Urdhri i dytë për “Shqiponjat”, u rikthehet sërish uniforma e parë

Sep 30, 2013 | 13:15
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një urdhër i dytë i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka anuluar urdhrin e parë, që “zhvishte” efektivët e njësisë “Shqiponja” nga uniforma që kishin mbajtur që nga krijimi, duke i detyruar të paraqiteshin në detyrë me uniformën e ngjashme si policët e Patrullës së Përgjithshme. Duket se Tahiri ka kuptuar që uniforma e mëparshme, e ngjashme me atë të forcave speciale, kishte më shumë impakt dhe efektivët e “Shqiponjave” kishin më shumë prezencë gjatë kryerjes së detyrës. Kështu, pas dy ditëve që ata ushtruan detyrat e tyre me uniformën normale të Policisë, një urdhër i dytë riktheu situatën në gjendjen e mëparshme. Janë 70 oficerë, që tashmë do të vazhdojnë të jenë të veshur me uniformë operacionale dhe 10 automjete, aktualisht të Patrullës së Përgjithshme, me mbishkrimin “Shqiponja”, që do të vazhdojnë monitorimin e Tiranën gjatë 24 orëve, brenda Unazës së Vogël. Por, veç këtij funksioni, kjo strukturë ka edhe atributet e Policisë Gjyqësore dhe asaj Rrugore, çka i jep të drejtën e ndëshkimit të kundërvajtësve me gjoba, si dhe arrestimin në flagrancë të personave që kryejnë vepra penale të lehta. Për këtë arsye, efektivët e kësaj njësie kanë arritur rezultate të larta gjatë ushtrimit të detyrës dhe sipas specialisteve të Policisë, një efekt pozitiv për shërbimin në terren ka pasur edhe uniforma e tyre. Njësia elitë “Shqiponja” u rikrijua në dhjetor të vitit 2012, me iniciativën e ish-zv.drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike, Erzen Breçani dhe funksionoi mjaft mirë në parandalimin e krimit të rrugës dhe kapjen në flagrancë të autorëve të ngjarjeve kriminale.           e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura