Universiteti: Të ikë Priftanji

Mar 31, 2011 | 13:03
SHPËRNDAJE
Dekani i fakultetit të mjekësisë, Alfred Priftanji

Rektorati i Universitetit të Tiranës kërkon shkarkimin e dekanit të fakultetit të mjekësisë, Alfred Priftanji. Në shkresën zyrtare prej tri faqesh, që mban firmën e rektorit Dhori Kule, janë detajuar të gjitha argumentet e kësaj kërkese.Shkresa është nisur zyrtarisht në MASH dhe pritet vetëm vendimi i ministrit Myqerem Tafaj. “Në kundërshtim me ligjin, dekani i FM, për më shumë se një vit nuk ka lejuar dhe madje ka penguar procedurat e konkurrimit të kandidatëve për studimet afatgjata. Ai është bërë pengesë edhe për mbylljen e këtyre procedurave, duke mos lejuar regjistrimin e kandidatëve fitues”, thuhet në shkresën e rektoratit. Sipas saj, për të legjitimuar veprimet e tij të kundërligjshme, dekani ka krijuar këshillin e fakultetit dhe nuk lejon të kryhen zgjedhjet për këtë organ. “Në veprimin e tij dekani refuzon të zbatojë rregulloren ‘për organizimin e zgjedhjeve të autoriteteve dhe organeve drejtuese’, si dhe urdhrat përkatës së ministrit”, thuhet në shkresë. Rektorati i UT bën me dije se edhe numri i anëtarëve të këshillit nuk është në përputhje me rregulloren. “Fakti i operimit dhe funksionimit të një institucioni jo konform ligjit, ka bërë që dekani i fakultetit të mjekësisë ta përdorë këtë situatë për të kundërshtuar autoritetet drejtuese të UT-së, sa herë që i është vënë në dukje shkelja e ligjit”, thuhet në shkresën përkatëse. Sipas saj, nga kontrollet e kryera nga grupet e auditivit ka rezultuar se urdhrat e rektoratit gjatë gjithë këtyre viteve ose nuk janë zbatuar, ose janë zbatuar sërish me vonesë, duke bërë gjithashtu një shkelje flagrante të ligjit. Në të theksohet se dekanit i është tërhequr vëmendja në mënyrë të përsëritur me anë të shkresave zyrtare.” Në këto kushte, bazuar në nenin 64 pika 4 e Ligjit për “Arsimin e Lartë”, propozoj shkarkimin nga detyra të zotit Alfred Priftanji, dekan i fakultetit të mjekësisë, për shkelje të rënda të këtij ligji dhe anomali të krijuara në funksionimin e njësisë që ai drejton”, përfundon shkresa e firmosur nga rektori Kule.

Protestat

Pak muaj më parë, studentët e fakultetit të mjekësisë protestuan për javë me radhë për largimin e dekanit. Sipas tyre, ai nuk ushtronte siç duhet funksionin e tij dhe madje u kishte krijuar mjaft probleme me specializimet. Sipas tyre, gjithashtu dekani nuk kishte mbajtur asnjë nga premtimet për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies në këtë fakultet.

Priftanji: Nuk kam bërë asnjë shkelje të ligjit

Kane qenë mediat ato që kanë vënë në dijeni për propozimin e bërë për shkarkimin e tij nga detyra. I kontaktuar në telefon nga gazeta, dekani i fakultetit të mjekësisë sqaron se askush nuk i ka komunikuar asgjë për këtë masë që po ndërmerret. “E mora vesh nga ju dhe kolegët tuaj për këtë shkresë, unë nuk e kam parë dhe nuk e di për çfarë argumentesh bëhet fjalë. Nuk mund të them asgjë më shumë momentalisht”, tha Priftanji. Ai theksoi gjithashtu se ka zbatuar ligjin me rigorozitet dhe nuk ndien se ka bërë ndonjë shkelje të tij. “Janë akuza që bëhen nga persona të caktuar mbi asnjë bazë ligjore. Gjithsesi, unë derisa të shoh shkresën, nuk mund të jap asnjë deklaratë më shumë, por ju garantoj se kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha Priftanji. Ai ka mbrojtur funksionin e tij si titullar i FM, edhe pas një sërë protestash që bënë studentët në muajin janar. “Fakulteti i mjekësisë po bën përpara dhe ne jemi përpjekur të marrim të gjitha masat për të zgjidhur çdo problematikë të mundshme që prek studentët”, tha dekani.

 

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura