Vendimi i Qeverisë/ Plotësohet amaneti i Mit’hat Frashërit, kthehen eshtrat në atdhe

Aug 1, 2018 | 9:13
SHPËRNDAJE

ALMA MILE / Eshtrat e një prej njerëzve më të shquar të letrave shqipe, dijetarit, publicistit, shkrimtarit, bibliofilit e politikanit, Mit’hat Frashëri, pinjoll i denjë i derës së Frashërllinjve, do të kthehen në atdhe.

mithatfrasheri-e1466337071501

Më në fund, pas gati 70 vjetësh nga ndarja e tij nga jeta, qeveria shqiptare ndërmerr një hap konkret për të sjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës eshtrat e Frashërit, duke plotësuar kështu amanetin e tij, lënë me testament.

Një nga dëshirat e Mit’hat Frashërit ishte që në Shqipëri të ngrihej një Institut Albanologjie, të cilit ai i dhuronte gjithë pasurinë bibliofilike dhe eshtrat e tij të preheshin në një kënd të oborrit të këtij institucioni.

Në testamentin e tij të viti 1929, në pikën e fundit ai shprehet: “Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”. Por ky amanet i tij nuk u realizua për dekada.

Ai u varros në SHBA dhe mbi varrin e tij shkruhet thjesht: “Mit’hat Abdyl Frashëri, 1880-1949″. Për të vënë në jetë këtë amanet, qeveria shqiptare akordon një fond prej 3,2 milionë lekësh për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, që nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura