Unifikimi i akcizës së birrës, flet eksperti i ekonomisë: Cënon rëndë prodhuesit vendas, paketat fiskale s’duhet të kenë për qëllim mbushjen e arkës

Jan 28, 2023 | 16:54
SHPËRNDAJE

Eksperti i ekonomisë, Alban Zusi thotë se unifikimi i akcizës së birrës cënon rëndë prodhuesit e vegjël vendas. I ftuar në studion e lajmeve në Panorama TV, Zusi u shpreh se paketat fiskale nuk duhet të kenë qëllim për të mbushur arkën, por duhet të jenë motivuese të rritjes ekonomike.

alban suzi

“Bizneset e vogla të kësaj kategorie, ka shumë gjasa të mbyllen, e para. E dyta mund të shkojmë drejt një polarizimi dhe e treta mund të kemi  edhe zhvendosje të bizneseve jashtë territorit”, tha ndër të tjera Zusi.

Pjesë nga biseda në studio

Alban Zusi: Kur ka lëvizje fiskale dhe kur ka rritje ka dëmtim të subjekteve, por duhen bërë llogaritjet sa fitojmë dhe sa humbasim nga lëvizjet fiskale.

Paketat fiskale nuk duhet të kenë qëllim për të mbushur arkën, por duhet të jenë motivuese të rritjes ekonomike.

Unifikimi është përdorur si instrument për të mbuluar paaftësinë për të menaxhuar në mënyrë të segmentarizuar segmente të caktuara të prodhimit.

Nuk është vetëm akciza e birrës, e njëjta gjë ndodhi me akcizën e gazit, me taksën e plastikës para disa vitesh

Përgjithësisht administratat fiskale kur hasin në vështirësi për të menaxhuar mbledhjen e të ardhurave i fusin një thjeshtim dhe bëjnë unifikim.

Çfarë do të bëjë unifikimi i birrës? Do të cënojë rëndë prodhuesit e vegjël, do të fillojë t’i nxjerrë jashtë loje ose do ti detyrojë të bëjnë disa manovra të tjera.

Mund të favorizohet importi i birrave të mëdha që vijnë nga jashtë dhe në tërësinë e vet  mund të jetë një masë jo produktive.

Pra mund të mbushë buxhetin e shtetit, por në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të rezultojnë në rrudhje të veprimtarive prodhuese vendase.

Ada Azizolli: Disa nga prodhuesit kanë paralajmëruar zhvendosje të biznesit në vendet e rajonit

Alban Zusi: Po, edhe kjo mund të ndodhë. Nuk është herë e parë që ndodh, që masa të caktuara fiskale kanë nxitur zhvendosjen nga Shqipëria në vendet e rajonit, ku paketa fiskale është më e favorshme. Ky duhet të jetë një tjetër instrument që duhet marrë në konsideratë kur bën një paketë fiskale. Ne mund ta çojmë një detyrim fiskal nga 10 në 20 apo 25, por nëse në rajon kemi dikë që e bën me 5, kjo është më e favorshme dhe mund të na ndodhe edhe kjo zhvendosje e kapitaleve. Prandaj kur bëjmë paketa fiskale duhet të kemi parasysh edhe këto.

Ada Azizolli: Siç ekziston edhe rreziku i mbylljes, apo uljes së produktivitetit

Alban Zusi: Bizneset e vogla të kësaj kategorie, ka shumë gjasa të mbyllen, e para. E dyta mund të shkojmë drejt një polarizimi dhe e treta mund të kemi  edhe zhvendosje të bizneseve jashtë territorit.

Ada Azizolli: Mendoni se kjo është kërkesë e BE?

Alban Zusi: Unë do të thoja se industri të kësaj natyre, ku një pjesë e mirë e kostos janë ambalazhet, ne kemi nevojë që të marrim politikën nxitëse për të krijuar në vend ambalazhe për t’i ulur koston këtyre. Importet duhet ti çojmë drejt zeros. Kur kemi prodhim vendas që konkurron me produktin e importit ne duhet të gjejmë hapësira për ta zhvendosur produktin tonë nga taksimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura