Viti i ligjit të mbrapshtë

Oct 12, 2015 | 13:04
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇILuciano-Boci

    Nuk mund të them se atmosferën e vitit të ri akademik e dëmtoi apo e sfumoi atmosfera futbollistike. Përkundrazi duhej të ishin të sintonuara bashkë. Aq më tepër që vetë Ministria e Arsimit dhe e Sportit “dashurinë” e saj për futbollin e shfaqi nëpërmjet mikpritjes së studentëve tifozdashës serbë. Që asaj i mungon diçka, kjo duket qartë. Ndonëse Ministria me shumë entuziazëm njoftoi se hyri në fuqi ligji i ri i arsimit të lartë, askush nuk u gëzua kaq shumë përpos atyre që e lancuan. Indiferentizmi i pedagogëve e stafeve universitare përmbledh brenda vetes shumë mesazhe.

Heshtja “klasike” dhe gëzimi i matur që ndjek sot korridoret e akademizmit, përcjell dukshëm një mosaprovim të mbarsur me shqetësime legjitime për atë që do të ndodhë në këtë “botë” kaq specifike. Ata që e përkthejnë “qetësinë” e kësaj dite në sukses ligjor apo aq më keq në fitore, duket që nuk e njohin saktë ose aspak. Madje duket që interesimin për të e kanë të mangët dhe të vogël. Zhvlerësimi i zërit të forumeve të pavarura akademike e studentore, që u investuan pa rezerva për të ndrequr të pandreqshmen, nuk mund të mbulohet sot me tymin e urimeve shabllone dhe buzëqeshjet stampë. Frika për t’i dëgjuar ata dhe njëherë pas rrëzimit të ligjit nga Presidenti dëshmoi përsëri hapur se investuesit e hartuesit e tij duan “qetësisht” realizimin e interesave përtej atyre universitare.

I konkluduar më shumë si marrëveshje midis palëve të interesuara “për të bërë biznes”, që zakonisht thirren “klientë”, sesa si përpjekje për reformë, ligji i ri çfokuson misionin publik iluminist të Universiteteve. Me asnjë investim infrastrukturor prej dy vitesh, shteti i braktis ata dhe ua dorëzon ekzistencën e tyre “rregullave” pa rregulla të një konkurrence që pa nisur ende e ka të përcaktuar fituesin. Formati që u imponohet atyre brenda ligjit (universitet Publik i pavarur), pas afatit dyvjeçar të përcaktuar, nuk ka asgjë të përbashkët me atë çka përfaqëson një Universitet publik.

Më shumë i ngjan një ndërmarrjeje (universitare) që vetëm shet dhe blen, pavarësisht cilësisë dhe tregut të punës. Vetë përfaqësuesit e segmente shtetërore do të rrëmbejnë një pronë që askush nuk ia ka lënë trashëgim dhe që realisht duhet t’i përkasë vetëm publikut. I ndërtuar mbi një shtrat antikushtetues që cenon autonominë universitare e lirinë akademike ai degradon pozitën e akademikëve. Vlerësimi i tyre mjeran financiar, tanimë bëhet dhe i pasigurt. Me tituj shkencorë jokombëtarë, krejtësisht të stigmatizueshëm dhe të pavlerë, vendi i punës së tyre bëhet plotësisht i atakueshëm politikisht dhe i hapur akoma më shumë ndaj joshjes korruptive që dhe sot ka cenuar rëndë reputacionin e tyre.

Fuqia vendimmarrëse e organeve akademike zhvlerësohet përpara formulave financiare të klaneve administrative me varësi direkte përfaqësuesin politik të Ministrit. Ligji çorienton studentin, duke ia paraqitur atij dijen vetëm si një mall tregu, çmimi i së cilës nuk përcaktohet nga vlera e transmetuar, por nga mekanizmat ekstra dije. Cilësia e përfolur e mësimdhënies, së cilës nuk i shërben asnjë modifikim ligjor, nuk e motivon atë edhe sikur të jetë e pranishme. Tarifat e pafundme që do të paguajnë familjet e studentëve janë aq shumë sa një pjesë e tyre në pamundësi financiare dhe për të përballuar kredinë e ofruar jodrejtësisht, do ta mbyllin ëndrrën e tyre në sirtarin e radhës. Ata që do të arrijnë të marrin një diplomë thjesht do ta paguajnë atë më shumë se paraardhësit e tyre, pasi cilësisht do të jetë ose e njëjtë, ose më poshtë.

Nga sot të gjithë kanë nisur “betejën” për ekzistencë dhe jo sfidën për dijen: Universitetet, pedagogët, studentët. Të gjithë të lënë në mëshirë të fatit. Disa nga Universitetet do t’i dorëzohen falimentit. Disa do të shndërrohen në kolegje të përbuzura përjetësisht. Ndonjë mund t’ia dalë, por vetëm duke humbur sharmin universitar. Pedagogët do të zbresin dhe ca
shkallë në hierarkinë e vlerave që imponon shoqëria. Pak për faj të tyre e më së shumti për shkak të pozitës së imponuar. Studentët shndërrohen në makineta që prodhojnë të ardhura dhe formalisht marrin diploma.

E vetmja shpresë për të penguar pasojat e paralajmëruara me shqetësim nga përfaqësuesit e pedagogëve, studentëve e politikës është rrëzimi që mund t’i bëjë Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të tij që po bën opozita politike.
Ka dhe një rrugë më radikale, gjithsesi efikase, e cila vjen pas urimit për suksese e vit të mbarë!
Është protesta studentore dhe e profesoratit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura