitin 1989 arritën në 250 mijë në vitin 2011, pra 340%. Rezultatet e censusit të vitit 2011 dëshmojnë se, kombi ecën me shpejtësi drejt shndërrimit në një komb urban, kusht përcaktues ky për një vend të zhvilluar. Kështu sot, rreth 53% e shqiptarëve jetojnë në qytete, nga vetëm 47% që jetonin 10 vjet më parë.

Zonja dhe Zotërinj,

Viti 2012 që po troket në dyert dhe zemrat tona, do të jetë viti i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Le ta shndërojmë, ne së bashku, këtë vit në jubileun e një nderimi të madh të të gjithë atyre që duke flijuar jetën dhe atyre që me mundin, djerësën e tyre bënë të mundur, që Shqipëria të bëhet 100-vjeçare si vend i lirë dhe i pavarur.

Por, mbi të gjitha, le ta shndrrojmë në vitin e Flamurit tonë, në një vit përcaktues për integrimin e  Shqipërisë në BE, shndrrimin e mëtejshëm të saj në një vend të zhvilluar.

Unë mbetem i përkushtuar dhe jam i bindur se, së bashku, do të realizojmë objektivat tona fisnike, të shkollimit më të mirë, të punësimit më të madh, të rritjes së rrogave dhe pensioneve, të shërbimive më cilësore për ju. Shqipëria po ndryshon, dhe ajo, vitin e ardhshëm, me shpejt do të ndryshojë.

Gëzuar Vitin e Ri 2012!  Vitin kurorë në ballin fisnik të dheut tonë të dashur, viti i 100 vjetorit të Pavarësisë!

Zoti ju bekoftë Ju, Shqipërinë, Flamurin dhe miqtë e saj kudo në botë!

Gëzuar!”

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura