Politika ngushëllime familjes mbretërore, Topi: Leka Zogu I, atdhetar

Nov 30, 2011 | 11:33
SHPËRNDAJE

TIRANË- Ngushëllimeve të politikës për ndarjen nga jeta të pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I i është bashkuar kreu i shtetit, Bamir Topi. Në një mesazh drejtuar familjes ai shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve.

Mesazhi i Topit

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Leka Zogu I, trashëgimtarit të Mbretit Zog. Në këto momente të trishtueshme dhe të vështira për ju, më lejoni që në emër të shtetit shqiptar dhe timin personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta!

Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist, dhe, gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë.

Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për ju, për të afërmit, për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe për bashkatdhetarët.”

 

Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I. PDIU, LSI, AK kanë qenë të parat që kanë dhënë ngushëllimet e tyre drejtuar familjes për humbjen e madhe.

AK: Endërra e tij, bashkimi i shqiptarëve

Aleanca Kuq e Zi i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve. Aleanca Kuq e Zi e konsideron largimin nga jeta të Zogu I humbje për kombin tonë, pasi ëndrra e tij më e madhe ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve.

Aleanca Kuq e Zi unifikohet me dhimbjen e familjarëve për humbjen e të afërmit të tyre, ndërkohë që bën me dije se ëndrra e Zogut I për bashkimin e shqiptarëve do kthehet në motiv të patjetërsueshëm për Aleancën Kuq e Zi.

PDIU

Në mesazhin e saj PDIU krahas ngushëllimi të familjes ka vlerësuar përpjekjet e Leka Zogut I në të mirë të atdheut. “Jeta në mërgim ku është detyruar të jetojë Leka Zogu I nuk ka mposhtur përpjekjet e tij në të mirë të atdheut. Përmes sakrificave dhe luftës së vazhdueshme, ai u kthye në simbolin e rezistencës antikomuniste, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, duke i dhënë figurës së tij një rëndësi historike” thuhet në ngushëllimin e PDIU-së.

Sipas PDIU Leka Zogu I, ashtu sikurse edhe i ati i tij, mbante titullin Mbret i Shqiptarëve, duke mishëruar më së miri, idenë e bashkimit kombëtar dhe nevojën e të gjithë shqiptarëve për të qenë të bashkuar. “Këto janë arsye të mjaftueshme që familja mbretërore të gëzoj një status të veçantë, sikurse në shumicën e vendeve të botës, çka ende është një detyrë për t`u plotësuar nga qeveria shqiptare. PDIU ngushëllon familjen mbretërore dhe në veçanti, princin Leka Zogu II për këtë humbje” përfundon PDIU-ja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura