Vasili: Edukimi, shtylla kyçe e reformës në Shëndetësi

Jun 30, 2011 | 10:54
SHPËRNDAJE

Menaxhimi i bashkëkohor i shëndetësisë dhe edukimi i vazhdueshëm mbeten pikat kyçe mbi të cilat zhvillohet reforma në Shëndetësi në vendin tonë. Për ministrin Petrit Vasili është e rëndësishme që mjekët të jenë pjesë aktive e evenimenteve që shërbejnë në kualifikimin e tyre, por edhe në informimin dhe edukimin, çka e bën shëndetësinë shqiptare të ecë në të njëjtën trajektore me shëndetësinë bashkëkohore. Vasili i bëri këto deklarata dje gjatë përshëndetjes së tij me rastin e mbylljes së kursit kualifikues për drejtuesit e sistemit shëndetësor të rajonit Ballkanit: Futja e sistemit DRG (Diagnosis Related Group) në sistemin shëndetësor kombëtar, aplikimet praktike, kufizimet, risitë dhe perspektivat, zhvilluar nga universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”. “Beteja më e madhe për të përditësuar dije dhe për të njohur metodat e menaxhimit bashkëkohor vazhdon të mbetet një luftë konkrete. Sigurisht që gjithkush që frekuenton këto kurse merr një material të bollshëm në fushën e menaxhimit shëndetësor, por secili duhet të bindet që rezultatet më të prekshme janë ato që lidhen me punën e tij individuale”, u shpreh Vasili. Ndërkohë ai ka inkurajuar pjesëmarrjen në kurse të kësaj natyre dhe ka përshëndetur nismën e marrë nga “Zoja e Këshillit të Mirë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura