Vajza me aftësi të kufizuara realizon ëndrrën e saj

Feb 27, 2011 | 10:32
SHPËRNDAJE

Ajo është një vajzë 29-vjeçare.

Si shumë vajza të tjera të moshës së saj ka ëndrra, dëshira, pasione. Por ndryshe nga ato, ndoshta nuk ka mundësinë t’i realizojë të gjitha. Jo për arsye ekonomike, as për faktin e thjesht se jeton larg kryeqytetit, por sepse shumë vite më parë, kur ishte ende foshnjë, për shkak të një sëmundjeje, Lindita është e kufizuar në aftësitë e saj. Megjithatë, kjo arsye duket se nuk e ka kufizuar në botën e madhe të dëshirave e aq më tepër, nuk e ka penguar të përpiqet të japë dhe të marrë më të mirën e mundshme nga jeta. Teksa ndjek qendrën ditore të zhvillimit në Korçë, Lindita Trajçi ka zhvilluar gjatë këtyre viteve edhe një pasion për pikturën. E rritur nga dashuria dhe kujdesi i prindërve të saj, ajo nisi të hedhë në telajo diçka nga përditshmëria, nga ato anë të bukura të jetës, të cilat i ka zbuluar dalëngadalë edhe me ndihmën e prindërve. Por duket se ky pasion për pikturën dhe ngjyrat u shndërruan nga një dëshirë modeste, në një qëllim. E nxitur nga mikesha e saj, Fabiola Egro, që rastësisht u njoh me punët e Linditës, ajo u inkurajua për të vijuar punën me telajot dhe ngjyrat, me qëllimin për t’i bërë ato të njohura në një ekspozitë. Dhe pasditen e 25 shkurtit, pasioni modest i Linditës u shëndërrua në një ëndërr të madhe, tashmë të realizuar. Në ambientet e shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare” u çel ekspozita e saj e parë, në të cilën Lindita prezantoi disa nga punimet  të realizuara në harkun kohor të 1 viti. Mes të ftuarve ka qenë i pranishëm edhe shkrimtari Teodor Laço, mik i familjes Trajçi, i cili ashtu si dhe shumë nga të pranishmit ka blerë disa punime të Linditës, në të cilat spikasin ngjyrat e gjalla dhe të theksuara, që shpalosin optimizëm dhe dashuri për jetën. Në pamundësi për të shprehur atë që ndien përmes fjalëve, për Linditën mjaftojnë buzëqeshjet dhe lumturia që i sheh në sy. E ëma tregon se pavarësisht mundësive të kufizuara, Linditës i pëlqen të punojë. “Kthehet nga qendra dhe ulet të pikturojë. Por asaj i pëlqen gjithashtu edhe të dëgjojë muzikë e të merret edhe me punë artistike, me rruaza”, tregon ajo duke shtuar se Lindita përpiqet dhe kërkon të jetojë si të gjitha vajzat e tjera të moshës së saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura