Vajushi, gol dhe asist te Liteksi në Bullgari

Oct 31, 2013 | 14:09
SHPËRNDAJE

Armando Vajushi vazhdon të shkëlqejë në Bullgari, teksa dje ishte autor i njërit prej katër golave që Liteksi shënoi në fitoren shtëpiake ndaj Lokomotivës së Sofjes. I pari që hapi serinë e goleadës ishte sulmuesi Vilmar Xhordan Xhil, pas një gabimi të mbrojtjes (44’). Në pjesën e dytë, në minutën e 52-të erdhi edhe goli i Vajushit: kros nga thellësia e zonës së Liteksit, shkodrani i gjendur në mesfushë galopon deri në hyrje të zonës, shmang një mbrojtës dhe në një pozicion disi të prirët me portën gjuan me të majtën, duke e adresuar topin në cepin e majtë të portierit mik. Por “show” i shqiptarëve nuk mbaron me kaq, pasi 13 minuta më vonë pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Jurgen Gjasula, i cili luajti si titullar, është Slavçev që fluturimthi e dërgon topin në rrjetë. Mbrëmja pozitive e Vajushit do kulmonte me një asist në minutën e 87-të për Tsvetanov, i cili vulosi edhe fitoren e Liteksit. Pas këtij trepikëshi, kjo skuadër ruan kryesimin e kampionatit bullgar me 34 pikë në 15 javë: 10 fitore, 4 barazimi dhe vetëm një humbje. Ndërkohë, ky ishte goli i pestë i Vajushit për këtë sezon me Liteksin. Më parë ai pat shënuar në Liteks-Lokomotiv Plovdiv (2-1), në Liteks-Slavia e Sofies (1-1), në Liteks-Ljubimets (2-1) dhe në Pirin Gotse Delçev-Liteks (1-5).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura