Video / Kush është Romuald, afrikani i Tiranës i fiksuar pas Kaka

Aug 11, 2016 | 14:41
SHPËRNDAJE

Vjen afrikani i parë te Tirana. Tashmë nuk ka më “mistere”, pasi dje klubi ka lajmëruar afrimin e njërit prej sulmuesve që po vëzhgoheshin prej kohësh. Romuald Ntsitsigui, i cili luan në Kombëtaren e Gabonit, është përforcimi i parë për sulmin bardheblu.

Romuald Ntsitsigui Ewouta

Prej mbrëmjes së të martës ai ka “zbarkuar” në kryeqytet, ndërsa vetëm dje pasdite është vendosur nën urdhrat e Ilir Dajës. Ende nuk mund të flitet për zyrtarizim, pasi fillimisht ai do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore, megjithatë nga sa mësohet firma mund të jetë vetëm një formalitet. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë Ntsitsigui do të jetë blerja e parë për repartin ofensiv.

Cilësitë

Romuald Ntsitsigui ka luajtur vetëm në Gabon, ndërsa eksperienca e tij e parë jashtë kontinentit afrikan do të jetë pikërisht me Tiranën, gjithnjë nëse nënshkruan. Ai prej 2011-ës ka qenë pjesë e AS Mangasport, ekip i kampionatit vendës.

Edhe pse të dhënat për të në ueb janë të pakta (për ekipet, minutazhin dhe golat e shënuar gjatë karrierës së tij), të paktën nga videot e postuara në “youtube”, kuptohet qartë se bëhet fjalë për një sulmues krahu. Ai luan si “pykë”, por edhe në krahë të sulmit, ndonëse me përfaqë- suesen e vendit të tij më shumti është përdorur në të djathtë. Pamjet filmike dëshmojnë se bëhet fjalë për lojtar teknik, luftarak dhe të shpejtë, i cili veç të tjerash e njeh mirë zonën. Ka aftësi në shërbim, madje veç gjuajtjes potente, njihet si një asistues perfekt.


Një tjetër cilësi identifikuese lidhet me pasimet e gjata dhe aftësinë për të organizuar dhe ndërtuar aksione realisht të rrezikshme. Ka qenë pikërisht këto cilësi, të cilat kanë bindur stafin teknik që të japin OK-in fillestar për Ntsitsiguin, lojtar i cili ka idhull Rikardo Kakanë. Kjo duket nga një fotomontazh që ai ka shpërndarë në profilin e tij në “Facebook”.

Priten edhe 3 afrikanë të tjerë, vonesa prej… vizave

Pas afrimit të sulmuesit nga Gaboni, te Tirana presin tre afrikanët e tjerë. Ashtu si në rastin e Romuald Ntsitsiguit, klubi po tregohet tejet diskret në zbulimin e emrave, ndërsa e vetmja gjë që dihet është kombësia e tyre. Bëhet fjalë për dy kongolezë dhe një nigerian. Nga burime të sigurta pranë bardhebluve thuhet që procedurat për vizat e tyre po ndikojnë në këtë vonesë. Megjithatë, mendohet se këtë fundjavë dhe në fillim të javës së ardhshme të mbërrijë i dyti.

Ata e kanë kaluar “klasën” pas vëzhgimit të pamjeve filmike dhe bëhet fjalë për elementë që do të përforcojnë ndjeshëm ofensivën, si në qendër, ashtu edhe në krahë. Klubi ka aplikuar në Ministrinë e Jashtme për të siguruar lejen e qëndrimit për “bomberat” që vijnë nga kontinenti i largët, ndërsa pa marrë vizën ata nuk mund të shkelin në tokë shqiptare.

Lista e emrave që po vëzhgohen apo janë sugjeruar nga menaxherë të ndryshëm është realisht e gjatë, megjithatë pritet që kushdo që të vijë fillimisht duhet t’i nënshtrohet provës. Ky ka qenë kriteri i vendosur prej stafit teknik dhe përjashtim mund të ketë vetëm për elementë të përvojës, por deri më tani më të mirët janë kontraktuar.

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura