“Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël!”- Rama: S’mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige! Po më bien më qafë?! Nëse s’ke bërë gjë, të mban e vërteta! Të vërtetën e presim nga SPAK

May 7, 2024 | 10:55
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama me tone të forta foli për të gjitha ata deputetë, ministra apo kryetar bashkie, të cilët sipas tij janë të përfshirë në korrupsion.

Rama duke iu përgjigjur kritikëve se nuk duhet t’i “lëshojë njerëzit e tij para drejtësisë”, tha: “Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël”.

“Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje, qysh në ditën e parë të fillimit të punës e jo vetëm, se kush lufton për qëllimet tona të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap, ka diskrecion të plotë në vendimet e veta e në rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe më ka në krah, kurdoherë që do të sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët. Por kush gabon, duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë, duke luftuar me mua e me Partinë Socialiste për të mirën e punës së përbashkët për shtetin, e nga ana tjetër duke punojë fshehtaz edhe për xhepin, nuk do të ketë në krah as mua, as Partinë Socialiste, por vetëm avokatin e vet përpara drejtësisë.

Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, shumë gjëra i kemi ndryshuar së bashku në çdo sektor, po kjo devizë as nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, deri kur të jem unë të paktën.

“Jo po PS-ja duhet t’i mbajë njerëzit e saj dhe ti duhet s’duhet t’i lëshosh njerëzit e tu!”…

Ah jo jo, unë nuk lëshoj djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret.

“Jo po s’kam bërë asgjë, po më bien në qafë se ma bën ky e ma bën ai, se SPAK-u kështu e SPAK-u ashtu”…

Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj unë dhe PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u.

Madje, sa më lart të jetë ngjitur kërkesa e SPAK-ut aq më shumë ne e presim të vërtetën vetëm nga SPAK-u, jo nga i lartësuari prej nesh që kërkon dhe që të mos e lëshojmë.

Keq më vjen shumë për këdo që nuk do ta pranojë realitetin e ri. Është kthyer një botë përmbys, e di, kanë ardhur kohë të këqija shumë për ata që ishin mësuar me drejtësinë të lidhur pas qerres së pushtetit politik dhe duan dhe të shërbejnë dhe të rrëmbejnë.

Unë nuk kam dhe ne nuk kemi hiç se çfarë të bëjmë askujt që nuk do ta kuptojë se kjo luftë për drejtësinë e re, të çliruar dhe të pavarur nga pushteti politik është e vërteta jonë më kuptimplotë në raport me Shqipërinë, me shqiptarët dhe me historinë.

Prandaj po kthehem pak tek ministrat, tam-tami histeriko-mediatik “të gjithë hajdutë”, u shpreh Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura