Vetëvendosje stampon në Kuvend: “Kosova Republikë!”

Jan 31, 2012 | 12:59
SHPËRNDAJE

Përhapja e lajmit se Kosova ka rënë dakord që të evitojë përdorimin e termit “Republikë” në takimet rajonale, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët si për t’u kujtuar zyrtarëve në Prishtinë se tashmë janë republikë që nga viti 2008, kanë vendosur një parullë gjigante “Kosova Republikë!”, në hyrje të Kuvendit. “Konkluzionet nuk mund të jenë në kundërshtim me premisat. Qeveria e Hashim Thaçit i ka pranuar bisedimet me Serbinë, pa e njohur kjo e fundit Republikën e Kosovës. Si rezultat, ka negociata midis qeverisë së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, lidhur me Kosovën. Pranimi i Edita Tahirit që të hiqet mbishkrimi ‘Republika e Kosovës’ në përfaqësimin e nismave rajonale, është në përputhje të plotë me qëndrimin nënshtrues të qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë. Po na thuhet se Kosova hoqi dorë nga republika, por edhe Serbia hoqi dorë nga rezoluta 1244. Ky arsyetim vjen nga pozicioni i atyre që Kosovën e shohin si një çështje të pazgjidhur, që nuk dihet se kujt i takon, e kush ka të drejtë mbi të”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Vetëvendosjes. Sipas drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, heqja e fjalës “Republikë” nga emri i shtetit dhe shfuqizimi i reciprocitetit në Kuvendin e Kosovës e ka fuqizuar Serbinë në Kosovë, por edhe pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. Në komunikatën e tyre që argumenton kundërshtimin për këtë kompromis, Vetëvendosje shprehet se “Kjo gjë ia ka rritur shumë Serbisë mundësitë që të marrë statusin e vendit kandidat për BE. Koncesionet që po bën qeveria e Kosovës lidhur me shtetin, janë sinjal i keq dhe krijojnë konfuzion edhe për shtetet që e kanë njohur apo që duan ta njohin Kosovën si shtet”. Parulla e parë u vendos te Kuvendi i Kosovës, por të tjera e pasuan atë në disa nga zonat kryesore të kryeqytetit.

Kuper në Prishtinë
Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, sot viziton Prishtinën. “Presim vizitën e ndërmjetësit europian, Kuper, i cili vjen pas vizitës që ka bërë në Beograd dhe pas bisedimeve që kemi pasur të premten me video-lidhje. Ky mund të jetë një moment i ri për të parë se cilat janë perspektivat”, tha Tahiri në REL. Bisedimet për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin europian kanë nisur marsin e kaluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura