Videoja Prifti-Beqiraj, Gjykata e Lartë shtyn gjyqin për në vjeshtë

Jun 30, 2012 | 14:12
SHPËRNDAJE
Dritan Prifti duke dalë nga Gjykata e Lartë

TIRANE – Gjykimi i dosjes në ngarkim të ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe ish-zëvendësit të tij, në Gjykatën e Lartë, do të rifillojë në vjeshtë. Gjykata e Lartë caktoi dje datën 10 shtator për seancën e radhën ndaj dy ish-funksionarëve të akuzuar për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, të kryer në bashkëpunim. Seanca e djeshme e këtij procesi zgjati më pak se 5 minuta. Ajo u ndërpre për shkak të mosformimit të trupës gjykuese. Me hyrjen e Kolegjit Penal në seancë u vu re mungesa e gjyqtarit Aleksandër Muskaj. Relatorja Mirela Fana tha për palët se gjyqtari Muskaj nuk ishte i pranishëm për arsye objektive. Shtyrja e gjatë u argumentua me ngarkesën e lartë me çështje gjyqësore në këtë gjykatë. “Për shkak të ngarkesës së lartë në Gjykatë, seanca e ardhme gjyqësore caktohet për t’u zhvilluar më 10 shtator 2012″, vijoi më tej relatorja. Në seancën e djeshme pritej të shqyrtoheshin provat materiale, ku mund të shfaqej edhe video-përgjimi, i cili i çoi si të pandehur Priftin dhe Beqirajn. Në seancat e mëparshme, palët kanë paraqitur pretendimet e tyre në lidhje me provat. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nga hetimet rezulton e provuar se Prifti dhe Beqiri kanë marrë shpërblime të pamerituara në shumën 69 mijë euro, të cilat i kanë ndarë midis tyre. Ndërsa avokatët kanë pretenduan se akuza ndaj klientëve të tyre është e pabazuar dhe se fakti penal nuk ekzistonte. Procedimi penal ndaj ish-ministrit Prifti dhe ish-zëvendësit të tij Beqiraj u regjistrua pas nisjes së hetimeve për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta. Gjatë ekspertimit të orës përgjuese të Priftit për llogari të hetimit ndaj Metës, eksperti riktheu një video. Në këtë video, e bërë publike tashmë, shfaqen Prifti dhe Beqiraj duke ndarë një shumë parash me njëri-tjetrin. Në Gjykatën e Lartë, Prokuroria dhe avokatët kanë deklaruar se nuk kanë asnjë dëshmitar për të paraqitur në gjyqin ndaj Priftit e Beqirajt. Pas deklaratës së Prokurorisë se nuk kishte dëshmitarë, edhe avokatët tërhoqën listën me emrat e dhjetë personave.            ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura