Veriu në tension, serbët në rrugë në pritje të urdhrave

Sep 30, 2011 | 11:07
SHPËRNDAJE

Tensioni në Veri të Kosovës mbetet i lartë, me serbët që duket se u kanë hapur luftë ushtarëve amerikane të KFOR-it e shqiptarëve që jetojnë në atë zonë, dhe ndërkombëtarëve që zotohen se sjelljet e dhunshme nuk tolerohen më. Incidentet pasojnë njëri-tjetrin: të martën u plagosën nga serbët katër ushtarë të njësisë amerikane të KFOR-it, të cilët larguan një barrikadë në pikën kufitare në Jarinë dhe po ashtu edhe disa serbë; të mërkurën, një grup serbësh të armatosur dhe me maska kanë sulmuar një grup punëtorësh shqiptarë, në një projekt pastrimi të lumit Ibër, duke plagosur tre prej tyre; të enjten, pati një sherr mes të rinjsh, që përfundoi vetëm me lëndime të lehta. Por, tensioni ndjehet. Dhjetëra serbë qëndrojnë çdo ditë nëpër rrugë, të gatshëm për të reaguar sipas urdhrit të Beogradit, nëse plani për Veriun cenohet. Organizatat ndërkombëtare kanë reaguar kundër dhunës në Veri dhe po ashtu shumë qeveri, të cilat e kanë ndjekur konfliktin mes dy vendeve. Departamenti Amerikan i Shtetit i dënoi sulmet në Veri të Kosovës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë, të shmangin aktet provokuese dhe retorikën që nxit dhunën, si dhe të lejojnë lirinë e lëvizjes. Departamenti i Shtetit u bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të qëndrojnë të angazhuara në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, të inkurajojnë qetësinë dhe të gjejnë rrugën e marrëveshjes për përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dy vendeve. Edhe OSBE ka shprehur keqardhje për dhunën në Veri. Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm lituanez Audronius Azubalis, ka shprehur keqardhjen e tij për incidentet e dhunshme në Veri të Kosovës. “Përsëris apelin tim për distancim nga dhuna dhe për ruajtjen e qetësisë”, ka deklaruar Azubalis. Ai bëri thirrje për dialog, të cilin e konsideroi si mjetin e vetëm për zgjidhjen e situatës. Bisedimet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës dështuan për shkak të tërheqjes së Beogradit. Ndërmjetësi i BE-së, Robert Kuper, do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, në përpjekje për të rinisur për së mbari dialogun aty ku u la, në zgjidhjen e çështjeve teknike në shërbim të banorëve.

Arrest një serbi
Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën mbrëma një serb, nën dyshimin se ka marrë pjesë në incidentin e së mërkurës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku tre punëtorë shqiptarë u lënduan pas sulmit pa motiv të tyre. Sipas “Kosovapress”, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar mbajtja policore për 48 orë, ku do të merret në pyetje për përfshirjen e  tij dhe bashkëpunëtorët e mundshëm.

Mbyllet rruga
Ushtarë të KFOR-it kanë vendosur bllokadë të re në rrugën alternative përtej pikës kufitare Jarinë, në drejtim të kufirit me Serbinë. Ata kanë vendosur automjetet e tyre të blinduara edhe në rrugën tjetër alternative, të ndërtuar ditë më parë nga grupet ekstremiste serbe, dhe nuk po lejojnë qarkullimin në këtë rrugë. Rrugët alternative që “lulëzojnë” kontrabandën po mbyllen tërësisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura