Velinat e reja të “Fiks Fare”, arsyet pse Filip Çakuli i zgjodhi mes 200 vajzave

Aug 31, 2014 | 9:40
SHPËRNDAJE

Lajmi se janë përzgjedhur dy velinat e reja të programit të përnatshëm “Fiks Fare” në “Top Channel” u komentua në rrjetet sociale, edhe për faktin se prej katër vitesh çdo sezon të ri shfaqeshin të njëjtat, motrat Viola e Petrula Spiro. Këtë vit “Fiks Fare” shpalli të hapur audicionin për velinat e reja, gjatë të cilit provuan shansin më shumë se 200 vajza, brune e bionde. Por mes tyre, drejtori i programit, Filip Çakuli, ka zgjedhur bionden 18-vjeçare Dorisa Kacorri dhe velinën brune, 21-vjeçaren Gea Braha, të dyja modele të “ICON talent”. Sipas burimeve tona, vajzat janë përzgjedhur nga drejtori i “Fiks Fare” jo vetëm për tiparet mesdhetare, por dhe për lirshmërinë që kanë demonstruar para kamerave edhe për faktin që dinë të kërcejnë. Vajzat tashmë kanë lidhur kontratën me televizionin dhe le të shohim se si do të prezantohen ato në performancën e tyre të parë më 1 shtator, gjatë moderimit të emisionit investigativ “Fiks Fare” nga Fiori Dardha, Gent Pjetri (Doktori) dhe Albana Osmani. Gjithsesi, portretet e tyre nuk do të jenë krejtësisht të panjohura për ata që kanë qenë të vëmendshëm dhe kanë ndjekur “Summer Fest” në “Top Channel”. Dy vajzat kanë qenë pjesë e sfilatave, që janë mbajtur në koncertet e organizuara këtë verë nga ky televizion.

Vajzat deklarohen “single”, pasionet e tyre përveç ekranit
Duke i parë dy vajzat në fotot e shpërndara në rrjetet sociale, publiku ëshë bërë kureshtar për statutin e tyre. Flitet se dy vajzat deklarohen të jenë “single” dhe të gatshme për të përballuar punën intensive në televizion. Po cilat janë pasionet e tjera të vajzave, përveç ekranit? Dorisa ka rreth 4 vjet që merret me modë, pasi më parë është marrë me kërcim si pjesë e një grupi të rinjsh, që jepnin koncerte me valle popullore. Për sa u përket studimeve, sapo ka mbaruar gjimnazin dhe është në pritje të së drejtës të studimeve të larta. Fotografia dhe videot janë ndër hobet e saj, për të cilat shprehet se do të zgjohej edhe në mes të natës për t’i realizuar. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në shumë sfilata mode, revista dhe spote publicitare, si në rastin e fushatës së fundit për “Albtelekom” me këngën e Elvana Gjatës “Puthe”, ku Dorisa është një ndër personazhet. Ndërsa Gea Braha sapo ka mbaruar studimet e larta në degën Financë-Bankë. Për pesë vite ajo ka kërcyer danc sportiv dhe është marrë me aktrim. Gea është e apasionuar pas palestrës, fakt që e dëshmon dhe fiziku i saj sportiv. Të dyja vajzat ishin ndër të parat që u zgjodhën për të qenë pjesëmarrëse në “Summer Fest” këtë vit si modele, angazhim që u solli fat për të mbetur në ekran.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura