Deportohet nga Anglia, vetëvritet emigranti

May 31, 2012 | 13:36
SHPËRNDAJE
Vendi ku u vetëvra 27-vjeçari dje në Lezhë

Vetëvritet duke u hedhur nga lartësia një emigrant i deportuar rreth 3 muaj më parë nga Anglia.Policia e Lezhës bëri të ditur se një 27-vjeçar nga lagjja “Gurra” e këtij qyteti i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i 6-të i pallatit ku banonte. “Shtetasi Eli Doda ka gjetur vdekjen gjatë transportimit për në spitalin e qytetit, pa mundur të marrë ndihmën e parë mjekësore”, bëri të ditur Policia, e cila ka nisur edhe hetimet për ngjarjen që tronditi banorët e kësaj lagjeje. Nga hetimet e kryera rezultoi se 27-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Anglia. Ai kishte qëndruar disa vite si emigrant në këtë shtet. Pas deportimit nga Britania e Madhe, i riu jetonte në shtëpinë e nënës së tij, e cila ishte divorcuar me të shoqin disa vite më parë. Të afërm të viktimës kanë deklaruar për grupin e hetimit se kthimi nga Anglia është përjetuar rëndë nga ana e të riut. Ai kishte shfaqur shenja të përkeqësimit të gjendjes psikologjike nga dita në ditë, për shkak se nuk kishte mundur të përfitonte dokumentet në vendin ku kishte emigruar. Mësohet se 27-vjeçari kishte vuajtur një dënim me 4 vite burg gjatë viteve që kishte qenë emigrant. Ky fakt duket se është bërë shkak për mosrinovimin e dokumenteve të tij, madje ai është shpallur si person i padëshirueshëm në shtetin e huaj duke e deportuar atë drejt Shqipërisë. Gjatë periudhës që ka qëndruar në Lezhë, 27-vjeçari Doda ka shfaqur shenja krize, të cilat sollën edhe momentin fatal të hedhjes nga apartamenti ku jetonte. Mësohet se në momentin që ka marrë vendimin për t’i dhënë fund jetës, Eli Doda ka qenë i vetëm në shtëpi dhe nuk ka lënë asnjë shënim për nënën apo babanë i cili ndodhet gjithashtu në emigracion. Kanë qenë disa banorë që jetonin në të njëjtin pallat me viktimën, ata që i kanë dhënë ndihmën e parë, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën. Edhe gjatë bisedave me shokët e tij, Eli Doda kishte shfaqur vështirësi që të ambientohej me situatën në të cilën ndodhej, ndërsa ishte shprehur se e kishte përjetuar mjaft rëndë refuzimin e rikonfirmimit të dokumenteve nga shteti anglez. Këtë fakt disa të rinj, që janë shoqëruar së fundmi me emigrantin e sapokthyer, e kanë deponuar në polici. Sipas tyre, Doda ishte kthyer pa para në atdhe, ndërsa në Lezhë nuk kishte mundur të gjente punë dhe as të ambientohej pas kaq vitesh shkëputjeje prej qytetit të tij të lindjes.                                   gj.f

DENIMI
Policia e Lezhës nuk bëri të ditur se çfarë vepre penale kishte kryer 27-vjeçari Eli Doda në Angli. Ai kishte emigruar prej shumë vitesh, por mësohet se është dënuar nga Drejtësia angleze me katër vite burg. Pas përfundimit të dënimit, procedurat e shtetit të huaj kanë vijuar me riatdhesimin e tij në Shqipëri. Ai mbërriti rreth 3 muaj më parë në Lezhë, por sipas miqve të tij gjendja psikologjike e të riut kishte qenë mjaft e ngarkuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura