Vdesin në tunel tre punëtorë

Jul 31, 2014 | 12:10
SHPËRNDAJE

HEC-i në Mirditë, ku ndodhi ngjarja
Ende pa u ndërtuar gjysma e tij, hidrocentrali i Qafë-Mollës në Mirditë merr tre jetë njerëzish.
Tre punëtorë, dy shtetas shqiptarë dhe një turk mbetën të vdekur në tunelin që po hapej në këtë HEC, në thellësi dy mijë metra. Një masiv dheu është shembur mbi ta, duke u marrë jetën në vend. Policia e Lezhës bëri të ditur se ngjarja tragjike u shënua rreth orës 20:20, në dalje të tunelit, pranë fshatit Fang. “Si pasojë e shembjes së një sasie dherash që ka ndodhur kanë mbetur të vdekur dy punëtorë shqiptarë: Ndue Legisi, 50 vjeç nga fshati Shebë, Pjetër Doda, 60 vjeç nga Fani dhe një punëtor turk, emri i të cilët është Hasan. Ata ndodheshin në atë moment në tunelin që po ndërtohet”, konfirmoi Policia e Lezhës. I vetmi që arriti të shpëtohej është punëtori i katërt, pikërisht makinisti i ekskavatorit që ndodhej bashkë me kolegët në një thellësi prej gati 2 mijë metrash. Ai ka arritur të shpëtojë vetëm me plagë të lehta, duke sinjalizuar kolegët e tij për çfarë kishte ndodhur. Punonjës të firmës lajmëruan me urgjencë policinë dhe së bashku kanë nxjerrë pas gati 3 orësh tre punëtorët e pajetë. Ata ishin asfiksuar nën peshën e madhe të dheut, i cili i zuri poshtë pikërisht gjatë kohës që po punonin në brendësi të tunelit. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, puna në këtë kantier zgjaste gjatë 24 orëve dhe viktimat ishin futur në këtë pjesë të tunelit për të thelluar më tej gërmimet. Autoambulanca ka transportuar trupat e pajetë drejt morgut të Spitalit të Rrëshenit, ndërsa në vendngjarje po kryhen hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë. Pavarësisht ngjarjes, nuk ka pasur të shoqëruar. Policia e zonës ka qenë në pritje të mbërritjes së ekspertëve nga Tirana për të zbardhur rrethanat e vdekjes në punë, nëse bëhet fjalë për një aksident tragjik apo për mungesën e kushteve të sigurisë në punë.

MIRDITE/ ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura