U vdes djali, vetëhelmohen prindërit

Oct 31, 2011 | 12:03
SHPËRNDAJE

Një vit pas humbjes së tij në aksident, pijnë helm burrë e grua.

Vetëhelmohen një ditë pasi përkujtojnë njëvjetorin e vdekjes së djalit të tyre 21-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në fshatin Kemishtaj të rrethit të Lushnjës ku burrë e grua u gjetën të vetëhelmuar. Për pasojë, Majlinda Mehmeti ka gjetur vdekjen, ndërsa bashkëshorti i saj është në gjendje të rëndë në spitalin e Lushnjës. Mësohet se ka qenë humbja e birit të vetëm, një vit më parë në një aksident rrugor, ajo që i ka bërë dy bashkëshortët të kalojnë një situatë të rëndë psikologjike. Policia bëri të ditur dje se Majlinda dhe Pandeli Mehmeti, përkatësisht 43 dhe 48 vjeç, kanë pirë lëndën helmuese në kushtet e një depresioni të thellë. Mësohet se ka qenë fillimisht gruaja 43-vjeçare ajo që ka pirë fostoksinën, rreth orëve të para të ditës së djeshme në dhomën e saj të gjumit. I shoqi që ka qenë jashtë duke u marrë me punë të shtëpisë në fshat, ka hyrë brenda rreth 40 minuta më pas. Ai ka shkuar në banesë dhe, pasi e ka thirrur disa herë të shoqen, është përballur me tragjedinë në momentin kur e ka gjetur atë pa ndjenja. Në kushtet e një ngarkese të fortë emocionale, ai ka kryer të njëjtin veprim duke konsumuar të njëjtën lëndë që kishte pirë edhe bashkëshortja e tij.
Fqinjë dhe të afërm të familjes që kishin dëgjuar burrin të ulërinte pasi kishte konstatuar të shoqen pa ndjenja, duke e menduar të vdekur, kanë shkuar menjëherë tek i afërmi i tyre. Ata i kanë gjetur të dy trupat të shtrirë në dhomën e tyre të gjumit dhe më pas i çuan me urgjencë në spital. Por me gjithë ndihmën e marrë, gruaja nuk mundi të mbijetojë, ndërsa burri sipas mjekëve është ende në gjendje kritike, në koma.
Të afërmit e viktimave deklaruan në polici se një ditë më parë, djali i tyre, Marigleni, mbushi një vit nga vdekja si pasojë e një aksidenti. Madje ata kanë pohuar se ditën e varrimit ajo e kishte paralajmëruar një fund të tillë. “Do të vij pranë shumë shpejt, o bir. Mami nuk jeton dot pa dritën e syve. Jeta ime varej vetëm nga jeta jote. Kështu i tha ajo të birit në ditën e varrimit të tij. Ne e menduam se e pati nga dhimbja e madhe, por ajo çdo ditë së bashku me Pandeliun qanin si fëmijë, nuk dilnin nga shtëpia. Nuk kryenin asnjë aktivitet dhe luteshin që zoti t’ua merrte jetën. Ata organizuan një përkujtimore me shumë përkujdesje një ditë më parë, por nuk e menduam se do të ishte e djeshmja dita e tyre e fundit e jetës”, u shpreh për policinë, i afërmi i tyre, Lulëzim Marku. Sipas të afërmve, ndonëse në gjendje të rëndë psikologjike, çifti nuk kishte marrë asnjëherë medikamente për depresionin.

Fier, në 10 muaj, 90 të vetëhelmuar
Në Fier, megjithëse nuk ka statistika të sakta, mësohet se vetëm brenda 10-mujorit të parë të vitit 2011 rezultojnë të vetëhelmuar me fostoksinë rreth 90 persona. Ndër ta, 30 kanë humbur jetën, ndërsa të tjerët kanë arritur të shpëtojnë falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve.

Helmet, kontroll për shitjet ilegale në Fier
FIER – Tregtimi i preparateve dhe pesticideve të rrezikshme për jetën e njeriut është kthyer në një objektiv dite për Prokurorinë e Rrethit Fier. Ky organ, në bashkëpunim edhe me njësitë vendore dhe drejtoritë e higjienës e shëndetit publik, është vënë në gjurmim të shkelësve të ligjit. Kështu, vetëm në tri ditët e fundit, në rrethin e Fierit dhe në Mallakastër janë mbyllur 8 farmaci bujqësore, ndërsa janë ndëshkuar rreth 15 tregtarë ambulantë, të cilët e kryejnë këtë aktivitet në fshehtësi. Ky aksion ka ardhur në intensifikim e sipër për shkak të shifrave alarmante që ka sot në qarkun e Fierit të rasteve me vetëhelmim. Prokurori i përgjithshëm i rrethit, Besnik Cani, u shpreh se në 5 të vdekur, 4 janë vetëhelmime me fostoksinë. “Fieri ka pasur këtë vit ulje të ndjeshme të krimit, por shumë raste të vetëvrasjeve me helmim dhe kjo na ka detyruar që të kontrollojmë çdo subjekt apo individ që shet dhe tregton pesticide pa leje”, u shpreh kryeprokurori i Fierit. “Janë ushtruar me dhjetëra kontrolle, të cilat janë përqendruar në farmacitë bujqësore, si dhe në pikat e tregtimit të farërave në rrugë, aty ku mbahet dhe tregtohet edhe ndonjë pesticid helmues, siç është fostoksina. Ne do të vazhdojmë me kontrollet, në mënyrë që të parandalojmë rastet e dhimbshme”, deklaroi shefi i higjienës, Nuredin Kallashi.

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura