Vetëvarja, bllokohen fletoret

Feb 29, 2012 | 11:33
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Policisë Fier

FIER/ Mister vetëflijimi. Pyeten të gjithë nxënësit e klasës së 9-të: S’kishte shqetësime.

Policia mbledh shënimet e 15-vjeçares për shkakun.

Vetëvarja e 15-vjeçares në fshatin Kallm të Fierit ka mbetur ende mister për policinë. Pasi kanë marrë në pyetje familjarët e minorenes, mësues dhe nxënës të shkollës së fshatit ku ajo mësonte, grupi i hetimit është përqendruar në sendet personale të saj. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se janë kontrolluar të gjithë librat dhe fletoret e vajzës, nxënëse në klasën e nëntë. Librat dhe fletoret e saj janë sekuestruar deri në verifikim të plotë të çdo detaji që mund t’i shërbejë hetimit. Mësohet se kontrolli i çdo faqeje të librave apo të fletoreve të saj është bërë me qëllim për të gjetur ndonjë shënim të mundshëm apo vizatim, që mund t’u japë bluve një dritë jeshile në fokusimin e një piste të caktuar.
“Janë marrë në pyetje të gjithë personat e afërt dhe shokët e vajzës minorene, por askush nuk ka dhënë detaje që të formohet një ide e qartë se cili ka qenë motivi që e shtyu 15-vjeçaren drejt aktit të vetëvarjes. Por asnjëri prej tyre nuk na ka konfirmuar të ketë vërejtur gjatë ditëve të fundit shenja depresive, ndonjë problem shoqëror apo familjar”, u shprehën burime nga Policia. Mësohet se familjarët e 15-vjeçares nuk kanë dhënë asnjë motiv, që ta ketë shtyrë vajzën e tyre drejt vetëflijimit. Ata kanë deklaruar se ditën e ngjarjes, e mitura ishte bërë gati për në shkollë, por më pas e kishte kryer vetëflijimin në dhomën e saj. Policia hetoi edhe ndonjë konflikt të mundshëm familjar, por prindërit e të miturës e kanë mohuar një fakt të tillë. Edhe mësuesit e nxënësit e shkollës së fshatit Kallm nuk kanë pohuar ndonjë zënkë të saj në ambientet e shkollës me bashkëmoshatarët e saj, apo vlerësim me ndonjë notë te keqe, çka mund të kishte ndikuar në ngarkesën psikologjike të saj. Mësohet se një grup hetimi ka shkuar në shkollë dhe ka pyetur të gjithë shokët e saj të klasës, por asnjëri nuk ka deponuar ndonjë të dhënë që të mund të ndihmojë në hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. “Ajo sillej normalisht dhe s’kishte asnjë problem”, mësohet të kenë deponuar ata për Policinë. Sendet e 15-vjeçares shihen si e vetmja rrugë për t’i dhënë mundësi sigurimit të ndonjë piste. Dje, familja i dha lamtumirën e fundit vajzës, e cila iku duke lënë mjaft mistere. FIER/ MAJLINDA RAMA

POGRADEC/ Ngjarja në banesë
Gjendet i vetëvarur 15-vjeçari, i sëmurë

POGRADEC – Një 15-vjeçar nga Pogradeci është vetëflijuar në banesën e tij si pasojë e gjendjes së rënduar mendore. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së hënës, në fshatin Podgozhan të komunës Trebinjë, ku adoleshenti është gjetur i vetëvarur në banesën e tij nga familjarët. Burime zyrtare të Policisë konfirmuan se shkak i vetëvrasjes kanë qenë disa probleme mendore të adoleshentit, të cilat e kanë çuar atë në aktin fatal të vetëflijimit. Si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore por edhe për shkak të vështirësive të tjera e problemeve ekonomike të familjes M.Gegprifti, ai ka varur veten në brendësi të ambienteve të shtëpisë së tij. Sipas të dhënave, në momentin e ngjarjes në banesë nuk ka qenë prezent asnjëri prej familjarëve apo të afërmve, por këta të fundit e kanë gjetur adoleshentin e pajetë, pasi janë rikthyer nga puna dhe kanë sinjalizuar edhe policinë. Pas këqyrjes së vendngjarjes dhe marrjes në pyetje të familjarëve, është arritur në përfundimin se djali kishte shqetësime mendore për shkak të të cilave edhe kishte lënë shpesh mësimin. Familja Gegprifti kishte tre fëmijë, ku viktima ishte i fundit. Vetëm familjarët kanë thënë për policinë se e kishin lënë vetëm 15-vjeçarin dhe rreth orës 19:00, kur u kthyen në shtëpi e gjetën atë të pajetë. Nga ana tjetër, hetuesit po vazhdojnë verifikimet për të zbuluar nëse veç shqetësimeve të shëndetit mendor, djali ka pasur ndonjë problem tjetër që ta ketë shtyrë drejt vetëflijimit.                         dh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura