Vidhet kasaforta me 10 mijë USD, pronari dyshon tek rrethi shoqëror

Jan 31, 2013 | 12:04
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një kasafortë me rreth 10 mijë dollarë u vodh dje në mes të ditës, brenda një vile dykatëshe te Liqeni i Thatë, pranë zonës së Saukut të Vjetër, në kryeqytet. Kasaforta e vjedhur është në pronësi të Petro Dh., 48 vjeç, i cili prej dhjetë ditësh ishte kthyer nga Gjermania, ku jetonte prej vitesh. Në shtëpinë ku ndodhi vjedhja, ai jetonte vetëm gjatë ditëve që ishte kthyer nga Gjermania, ndërsa gruaja dhe 4 fëmijët ndodhen jashtë shtetit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autorët e ngjarjes kanë thyer dritaren e një prej dhomave të katit të parë dhe janë futur brenda duke marrë nga aty kasafortën. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, përveç thyerjes së xhamit të dritares, nuk është konstatuar asnjë rrëmujë në shtëpi, gjë që për Policinë shpjegon faktin se autorët e kanë ditur mjaft mirë vendndodhjen e kasafortës dhe janë drejtuar vetëm aty, pa prekur asgjë tjetër. Policia e Komisariatit Nr.1 ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku ka fiksuar edhe disa gjurmë gishtash në dritaren e thyer, ndërsa pak metra larg shtëpisë është gjetur edhe kasaforta e boshatisur. Ndërsa nga deklarimet që ka dhënë në Polici, gjatë kallëzimit për vjedhjen e ndodhur në banesën e tij, Petro Dh. ka dyshime se autorë apo organizatorë të ngjarjes mund të jenë një vajzë dhe 2 miq të tij, që kanë qenë në dijeni për paratë që ndodheshin në kasafortë. Ai ka shpjeguar se hajdutët mund të kenë synuar një shumë edhe më të madhe se ajo që është vjedhur, pasi një ditë para ngjarjes kishte tërhequr nga banka 50 mijë dollarë. Por nga këto para, 40 mijë dollarë ka paguar një borxh që ia kishte një mikut të tij dhe pjesën e mbetur e kishte siguruar në kasafortën që mbante në shtëpi. Burime nga grupi hetimor thanë se janë fiksuar gjurmët e gishtave dhe disa prova të tjera në vendin e ngjarjes, që kanë sjellë edhe identifikimin e autorit. Të njëjtat burime konfirmuan se i dyshuari me iniciale M.S tashmë është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Identifikimi i tij ka ardhur jo vetëm falë provave të siguruara në shtëpinë ku ndodhi vjedhja, por edhe nëpërmjet celularit, pasi është zbuluar se rreth orës që ka ndodhur vjedhja, 14:30, i dyshuari ka kryer një bisedë telefonike pranë vendit të ngjarjes. Emrin e autorit të dyshuar nga ana e Policisë e ka pohuar edhe vetë i dëmtuari, i cili ka shpjeguar se e njeh e madje edhe dyshon se mund të jetë ai autor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura