Vendimi i Gjykatës: Alban Rexha kërcënoi me armë policët në Selitë

May 31, 2011 | 10:41
SHPËRNDAJE

TIRANE – Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që caktoi dënimin me 3 vjet e 3 muaj burg për Alban Rexhën, ish-personazhin e shumëpërfolur të programit televiziv “Kafazi i Artë”. Rexha u akuzua për një ngjarje të shënuar në 29 dhjetor 2009, në rrugën “Irfan Tomini”, ku ai dhe tre persona të tjerë nuk iu bindën shenjës “stop” të një patrulle policie, si edhe qëlluan me armë zjarri në ajër. I njëjti vendim, i shpallur më 10 maj 2010, vendosi dënimin me një total prej 5 vjetësh e 3 muajsh për tre të bashkëpandehurit e Rexhës, E.Gega, Pajtim Serjani dhe Samet Mejdani. Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës i deklaruan katër të pandehurit fajtorë për veprat penale “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në bashkëpunim dhe “prishjes së qetësisë publike”. Ndërsa dy prej tyre, Rexha dhe Mejdani, u deklaruan fajtorë edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Në gjykatën e Shkallës së Parë, të pandehurit e kësaj dosjeje u gjykuan nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Referuar arsyetimit të vendimit, pas shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se: “Këta të pandehur, më dt.29.12.2008 rreth orës 21:00-21:30 kanë qenë në Lagjen Nr.32, tek vendi i quajtur ‘stacioni i fundit i Tiranës së Re’, në rrugën përballë lokal ‘Shijaksburg’, Tiranë. Dy prej tyre, të pandehurit Samet Mejdani e Alban Rexha, kanë qëlluar me armë në drejtim të një personi të paidentifikuar e më pas janë larguar me vrap, duke u futur mes pallateve në rrugën “Irfan Tomini”. Këto veprime janë vënë re nga dy policë të patrullës së shërbimit të Komisariatit të Policisë Nr.2, Tiranë, dëshmitarët A.Gj. dhe K.B., të cilët, të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit, po udhëtonin me automjetin e tyre privat tip “Renault”, me targë TR 7343L. Pasi kanë parë këto veprime, punonjësit e policisë kanë njoftuar patrullat e tjera policore, për t’u ardhur në ndihmë dhe janë vënë në ndjekje të personave të armatosur në këmbë, duke lënë automjetin. Me gjithë thirrjen që u është bërë të pandehurve për të ndaluar, këta të fundit jo vetëm që nuk kanë ndaluar, por me armë, në ikje e sipër, u kanë drejtuar armët punonjësve të policisë, pa shtënë me to”.               ar.ba

Hetimet

Hetimet në lidhje me ngjarjen e 29 dhjetorit 2009 u ndoqën fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë”. Më pas, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndryshoi kualifikimin e veprës në “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”. Më 4 maj 2010, Prokuroria e Krimeve shpalli moskompetencë dhe hetimet u ndoqën më pas nga prokuroria e Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura