Vidhet libri i Blushit, padi shtypshkronjave pirate

Jul 31, 2014 | 12:46
SHPËRNDAJE

Libri “profetik” i Ben Blushit ka rënë pre e piraterisë. Kemi dëgjuar rëndom për botime librash të autorëve të huaj pa marrë të drejtën e autorit, por kësaj here flitet për një shkrimtar shqiptar në kulmin e karrierës së tij si shkrimtar dhe politikan. Bëhet fjalë për librin më të fundit “Hëna e Shqipërisë”, një botim i “UET Press”, i cili iu dha lexuesve pak muaj më parë. Shtëpia botuese “UET Press” ka verifikuar këtë fakt në tregun e librit, nga ku kanë kërkuar tërheqjen e të gjitha kopjeve dhe ka përgatitur aktpadinë për ato shtypshkronja që kanë ndërmarrë aktin e shumëfishimit të paligjshëm të librit të Blushit. Botuesit ranë në gjurmë të këtij fakti, për shkak të rënies së kërkesave për tërheqjen e këtij libri pranë shtëpisë së tyre botuese nga ana e librarëve. Kjo “rënie interesi” i ka shtyrë ata të bëjnë një hulumtim tregu, ku janë ndeshur me kopje pirate të librit të tyre, i cili në pamje të parë ndryshonte pak nga  origjinali. Botuesit kanë kërkuar tërheqjen e këtyre kopjeve, duke qenë se ata gëzojnë të drejtat mbi këtë vepër mbi bazën e një kontrate 7-vjeçare me autorin. Gjithashtu ata shprehen se do të padisin shkelësit e Ligjit për të drejtën e autorit. Libri i Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë” doli në qarkullim disa muaj më parë. Një vepër ku shkrimtari politikan ofronte një panoramë të së ardhmes së Shqipërisë, duke i bërë skaner së tashmes. Cila do të jetë e ardhmja e politikës, ekonomisë, religjionit, arsimit, gjuhës… Një libër që nuk të linte indiferent dhe ngrinte teza të rëndësishme për debat. Siç duket, këto tipare të veprës së Blushit kanë joshur edhe piratët e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura