Universitetet, shpallen 18 mijë fituesit

Sep 30, 2014 | 13:14
SHPËRNDAJE

Pikët minimale të fituesit të fundit, afati i dorëzimit të dokumenteve në sekretari nga 1 deri në 7 tetor.

Ministria publikon listën përfundimtare të fituesve për çdo degë.

Shpallen listat përfundimtare të fituesve për në universitete. Ministria e Arsimit ka publikuar dje fituesit e fazës së dytë nga raundi i parë i konkurrimit. Janë mbi 18 mijë maturantë që u lind e drejta për të ndjekur studimet e larta në programet e studimit të ofruara nga universitetet shtetërore. Gazeta boton sot listat e fituesve për çdo degë. Maturantët, të cilët gjatë regjistrimit online zgjodhën opsionin “vazhdoj konkurrimin” mund të verifikojnë sot me anë të barkodit personal nëse kanë arritur të ngjiten një preferencë më lartë. Bashkë me listën, gazeta boton edhe pikët minimale të fituesit të fundit, i cili është pranuar në atë program studimi. Njohja e këtij pragu u shërben atyre që nuk kanë mundur të jenë fitues në fazën e parë, për të parë se sa mundësi kanë për t’u shpallur fitues në raundin pasues. Vihet re që në fazën e dytë numri i pikëve minimale ka pësuar ulje, pra në pjesën më të madhe të degëve, për të mos thënë në të gjitha, janë përfshirë kandidatë të rinj. Ndërkohë, nga 19 166 kuota të vëna në dispozicion nga Ministria e Arsimit për këtë vit akademik, janë plotësuar rreth 18 mijë. Pra kanë mbetur rreth 1000 vende, faza e konkurrimit për të cilat do të çelet pas dy javësh, me publikimin e formularit A3. Ata të cilët nuk u shpallën fitues në këtë raund dhe ata të cilët i kaluan me sukses provimet e mbartura në sesionin e vjeshtës kanë të drejtë të aplikojnë. Nga Agjencia Kombëtare e Provimeve mësohet se nga data 1 tetor deri në datën 7 tetor fituesit mund të paraqiten pranë sekretarive mësimore për të bërë regjistrimin me dokumentacion. Përbri janë të listuara dokumentet që nevojiten për këtë proces. Nga Ministria e Arsimit mësohet se kandidatët që regjistrohen pranë sekretarive nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës me anë të formularit A3.

Klikoni ketu per te pare listen e fituesve

Regjistrimi me dokumentacion
Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose
pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e
një prej dokumenteve të identifikimit (i panoterizuar);

2 fotografi personale;
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600
lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare
për llogari të IAL-ve përkatëse;

Deklaratën e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati
në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore
dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura