Universiteti i Tiranës, emrat që garojnë për dekanë

Jan 31, 2012 | 15:14
SHPËRNDAJE

Kandidatët për 8 fakultete. Brenda javës zyrtarizohen listat

Mjekësia dhe Ekonomiku me 3 kandidatura, 2 për rektorë

Brenda javës do të shpallen zyrtarisht emrat e kandidatëve për rektor dhe dekanë në universitetin më të madh të vendit. Gjithsesi, gjatë këtyre ditëve kandidaturat janë konsoliduar, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që të shtohen edhe emra të rinj. Gazeta bën publik emrat më të lakuar për tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës. Përballë rektorit aktual Dhori Kule, i cili rikandidon, pritet të jetë pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi, njëkohësisht edhe përfaqësuese e PS-së në Këshillin Bashkiak. Sa i përket garës në Universitetin Politeknik, mësohet se përballë rektorit aktual Jorgaq Kaçani, nuk ka kandidaturë tjetër. Në Fakultetin e Infermierisë dhe atë të Drejtësisë, dekanët aktualë kanë pranuar rikandidimin, ndërkohë që deri tani janë të vetëm në garë. Fakulteti i Ekonomisë dhe ai i Mjekësisë pritet të kenë garën më të ashpër, pasi janë të vetmit që kanë zyrtarizuar nga tre kandidatë. Brenda javës pritet të shpallen edhe emrat e kandidatëve për shefa departamentesh. Deri tani në Tiranë fushata paraprake për zgjedhjet e drejtuesve të rinj ka qenë e qetë. Disa nga kandidatët kanë shpallur platformat e tyre. Ministria e Arsimit ka bërë thirrje për ruajtje të etikës mes stafit akademik në mënyrë që zgjedhjet të jenë transparente. Në datën 20 shkurt, stafi i pedagogëve, studentët dhe administrata e shkollave të larta publike do t’u drejtohen kutive të votimit për autoritetet e reja drejtuese. Në këtë garë do të përzgjidhen 11 rektorët që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme universitetet publike, ndërkohë që numri i zëvendësrektorëve do të jetë gati sa dyfishi i eprorëve të tyre, pasi në çdo universitetet funksionojnë nga dy të tillë, që janë njëri për anën mësimore dhe tjetri për anën shkencore. Në të njëjtën ditë do të votohet edhe për 60 dekanët e fakulteteve, mbi 250 shefat e departamenteve, si dhe drejtuesit e qeverive studentore. Në universitete votat përllogariten me përqindje. Kështu, votat e gjithë stafit akademik përbëjnë 75% të procesit, 20% e zë vota e studentëve dhe 5% ajo e administratës publike. Sezonin e provimeve që këtë vit përkon me fushatën dhe zgjedhjet në shkollat e larta, disa universitete kanë vendosur që muaji shkurt të jetë periudhë mësimi dhe pas zgjedhjeve të nisin provimet. Konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtues Rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.

Ankimimi
Rregullorja e zgjedhjeve për UT njeh të drejtën për ankimim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve. “Ankimet që kanë të bëjnë me respektimin e procedurave dhe zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve, si dhe organizimin e votimeve për të gjitha nivelet, deri ditën e votimit (përfshirë edhe këtë ditë) i drejtohen me shkrim KQZI-së, i cili, pasi e shqyrton, merr masat përkatëse”, thuhet në rregullore.

Universiteti i Sporteve
Prej disa ditësh është pezulluar procesi i përgatitjes për zgjedhje në Universitetin e Sporteve. Shkak është bërë rregullorja, e cila kufizon kandidaturat për shkak të moshës. Por kjo pikë e rregullores është kundërshtuar me forcë nga rektori aktual, i cili ka shprehur dëshirën për rikandidim, Vejsel Rizvanolli, i cili mbush moshën e daljes në pension në 2015, pra një vit para se t’i përfundojë mandati. Ai ka paraqitur në senat një projekt-rregullore që e  ndryshon këtë nen, duke e bërë që mund të kandidohet nëse mosha e pensionit është më shumë se 2/3 e mandatit. Ky propozim është hedhur poshtë nga senati, çka i ka dhënë start përplasjeve.

Kandidatet
Universiteti i Tiranës

Kandidatë për rektor
Dhori Kule
Mimoza Hafizi

Kandidatët për dekan
Fakulteti i Ekonomisë
Andri Koxhaj
Omer Stringa
Sulo Hadëri
Fakulteti i Histori–Filologjisë
Shezai Rrokaj
Valentina Duka
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Ilir Manollari
Mënyr Koni

Fakulteti i Drejtësisë
Skënder Kaçupi
Fakulteti i
Infermierisë
Petrit Bare
Fakulteti i Shkencave Sociale
Theodhori Karaj
Edmond Dragoti
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Klodeta Dibra
Nonda Varfi
Fakulteti i
Mjekësisë
Bajram Hysa
Pëllumb Pipero
Genc Sulçebe

Universitetit Politeknik
Kandidat për rektor
Jorgaq Kaçani, i vetëm në kandidim

Regjistrat e rinj në universitet, studentët me kode personale

Vitin e ardhshëm akademik çdo student do të ketë numrin e tij personal të identifikimit. Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzimin për regjistrin bazë të të dhënave në universitete. Kjo praktikë do të shërbejë për dixhitalizimin e të dhënave. Nga sa na konfirmon Ministria e Arsimit, me disponimin e këtij kodi studentët mund të kontrollojnë online të dhënat personale. Në një fazë të dytë këta numra do të përdoren edhe për të marrë rezultatet e provimeve, pa u sorollatur dyerve të sekretarive. “Çdo student, në momentin e pranimit duhet të regjistrohet në regjistrin bazë të studentëve. Çdo studenti, në regjistrimin fillestar në një institucion të arsimit të lartë (IAL), i jepet një numër unik matrikullimi që e shoqëron deri në marrjen e diplomës ose certifikatës”, thuhet në udhëzimin e MASH. Sipas tij, studentët e marrin numrin e matrikullimit (NIM) të përbërë nga gjashtë germa dhe dy shifra të kodit të regjistrit. Katër shifrat e numrit të studentit vendosen në regjistrin përkatës. Në rast se një student largohet ose transferohet nga një fakultet pa e përfunduar kursin e studimit, NIM-i i tij mbyllet dhe nuk përdoret për një student tjetër. Regjistrat e studentëve për një vit akademik, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, të organizohen në bazë njësie kryesore (fakulteti), cikli studimi dhe formë studimi. “Çdo regjistër të ketë një kod të vetin, unikal, në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri, i përbërë nga gjashtë germa dhe dy shifra. Germa e gjashtë e kodit të regjistrit përcaktohet në bazë të ciklit të studimit dhe formës së studimit, bashkëlidhur këtij udhëzimi”, saktësohet në udhëzim. Kodet e regjistrave në përdorim për çdo institucion të arsimit të lartë përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP). “Për hapjen e një regjistri, IAL duhet të aplikojë në AKP për të marrë kodin e regjistrit përkatës. Brenda një fakulteti regjistrat bazë të studentëve të organizohen më vete për çdo formë studimi (sistemi me kohë të plotë, kohë të pjesshme, edukim në distancë) dhe për secilin cikël studimi (cikli I, cikli II dhe cikli III)”, saktëson udhëzimi. Sipas tij, institucionet e arsimit të lartë i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), listën e studentëve të regjistruar në vitin akademik 2011-2012 e në vazhdim, në programet e studimit të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë në formë shkresore dhe elektronike (hardcopy dhe në CD), IAL-të të dërgojnë të dhënat në AKP, sipas afatit të përcaktuar në udhëzimin respektiv për regjistrimet. AKP brenda një muaji u dërgon institucioneve të arsimit të lartë listën përkatëse të numrave të matrikullimit për çdo student. ”AKP përgatit rregulloren teknike të administrimit dhe sigurisë së bazës shtetërore (kombëtare) të të dhënave të studentëve”, thuhet në udhëzim. Deri tani kodet identifikuese për studentët janë aplikuar në Maturën Shtetërore. Kodet u vendosën për të bërë transparent korrigjimin e provimeve. Grupet e korrigjuesve marrin në dorë teste pa emra maturantësh, por vetëm me kode. Pasi janë korrektuar, të dhënat i kalojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e cila shpall rezultatet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura