Vendimi, shfaqjet e “Migjenit”, konfirmim në Këshillin Bashkiak

Feb 29, 2012 | 12:02
SHPËRNDAJE

Teatri "Migjeni" në Shkodër

SHKODER/ Miratohet Bordi Artistik me pesë anëtarë.

SHKODER – Teatri “Mi-gjeni” tashmë do të ketë rregulla të reja për vënien në skenë të shfaqjeve të ndryshme. Me krijimin e Bordit Artistik, i cili është miratuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës gjatë ditës së djeshme, tashmë do të jetë ai që do të menaxhojë vënien në skenë të shfaqjeve të ndryshme gjatë vitit sipas rregullave të përcaktuara më parë. Ky Bord Artistik, që do të jetë një organ kolegjial dhe vendimmarrës, përbëhet nga 5 anëtarë ku në përbërje të tij do të jenë: dramaturgu Fadil Kaja, kompozitori Zef Çoba, skulptori Ferit Kola, kritiku për artin skenik, Gëzim Puka, si dhe drejtoresha e Kulturës pranë Bashkisë Shkodër, Elena Zorba. Drejtuesi i teatrit “Migjeni” mund të marrë pjesë në mbledhjet e këtij Bordi, të japë mendimet e tij, por pa të drejtë vote, parashikuar kështu që të mos ketë konflikt interesi. Anëtarët e këtij Bordi kanë një mandat 4-vjeçar me të drejtë ripërtëritjeje. Ata nuk duhen të kenë konflikt interesi me teatrin “Migjeni”, çka do të thotë se asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të marrë në shqyrtim për të vënë në skenë asnjë pjesë të tyren. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as dramaturgu i njohur, Fadil Kraja, i cili mund t’i vërë veprat e tij në çdo skenë tjetër, përveç asaj të teatrit “Migjeni” në Shkodër. Në bazë të ligjit “Për artin skenik” të miratuar vitin që kaloi, do të jetë Bordi Artistik ai që harton statutin dhe rregulloren e Teatrit dhe më pas ia propozon për miratim Këshillit Bashkiak. Bordi gjithashtu do të miratojë repertorin vjetor të teatrit, shpërndarjen e shfaqjeve sipas gjinive dhe zhanreve të ndryshme artistike, si dhe projekte në përputhje me repertorin e miratuar më parë. Gjithashtu ky bord do të miratojë kriteret dhe shpërblimin për çdo vepër që do të vihet në skenën e teatrit “Migjeni”, për gjinitë dhe repertorin e shfaqjeve me të cilat do të prezantohet teatri “Migjeni” në aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.                   r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura