Vdesin nën gurë tre punëtorë

Apr 30, 2014 | 14:09
SHPËRNDAJE

Fshati Grabovë ku ndodhi ngjarja
Ndërtimi i rrugës që do të lidhë Gramshin me Korçën shënon tre viktima. Dy punëtorë shqiptarë dhe inxhinieri italian i firmës zbatuese humbën jetën pas shembjes së një masivi shkëmbor pasditen e djeshme. Ata ishin angazhuar në ndërtimin e rrugës Gramsh–Moglicë-Korçë. Ngjarja tragjike ka ndodhur pasditen e vonë të së martës, teksa një masiv gurësh shkëmborë në kanionet e Moglicës, shumë pranë vendit të quajtur Molla e Grabovës, është shkëputur duke i zënë ato poshtë. Burime nga Policia e Elbasanit bëjnë të ditur se viktimat kanë qenë të specializuar për ngjitje në masivet shkëmbore me qëllim për të identifikuar e më pas rrëzuar pjesët e paqëndrueshme të shkëmbinjve. Kjo realizohet për të shmangur rrezikun për jetën e punëtorëve gjatë ndërtimit të rrugës. Po sipas Policisë, mësohet se në momentin e ngjarjes një nga punëtorët që humbi jetën si edhe inxhinieri i huaj, i cili mendohet se është shtetas italian, kanë qenë të lidhur me litarë për të identifikuar masivin e gurëve të shkëmbit. Papritur, një seri gurësh janë shembur mbi ta. Një prej punëtorëve që ndodhej mbi shkëmb humbi jetën në vend, bashkë me atë që ndodhej poshtë në rrugë, pranë mjetit gërmues të firmës. Ndërsa shtetasi i huaj u plagos rëndë. Ky i fundit është nisur me shpejtësi nga kolegët e punës drejt spitalit të Korçës, më afër vendit të ngjarjes, por edhe ai ndërroi jetë gjatë rrugës. Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, masivi shkëmbor ka qenë i madh, duke përfshirë të tre punonjësit nën vete. Dyshohet se shkak për rrëzimin e tij është bërë jo vetëm provokimi me mjete nga ana e punëtorëve, por dhe terreni i lagësht që ka favorizuar rënien e masivit. Disa orë më vonë Policia e Elbasanit konfirmoi emrat e dy viktimave: Sokol Elmazi 35 vjeç dhe Oltion Kola 21 vjeç nga Kavaja, të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme. Për shkak të largësisë nuk u arrit të identifikohej deri në mesnatë shtetasi italian. Policia e Elbasanit ka bashkëpunuar për këtë ngjarje të rëndë me atë të Korçës, forcat e të cilave janë nisur drejt zonës së thellë dhe malore mes Grabovës dhe Moglicës. Ata kanë arritur të marrin dëshmitë e punëtorëve mbi momentet e fundit të aksidentit fatal. Nuk dihet se cila ishte firma ndërtuese që kishte marrë përsipër ndërtimin e aksit që do të lidhë me rrugë të re qytetet Gramsh dhe Korçë. Rreth një vit më parë përfundoi ndërtimi i segmentit nga Gramshi në fshatin Kodovjat, thuajse gjysma e rrugës që të çon drejt Korçës, i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Viktimat
n    Sokol Elmazi
    33 vjeç
n    Oltion Kola
    21 vjeç
n    Një shtetas     
    italian, ende
    i paidentifikuar

GRAMSH/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura