Vendimet e gjykatave, si u dënuan me burg dy drejtorët

Mar 31, 2014 | 12:11
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike publikoi dje vendimet e gjykatave që konfirmojnë faktin se drejtuesi i CEZ-it në Durrës dhe kreu i Zyrës së Punës në Korçë kanë qenë më të dënuar nga gjykatat. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha dje në një konferencë për shtyp se qeveria po bën përpjekje të dështuara për të mbrojtur këta persona. Florenc Tabaku, kreu i Zyrës së Punës në Korçë është dënuar në vitin 2004 me 6 muaj burg e 250 mijë lekë gjobë për falsifikim dokumentesh. “Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Tabaku për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit të parashikuar në nenin 186/2 e Kodit Penal e në vështrim të nenit nr. 406 të Kodit të Procedurës Penale me 6 muaj dhe 250 mijë lekë gjobë dhe meqenëse ka probleme ekonomike, të paguhet me tri këste, çdo këst pas çdo dy muajsh të ndara 100 mijë, 100 mijë dhe 50 mijë lekë, pasi vendimi të marrë formën e prerë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Korçës më 14 shtator 2004. Ndërsa drejtuesi i CEZ-it në Durrës, Plator Mehmeti, është dënuar me 10 muaj burg dhe 267 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre. “Gjykata vendosi: Në bazë të N.55 të K.Penal bën bashkimin e dënimeve, duke e dënuar me 15 muaj e 23 ditë burgim dhe 400000 lekë gjobë. Në aplikim të N.406 të K.Pr.Penale i ul 1/3 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Plator Mehmeti me 10 muaj e 15 ditë burgim e 267.000 lekë gjobë”, thuhet në vendimin e publikuar nga selia blu për Mehmetin. Sipas ekspertëve të fushës, në sistemin e gjendjes gjyqësore rezulton se dy zyrtarët rezultojnë pa probleme për shkak se pas një periudhe pesëvjeçare veprat penale që ata janë dënuar parashkruhen. Megjithatë, vendimet e formës së prerë të gjykatave konfirmojnë se ata kanë qenë të dënuar në vitin 2004 dhe 2008. Duke folur në konferencën e djeshme për shtyp zëdhënësja e PD-së, Vorpsi tha se “Qeveria, dhe Kryeministri Rama, jo vetëm se nuk marrin masat e duhura, por bëjnë përpjekje të dëshpëruara, për të mbrojtur me çdo kusht këta persona dhe për të mbuluar të shkuarën e tyre. Partia Demokratike është e shqetësuar për kapjen e administratës nga persona me të kaluar të dyshimtë”.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura